Në edicionin e 3 marsit të revistës maqedonase Fokus, në ballinë qëndronte titulli, “Luftë në vend të burgut”, duke aluduar kështu për krizën më të thellë të cilën deri më tani e ka përjetuar Maqedonia, përleshje ndërnacionale në vend të burgut për “Gruevski & co.” Presidenti kundër popullit dhe demokracisë, në aksion për shpëtimin e kriminalitetit politik të klanit të quajtur VMRO-DPMNE, të cilën, në fakt, e ka ndihmuar goxha në forcimin e saj dhe në okupimin e shtetit edhe partia shqiptare BDI.
Para kësaj, të mërkurën e kaluar, ndodhi skandali më i madh politik në periudhën më tepër se një çerekshekulli të Maqedonisë. Presidenti Ivanov, alias Horhe (Jorge), siç opinioni e quan për shkak të gafave dhe performancave më të ulëta shtetare, nuk ua dha mandatin partive politike të cilave u pati premtuar se nëse arrinin të tubonin 61 firma deputetësh, do u jepej mundësia që më në fund të formonin qeverinë, në mënyrë që të kapërcehej kriza tanimë tremuajëshe, nga zgjedhjet e 11 dhjetorit e gjer tani. Në fjalimin nga pallati i vet, në konferencë për shtyp, ai doli me deklaratën se nuk do t’ia japë mandatin asnjë subjekti që e vë në rrezik sovranitetin e shtetit, duke krijuar kështu një precedent, duke shkelur mbi kushtetutën e vendit (neni 90), sipas së cilës është i obliguar që mandatin t’ia japë subjektit të dytë nëse i pari nuk arrin ta formojë qeverinë. Ai në mënyrë të tërthortë pati theksuar “shqiptarinë si leviatan” për Maqedoninë, duke akuzuar Edi Ramën dhe Shqipërinë për përzierje në punët e brendshme të Maqedonisë përmes gjenerimit të Platformës së partive shqiptare (BDI, BESA dhe Aleanca për Reforma), duke pohuar se kësaj platforme i duhet thënë “Jo” në emër të popullit maqedonas, i cili “nuk ka shtet tjetër”.
Mëkati politik
Me këtë vendim ai ka mohuar rreth 700 mijë vota të Lidhjes Social-Demokrate të Maqedonisë dhe të bllokut shqiptar, duke bërë kështu një “mëkat të madh politik”, duke mos respektuar zërin e popullit, të shumicës, që është parim bazë i demokracisë, duke hapur kështu një problem të vjetër e të ri për gjithë shoqërinë, një hap ky shumë i rrezikshëm, që sërish e aktualizon nacionalizmin dhe marrëdhëniet e tendosura ndëretnike mes dy etnikumeve më të mëdha që jetojnë në këtë vend: maqedonasve dhe shqiptarëve. Ivanovi, shoqërinë që vitet e para pas 2001-shit arriti të futet në binarë, e ka kthyer në kohën e konfliktit të vitit 2001, madje në kohën kur Jugosllavia po shpërbëhej, duke krijuar një klimë për të cilën shumë analistë konstatojnë se shpie drejt skenarit të “ish-Jugosllavisë”, të cilët flasin se skenari më ekstrem mund të jetë ndarja, apo ndoshta edhe fshirja nga harta e këtij entiteti politik, (hipo)tezë të cilën e ka nënvizuar kongresmeni amerikan Rohrabacher, i cili kumtoi se Maqedonia nuk ia ka dalë të bëhet shtet, andaj “duhet të ndahet” mes Shqipërisë, Bullgarisë, etj.
Është e çuditshme që Ivanov ia ka dhënë vetes privilegjin që t’i vlerësojë platformat dhe programet politike të partive, çka nuk është detyrë e tij dhe për çka nuk ka kurrfarë kompetencash. Edhe më irracional është fakti se ai luan me ndjenjat kombëtare, duke e hedhur topin te “sindromi ballkanik”, te etno-nacionalizmi, te rrugët, duke ndjekur mini-Putinin, Gruevskin e futur në kriminalitet deri në fyt, i cili akuzohet për manipulime financiare dhe për shumë punë të tjera gjatë sundimit të vet dhjetëvjeçar, i cili shpëtimin e sheh në turbulencat në mënyrë që kartoni i tij i veprave kriminale të bëhet i padukshëm, në mënyrë që t’i shpëtojë përgjegjësisë para organeve të gjyqësisë.
Zyrtarizimin e gjuhës shqipe në tërë territorin e Maqedonisë, nacionalizmi ekstrem dhe klero-fashizmi maqedonas e quan kantonizim, federalizim të shtetit, dhe e thërret popullin në “kryengritje” për mbrojtjen e atdheut nga zhdukja, për mbrojtjen e sovranitetit që po rrezikohet nga “Platforma e Tiranës” dhe binacionalizimi i shtetit. Populli në rrugë dhe parullat antishqiptare, thirrjet në orkestër, “shqiptari i mirë, shqiptari i vdekur”, “dhoma gazi për shqiptarët”, dhe grafitet me porosi shovene nuk e shpien askund këtë vend. Ekstremizmi nëpër rrugët e qyteteve shumëkulturore në asnjë mënyrë nuk shpie në rezultate pozitive për ardhmërinë e qytetarëve dhe të vendit. Federica Mogherini, shefe e diplomacisë së Unionit Europian, pas takimit me prijësit politikë ka kërkuar nga Ivanovi që edhe një herë të reflektojë rreth vendimit që ka marrë. Ajo ka pohuar se shumë kohë është harxhuar pa avancime në procesin e eurointegrimeve, se europianët janë të brengosur thellë për shkak të cenimit të vlerave demokratike, se UE-ja dhe NATO-ja nuk mund të pranojnë faktin që shumicës së deputetëve nuk i është lejuar ta formojë qeverinë, se bllokimi i proceseve është kundër frymës së demokracisë.
“T’i ruhemi zjarrit”
Më 2 mars, në Operën dhe Baletin e Maqedonisë morëm pjesë në konferencën dhe debatin e Mogherinit me studentët e tre universiteteve (Shën Cirili dhe Metodi, UEJL dhe Universiteti i Tetovës), në të cilën ajo akcentoi se ky është një çast i krizës së rëndë, kurse miqtë vijnë kur ka më së tepërmi nevojë, se “duhet t’i ruhemi zjarrit”, se brezi i ri duhet të ketë besim në vete, se dyert e UE-së janë të hapura për të gjithë ata që respektojnë vlerat europiane, se duhet vepruar me urtësi, që do të shpie kah ndërtimi i shtetit stabil dhe multikulturor, siç edhe është realiteti sociologjik i Maqedonisë.
Shtetet janë kategori fluide, nuk janë statike, ato duhet t’u përgjigjen nevojave shoqërore. Për atë arsye ka qenë edhe Marrëveshja Kornizë, të cilën politika iliberale ia ka dalë që ta relativizojë maksimalisht, dhe kështu ta kthejë situatën mbrapa për 180 shkallë, që prapë të flitet për trazira të mundshme, për ndarje, etj. Shteti në të cilin në një distancë vetëm prej një kilometri mund të përjetohen dy botë, Shkupi 2014 utramodern dhe karakatina e Çairit, pa kurrfarë infrastrukture, flet se këtu diçka nuk funksionon si duhet. Ky është vetëm një segment i paranormalitetit ndër ne.
Diskriminimi, padrejtësia, etnocentrizmi, fobia ndaj kulturës së tjetrit, fryma monoetnike dhe korrupsioni janë atentat mbi çdo kreaturë politike dhe ardhmërinë e saj. Ta injorosh një të tretën e popullatës, të jesh miop politik dhe të mos mësosh nga historia (e afërt), do të thotë të mos e duash atdheun. Në fund, duhet thënë se është më mirë që të gjithë të jemi në UE, sesa të përjetojmë YU2 (Jugosllavinë e Dytë), filmin dhe fatin e Jugosllavisë së viteve 1990, kurse gruevizmi populist shpie në atë drejtim, ndërton psikologjinë e “komplotit” nga tjetri, me qëllim që t’i shtyjë njerëzit të përqendrohen në shpellat nacionale. Edhe shqiptarët, edhe maqedonasit, kanë një shtet, nuk kanë atdhe tjetër, ata aty kanë jetuar me shekuj dhe aty do mbeten. Për këtë arsye, duhet të bëhen mirë hapat, lëvizjet, duke zgjedhur ritmin e veprimeve politike. Pra, më mirë është të dëgjohet Bono dhe U2, sesa të përjetohet YU2. Siç duket, Maqedonisë nga repertori i U2 më së tepërmi i përgjigjet kënga ”I still haven’t found what I am looking for!” (Ende s’e kam gjetur atë që po kërkoj!). Shpresojmë që së shpejti t’i gjejë dy gjëra “që i duhen si buka”: stabilitetin dhe mirëqenien. /tesheshi.com/