Sëmundjet e sistemit kardiovaskular, goditja ishemike, diabeti dhe disa kancere të veçanta, të cilat deri vonë kanë qenë të zakonshme vetëm në vendet me të ardhura të larta, tani po bëhen burime dominuese të morbiditetit dhe vdekshmërisë në mbarë botën.
Studiuesit kanë ardhur në një përfundim të përgjithshëm se zvogëlimi i faktorëve të rrezikut të dietetikëve dhe të stresit të identifikuar, mund të parandalojë shumicën e rasteve të sëmundjeve kardiake, goditjes në tru, diabetit dhe shumë kancereve.
Këto gjetje janë shumë të rëndësishme sepse tregojnë se këto sëmundje nuk janë të pashmangshme në një shoqëri moderne. Për më tepër, ulja e shkallës së këtyre sëmundjeve mund të arrihet pa ilaçe ose trajtime të shtrenjta mjekësore. Megjithatë, parandalimi i këtyre sëmundjeve kërkon ndryshime në mënyrën e jetesës, që lidhen me pirjen e duhanit, aktivitetin fizik dhe dietën, sikurse edhe te investimet në arsimim, politika të ushqimit dhe infrastrukturën urbane.
Ndryshimet që rekomandohen në stilin e jetesës
Ndryshimet specifike në dietë dhe mënyrën e jetesës janë mbështetës të rëndësishëm në parandalimin, reduktimin dhe trajtimin e sëmundjeve kronike.
- Ushqimi jo i rregullt i konsumuar për periudhë kohore të shkurtër, nuk shkakton pasoja serioze për shëndetin e njeriut dhe në fillim nuk shkakton sëmundje funksionale, por më vonë ndodhin ndryshime organike dhe sëmundjet. Në veçanti, shpejt manifestohet deficiti i vitaminave, mineraleve, aminoacideve esenciale dhe acideve yndyrore të pa ngopura, të cilat organizmi nuk mund t’i sintetizojë. Në këtë rast dhe mund të paraqiten sëmundje të cilat ndahen në primare dhe sekondare.
Sëmundjet primare – që shkaktohen gjatë konsumit të zvogëluar të nutrienteve të nevojshëm ushqyes, urisë së plotë, shprehive të këqija në të ushqyer etj. Gjendje patologjike dhe sëmundje paraqiten edhe gjatë konsumit të pamjaftueshëm të mineraleve: anemi, hipotireoidoza, karies i dhëmbëve etj.
Sëmundjet sekondare – paraqiten kur në organizëm futet sasi e mjaftueshme e ushqimit dhe për shkak të sëmundjeve të organeve të sistemit të tretjes dhe organeve tjera, ai nuk mund të shfrytëzohet në mënyrë përkatëse.
- Shmangia e pirjes së duhanit është mënyra e vetme më e rëndësishme për të parandaluar sëmundjen dhe kancerin.
- Ruajtja peshës së shëndetshme – obeziteti po rritet me shpejtësi në mbarë botën.
Megjithëse indeksi i trupit (BMI) – 30 ose më i madh, ka marrë më shumë vëmendje se mbipesha (BMI 25-30), që zakonisht është edhe më e përhapur dhe gjithashtu përbën rreziqe të larta për shumë sëmundjeve. Për shembull, njerëzit mbipeshë përjetojnë ngritje dy deri në trefish të rrezikut për sëmundje të sistemit kardiovaskular dhe hipertensionit dhe rritje më shumë se dhjetëfish të rrezikut të diabetit të tipit 2, krahasuar me individët e dobët (BMI më pak se 23). Të dy palët, njerëzit me mbipeshë dhe obez, gjithashtu përjetojnë vdekshmëri të lartë nga kanceret e zorrës së trashë, kanceri i gjirit, veshkave, endometriumit etj. Kështu, një peshë e dëshirueshme për shumicën e njerëzve, duhet të jetë brenda intervalit BMI prej 18.5 për 25.0, dhe mundësisht më pak se 23.
Informacione shtesë të vlefshme mund të merren duke matur perimetrin e belit, i cili pasqyron akumulimin e yndyrës në bark. Në shumë studime, perimetri i belit është një parashikues i fortë i sëmundjeve kardiake dhe diabetit të tipit 2. Në këtë rast, kujdes të veçantë duhet t`i kushtohet edhe mënyrës së të ushqyerit dhe shprehive të këqija të të ushqyerit, të cilat provokojnë obezitetin.
Aktivitetit fizik ditor – jeta bashkëkohore në vendet e zhvilluara ka reduktuar dukshëm mundësitë e njerëzve për të shpenzuar energji, qoftë përmes lëvizjes nga vendi në vend, qoftë në mjedisin e punës ose në shtëpi. Reduktime dramatike në aktivitet fizik ndodhin gjithashtu si pasojë e urbanizimit, rritjes së mundësive të transportit të motorizuar, të cilët zëvendësojnë ecjen në këmbë dhe ngasjen me biçikleta. Megjithatë, aktiviteti fizik i rregullt është një element kyç në kontrollin e peshës dhe parandalimin e obezitetit.
Përveç rolit të saj të rëndësishëm në ruajtjen e një peshë të shëndetshme, aktiviteti i rregullt fizik ul rrezikun nga sëmundjet kardiovaskulare, goditjen në tru, diabetin tip 2, zorrës së trashë dhe kancerin e gjirit, fraktura osteoporotike, osteoarthritisin, depresionin etj. Përfitime të rëndësishme shëndetësore arrihen edhe me ecjen për gjysmë ore në ditë, por ulja më e madhe e rrezikut shihet me kohëzgjatje më të madhe të aktivitetit fizik dhe më intensiv.
Këshilla:
- Hani ushqim të shëndetshëm dhe të ekuilibruar. Ekspertët mjekësorë i kanë studiuar gjatë efektet e dietës në paraqitjen e rrezikut për sëmundjet kardiovaskulare, duke përfshirë dhe kanceret e veçanta, diabetin, kataraktet, degjenerimin makular, kolelitiasën, gurët e veshkave, sëmundjet dentare etj.
- Zëvendësoni yndyrat e ngopura dhe trans me yndyra të pangopura, duke përfshirë burimet e acideve yndyrore omega-3. Zëvendësimi i yndyrave të ngopura me yndyra të pasaturuara do të zvogëlojë rrezikun nga sëmundjet kardiovaskulare, duke zvogëluar kolesterolin e lipoproteinës së LDH në serum. Pavarësisht nga faktorë të tjerë të rrezikut, marrja më e lartë e yndyrës së ngopur dhe marrja më e ulët e yndyrës së pangopur rrit rrezikun e diabetit të tipit 2.
- Sigurimi i konsumit të frutave dhe perimeve dhe marrjes së duhur të acidit folik. Dëshmitë e forta sugjerojnë se marrja e lartë e frutave dhe perimeve, do të zvogëlojë rrezikun nga sëmundjet kardiovakulare si dhe sëmundjet tjera.
- Konsumimi i produkteve të drithërave në formën e kokrrave luan një rol të dyfishtë. Ato, përpos që kanë nivel të lartë të fibrave, posedojnë edhe vitamina dhe minerale. Konsumimi i fibrave nga produktet e drithërave, është shoqëruar vazhdimisht me rrezik më të ulët për diabet të tipit 2 dhe sëmundjeve kardiovaskulare. Së dyti, konsumimi i lartë i fibrave dietike, gjithashtu lehtëson kontrollin e peshës dhe ndihmon në parandalimin e kapsllëkut.
- Kufizoni konsumin e sheqerit dhe pijeve me bazë sheqeri. Sheqeri (sheqer i lirë i rafinuar nga kallami i sheqerit ose panxhar sheqeri dhe sheqerna të misrit të fruktozës së lartë) nuk ka vlerë ushqyese, përveç kalorive dhe prandaj ka implikime negative shëndetësore për ata persona me rrezik mbipeshe. Konsumi i lartë i sheqernave të rafinuara përkeqëson sindromën metabolike dhe shoqërohet me rrezik më të lartë të diabetit tip 2 si dhe sëmundjeve kardiovaskulare.
- Kufizoni marrjen e tepruar të kalorive nga çdo burim i ushqimit. Duke pasur parasysh rëndësinë e obezitetit dhe mbipeshës në shkaktimin e shumë sëmundjeve kronike, shmangia e konsumit të tepruar të energjisë nga çdo burim, është thellësisht i rëndësishëm. Për shkak se kaloritë e konsumuara si pije, janë më pak të rregulluara sesa kaloritë nga ushqimi i ngurtë, është veçanërisht e rëndësishme të kufizohet konsumi i pijeve me sheqer të rafinuar.
- Kufizoni sasinë e sodiumit. Parimi i justifikimit për kufizimin e natriumit, është efekti i saj në presionin e gjakut dhe një faktor i madh rreziku për sëmundjen e infarktit dhe sëmundjeve të zemrës. OBSH ka sugjeruar një limit maksimal prej 1.7 gramë natriumi në ditë (5 gram kripë në ditë).
Ushqimi i duhur është faktori bazë i rritjes dhe zhvillimit optimal të organizmit njerëzor dhe ndikon drejtpërdrejt në aftësinë e tij për punë si dhe jetëgjatësi. Dieta e parregullt është një faktor rreziku për shfaqjen e sëmundjeve të ndryshme. Dieta duhet të përputhet me stilin e jetës. Ju duhet të merrni një vendim në kohën e duhur për ushqimin e duhur biologjikisht, të pasuruar me të gjithë nutrientet e nevojshëm për shëndetin tuaj, i cili njëkohësisht mund të jetë një vakt, terapi, ilaç për trupin dhe bukurinë e trupit tuaj. Shpërblim nga kjo mund të jetë mbrojtja dhe mirëqenia e shëndetit, një trup i bukur dhe jetë më e gjatë.
Stili i jetesës së moderuar dhe aktiviteti fizik, krijojnë dhe ruajnë ekuilibrin trupor dhe shpirtëror, shëndetin e mirë trupor dhe mendor si dhe gjendjen e energjisë së trupit. /tesheshi.com/
*Autorja është konsulente për nutricion dhe dietologji: fb.com/nutricistedietologe