Në 19 shkurt, në konferencën e Beogradit, që u mbajt në Fakultetin Filozofik, u përmbyll projekti i mbështetur nga RRPP-ja dhe Universiteti i Friburgut (Zvicër), “Nga identitetet inkluzive drejt shoqërive inkluzive: Studimi i identitetit kompleks në Ballkanin Perëndimor”. Në këtë event akademik, në bazë të të dhënave nga terreni, u zbërthye çështja e identitetit etnik dhe atij fetar, që në mjedisin e Europës Juglindore dalin si më të fortë se ai lokal, ballkanik dhe europian. Pas shpalosjes së gjetjeve të grupit të Maqedonisë (që i elaboruam në shkrimin e kaluar), vijoi raporti i Kosovës (Who is the new We?), që shënoi se deklarata e pavarësisë e vitit 2008 gjeneroi një prurje të re, identitetin e ri shtetëror, atë kosovar.
Rezultatet nga hulumtimi i ekipit kosovar (AUK dhe Universiteti i Prishtinës), në kuadër të këtij projekti, tregojnë se identiteti shtetëror kosovar shihet përmes fokusit etnik, si tek shqiptarët ashtu edhe tek serbët. Shqiptarët e Kosovës e shohin identitetin kosovar si të imponuar dhe politik (“Problemi qëndron në atë se ky identitet daton nga viti 2008… është vetëm në letra, s’ndjej gjë për të” – mashkull shqiptar). Nga ana tjetër, serbët e rinj e shohin identitetin kosovar si kërcënim për identitetin etnik (“Nuk jam kosovar, jam serb. Mund të pranoj dokument zyrtar, por kurrë nuk do të pranoj identitetin kosovar…” – i ri serb). Edhe sipas shqiptarëve, por edhe sipas serbëve të rinj, identiteti etnik është primordial dhe i pandryshueshëm (“Identiteti shqiptar është shtyllë e mendimit tonë… ai përfshin atë që besojmë dhe të gjitha vlerat tona” – “Faktin që jam serb s’mund ta ndryshoj, edhe sikur të doja. Kam lindur serb, dhe kjo është e tëra”).
Për sa u përket raporteve ndërgrupore, mbizotërojnë animet e larta brendagrupore (miqësor, paqësor, i ndershëm) dhe perceptimet shumë negative për grupin e jashtëm/outgroup (johuman, i dhunshëm, mashtrues). Të dhënat flasin për mungesë të mirëbesimit ndërgrupor, për urrejtje ndërgrupore; vetëm gjeografia del si gjë e përbashkët e dy etniteteve. Pengesat kyç të mirëkuptimit janë ato etnike, fetare dhe gjuhësore. Evidente për rastin e Kosovës është edhe mungesa e kontakteve mes kategorisë rinore; ato realizohen vetëm në mjediset zyrtare. Si sugjerime nga hulumtuesit e grupit kosovar, të nxjerra nga rastet studimore, janë këto: kompleksiteti i identitetit social mund të ushqehet përmes diversitetit të vendbanimeve, përmes familjes si promovuese e vlerave inkluzive, përmes një procesi edukativ që respekton dallimet individuale dhe që hap horizonte të reja.
Siç dihet, realiteti i shoqërisë boshnjake është më i brishti në të gjithë rajonin. Kjo për shkak të historisë së viteve 1990 dhe shtetndërtimit problematik. Titulli i prezantimit boshnjak ishte, “Identitetet etnike, fetare dhe shtetërore te të rinjtë në Bosnjë dhe Hercegovinë”. Pjesëtarët e Universitetit të Banja Llukës dhe të Shkollës së Shkencës dhe Teknologjisë nga Sarajeva paraqitën hartën politike të Bosnjës: dy entitete autonome, tre grupe kryesore etnike, kuotat etnike si çelës, e kaluara e gjatë e bashkëjetesës e ngatërruar me konflikte ndëretnike të ndikuara nga dallimet fetare, dhe faktin se ideologjitë e partive politike kryesore mbështeten te identiteti shtetëror, etnik dhe religjioz.
Studiuesit boshnjakë theksuan se pyetjet kryesore të hulumtimit kanë qenë këto: Sa të rëndësishme janë identitetet sociale në Bosnjë-Hercegovinë 20 vjet pas luftës? Cilat kontekste nxisin spikatje të identiteteve sociale tek të rinjtë e Bosnjë-Hercegovinës? A ndikon statusi i shumicës-pakicës në identitetin social? Rezultatet empirike tregojnë se nga nëntë përkatësitë nëngrupe, si familja, shokët, qyteti, gjinia, shteti, feja, etniciteti, Europa dhe Ballkani, për të rinjtë e Bosnjës më të rëndësishme janë familja dhe shokët, kurse më pak i rëndësishëm është termi “Ballkan”.
Për boshnjakët, kontekste që ngjallin përkatësinë dhe identitetet sociale janë festat fetare, qëndrimi jashtë vendit, sporti, muzika. “Ndjehem musliman gjatë festave fetare ose gjatë lutjeve.” (mashkull, 19-vjeçar, student, Sarajevë) “Ndjehem qytetar i Bosnjës kryesisht kur e braktis vendin.” (mashkull, 22-vjeçar, anëtar i një partie politike) “Serbizmin tim e ndjej kryesisht në sport…” (femër, e punësuar, me shkollë të mesme, Banja Llukë) “…Në një mënyrë, të gjithë ishim krenarë si serbë [gjatë interpretimit të këngës që fitoi Eurosongun]…” (mashkull, 23-vjeçar, i papunë, i diplomuar, Banja Llukë)
Binom dominant i korrelacionit mes tre elementeve (shtetësia, etniciteti dhe feja) është ai etniciteti-feja, më i theksuar te serbët sesa te boshnjakët e rinj, pastaj ai shtetësia-feja (më i fortë te boshnjakët sesa te serbët). Serbët kanë ndjenjë të dobët për shtetësinë e Bosnjë-Hercegovinës, kurse boshnjakët këtë e kanë element më të fortë të identifikimit. Në fund, prof. Turjaçanin theksoi se esencializimi i identiteteve politike e bën politikën më pak tolerante, e se çështja kryesore është si të depolitizohen identitetet sociale.
Segmenti serb i këtij projekti titullohej, “Identitetet sociale të të rinjve në Serbi: Perspektivat minoritare dhe mazhoritare”. Serbia ka një histori të afërt konfliktuale dhe turbulente, kurse sot synon krijimin e një shoqërie inkluzive, të integruar në Europë (Žeželj et.al., 2016). “Kurdo që ka ndeshje futbolli në Beograd, përreth xhamisë Bajrakli ka policë të armatosur,” ishin fjalët fillestare të përfaqësuesit të ekipit nga Universiteti i Beogradit. Pra, faktografia thotë se ende në këtë vend ka ndasi të thella etnike dhe fetare, se grupet minoritare nuk janë të integruara si duhet dhe janë të privuara nga aksesi te burimet shoqërore.
Nga kampioni i këtij studimi është konstatuar se kompleksiteti i identitetit social (që nënkupton pleksjen mes brendagrupeve nacionale-etnike-fetare) është më i fortë te boshnjakët (si në Novi Pazar, 6.15, ashtu edhe në Beograd, 6.06), kurse është më i ulët te serbët e Novi Pazarit (3.88). Një konstatim tjetër ishte edhe ai se identifikimet e forta etnike dhe fetare shpien te identitete më pak inkluzive. Lidhur me rëndësinë e identiteteve sociale, një respondent ka thënë se përkatësia nënkupton kufijtë, dhe, “sikur të mos kishte kufij, gjithçka do të shkrihej dhe të gjithë do të ishim përzier” (femër, 21-vjeçare, studente, Beograd).
Për një 30-vjeçare të papunë nga kryeqyteti serb, përkatësia është njëfarë mekanizmi mbrojtës: “Mos më sulmo mua dhe timen! Traditën, fenë, familjen.” Një boshnjake 24-vjeçare nga Sanxhaku, Novi Pazari, është shprehur se identiteti musliman nuk është vetëm çështje deklarimi, por një sistem i tërë i vlerave sociale, arsimore, dhe natyrisht, fetare, që shprehen përmes sjelljes, fjalëve dhe shumë aspekteve të tjera. Një student 27-vjeçar nga i njëjti qytet ka thënë se sa më e gjerë të jetë bashkësia e tij, aq më tepër mund t’i realizojnë të drejtat e tyre, kurse një tjetër ka theksuar rëndësinë e përfshirjes në Këshillin Nacional Boshnjak për të kuptuar pamundësinë për t’i jetësuar të drejtat që i takojnë si boshnjak. Por ka edhe zëra kritikë: “Viteve të fundit, me këmbëngulje theksoj se nuk jam as serb e as ortodoks… jam mërzitur me qëndrimin se ne jemi diçka e veçantë, zakonisht, më të mirët” (femër, 22-vjeçare, studente nga Beogradi), “Çdo nacionalist do të pohojë se e do atdheun e vet dhe se nuk i urren të tjerët, por kur të analizoni, do konstatoni se… në fakt të tjerët i vështroni përmes dylbive të vendit tuaj” (femër, 22-vjeçare, studente nga Beogradi), “E kam barrë mbi vete. Thjesht duhet të vendosësh je ky apo ai. Nëse je ky, e urren atë. Nëse je ai, e urren këtë. Unë nuk pajtohem me kësifarë pikëpamjesh!” (mashkull, 19-vjeçar, student, Novi Pazar), “Sepse të gjithë jemi njerëz, jemi të lumtur së bashku, dhe nuk duhet të ndahemi” (femër, 24-vjeçare, studente, Novi Pazar).
Profesoresha Jovanović dhe të tjerët konstatuan se, në kontekstin e Serbisë, popullata në shumicë ka identitet më pak kompleks, por më inkluziv, kurse ajo në pakicë, pasqyron një identitet më kompleks, por më pak inkluziv.
Ndër konkluzionet e përgjithshme ishin ato se të rinjtë janë të vetëdijshëm se në vendet e tyre ka praktika diskriminuese, se mediumet e reja janë mundësi për kapërcimin e pengesave fizike, se perceptimi i vetes dhe i të tjerëve është një gjë e konstruktuar nga shoqëria. Të rinjtë tregojnë shkallë të lartë të vetëdijes për burimet e stereotipave dhe për rolin e politikës në hapjen e hendeqeve mes njerëzve, se kontaktet afatgjata dhe përvojat e ndryshme janë rrugë për eliminimin e paragjykimeve. Ata sugjerojnë edukimin e prindërve në lidhje me transparencën dhe tolerancën, formimin e hapësirave publike të përbashkëta, shkëmbimet studentore, dhe dhënien e mundësive për diskutim dhe kuptim të perspektivave të ndryshme për të kaluarën, si një mënyrë për t’i ulur tensionet që i mbërthejnë marrëdhëniet ndëretnike në këto vende. /tesheshi.com/