Shumica e njerëzve mendojnë se arritja më e madhe akademike dhe prestigjioze publike e njeriut është fitimi i Çmimit Nobel, duke e mitizuar skajshmërisht këtë çmim. Por sa prej nesh e dimë se këtë çmim e fituan edhe fashistët antishqiptarë?
Duke ditur që Nobelin e ka fituar Ivo Andrić më 1961, i njohur për elaboratin e tij për zhdukjen e shqiptarëve në Jugosllavi[𝟏] dhe Peter Handke më 2019, i njohur për mbështetjen që i dha regjimit të kasapit të Ballkanit – Millosheviq[𝟐], dy figura famëkeqe të historisë, ky çmim nuk më shtynë t’i lexoj fituesit e tij, ndonëse ka nobelistë shumë të mirë të letërsisë.
Autorët më të mirë që i kam lexuar dhe i lexoj çdo ditë janë jonobelistë, madje as ”best seller”, por janë margaritarë, mendjemprehtë që zgjerojnë imagjinatë, hapin horizonte të reja të mendimit kritik ndaj pushtetit dhe kontrollit, kultit dhe turmës, asimilimit dhe tjetërsimit, që thyejnë iluzione e mite dhe të shkarkojnë nga komplekset.
Më pëlqejnë autorët që ta shkundin besimin, që ta trazojnë mendimin, që ta sfidojnë argumentin, që t’i demaskojnë marrëzitë, që t’i zbulojnë idiotësitë, që ta çmontojnë inferioritetin, që ta çrrënjosin injorancën, që ta mundësojnë me pa botën ndryshe, por mbi të gjitha, që nuk të lajthitin nga e vërteta.
Më pëlqejnë autorë pa ngarkesa emocionale, pa paragjykime kulturore dhe pa premisa ideologjike; autorë që nuk shkruajnë klishe; autorë që nuk i karakterizon kiçi dhe plagjiati; autorë që nuk riciklojnë; autorë që kanë një stil ndryshe nga stilet e zakonshme; autorë që në shkrimet e tyre fshihen shumë vizione dhe parashikojnë të ardhmen; autorë që nuk ua bëjnë qejfin elitave dhe turmave; autorë që nuk përdorin ChatGPT, por krijojnë me imagjinatën e tyre. Mbi të gjitha, autorë që para se të jenë penda letrare, janë penda humane.
Prandaj unë lexoj i çliruar nga miti i “Nobelit” dhe nga miti i “autorëve sensacionalë”, kështu unë jam shumë i përmbushur.
Për mua, Akademia Suedeze dhe Fondacioni Nobel janë të dyshimta derisa ndajnë çmime për fashistë dhe kriminelë me faje dhe përgjegjësi historike dhe nuk i revokojnë ato, ashtu siç refuzuan ta respektojnë peticionin e 60,000 njerëzve që kërkuan revokimin e çmimit të Andrićit.[𝟑] Apo siç refuzuan thirrjen e Akademisë Shqiptare për Shkencë dhe Art në Republikën e Maqedonisë së Veriut, kryesuar nga sociologu prof. dr. Hasan Jashari.[𝟒]
Mos harroni, ka shumë autorë të jashtëzakonshëm në botë që nuk e kanë fituar këtë çmim dhe shumë prej tyre nuk do ta fitojnë në të ardhmen. Ka shumë autorë të ekskomunikuar poashtu të mirë.
Idiotët asnjëherë nuk na e mësuan të vërtetën! Por kush i mbolli farat origjinale?
Nëse mendoni që sociologjia ka filluar me Auguste Comten dhe teoritë ekonomike kanë filluar me Adam Smithin, Karl Marxin e David Ricardon, e keni shumë gabim.
A keni dëgjuar për Ibn Khaldunin dhe kryeveprën e tij markante “Mukaddime”?
Një emër i ekskomunikuar, por një nga mendjet më të mprehta të Qytetërimit Islam, i cili i përpunoi shumë kohë më parë konceptet me të cilat më vonë operuan autorët perëndimorë. Një ndër autorët më të spikatur të shkencave sociale dhe historisë kulturore, që sot elitat intelektuale inferiore nuk e përmendin, madje as në Departamentin e Sociologjisë të Universitetit të Prishtinës, ku unë studiova për 5 vite në periudhën (2012-2017), emri i tij nuk e gëzonte pozicionin që e meritonte. Ato syllabuse që nuk mbajnë emrin dhe veprën e tij, janë syllabuse shterpe. Ato salla ku ligjërohet për këto tema dhe nuk referohet Ibn Khalduni, janë atmosfera të zymta.
Nëse duhet të kujtojmë mendjet e thella të dijetarëve myslimanë, gjithsesi përmendim Ibn Khaldunin, Ibn Rrushdin (Averroes), Ibn Sinan (Avicenna), Al-Ghazaliun etj (emrat e të cilëve – Averroes dhe Avicenna – u evropianizuan dhunshëm). Lexoni mbi veprat e tyre, sepse do të mahniteni nga largpamësia e tyre.
Nuk mund të kuptojmë se si ngritet dhe bie një qytetërim, në natyrën ciklike historike, nëse nuk kalojmë kah mendimet e thella të Ibn Khaldunit, i cili jetoi në një kohë shumë të trazuar. Historianët që e injorojnë Ibn Khaldunin janë vetëm demagogë tru-shpëlarë. Mjerë fëmijët tanë nëse do ta mësojnë historinë prej tyre.
A e dini që Ibn Khalduni në shek. XIV ka analizuar dhe shkruar për ekonominë e tregut të lirë, përkatësisht për ofertën, kërkesën, konsumin, koston, mbivlerën, prodhimin, fitimin, të ardhurat, ndarjen e punës, uljen e taksave për bizneset, akumulimin e kapitalit, rritjen e produktivitetit, shkëmbimin e produkteve në tregje të mëdha etj? Kështu argumenton Ibrahim M. Oweiss, në punimin e tij “Ibn Khaldun, the Father of Economics”, një ekonomist amerikan me origjinë egjiptiane, këshilltar ekonomik ndërkombëtar dhe profesor i ekonomisë në Universitetin Georgetown në Uashington, D.C.
Ai ka folur edhe për ndikimin e mjedisit në zhvillimin social, për dialektikën ndërmjet jetës urbane dhe jetës rurale, egoizmin dhe solidaritetin. Ibn Khalduni duhet të admirohet edhe nga gjeografët e antropologët.
Ibn Khalduni është shumë më multidimensional, shumë më origjinal, shumë më elokuent në stilin e trajtimit, se që mund ta përshkruajë vogëlsia ime.
Ibn Khalduni ishte inspirues i hatashëm i autorëve dhe intelektualëve që i takonte. Kontributeve të tij ekonomike, sociologjike dhe historike u janë ekspozuar shekuj më vonë shumë emra perëndimorë që vodhën punën e tij dhe mohuan meritat e tij. Pra, farat origjinale i mbolli Ibn Khalduni, babai i sociologjisë.
Është mëkat nëse studentët e sociologjisë, ekonomisë e historisë diplomojnë sot dhe nuk e njohin Ibn Khaldunin. Më mirë le t’i hudhin ato diploma! E ata profesorë të “syllabuseve shterpe”, më mirë t’i heqin ata tituj akademikë! Kompleksi i inferioritetit po ua zë frymën.
Ka edhe autorë të mirë ndaj të cilëve është bërë edhe gjenocid kulturor, pra u janë djegur librat. Ka shumë libra të mira që institucionet publike kanë refuzuar t’i botojnë. Mungesa e Nobelit nuk i bën autorët më pak cilësorë.
Këtu gjeni versionin e elaboratit të Ivo Andrićit, të shkruar në vitin 1939, që sot ruhet në Arkivin e Serbisë, i publikuar për herë të parë më 1977 nga historiani kroat Bogdan Krizman, në anglisht[𝟓] ose në serbisht[𝟔].
Andrić i takonte shkollës së mendimit ideologjik të Vasa Čubrilovićit, poashtu një nga monstrumet më kriminale akademike të shek. XX, i njohur për elaboratin famëkeq “Isterivanje Arnauta” (Dëbimi i shqiptarëve), përmes të cilit u dëbuan dhunshëm qindra-mijëra shqiptarë nga trojet e tyre për në Turqi (marrëveshja ndërmjet Kyprillisë në Turqi dhe Titos në Jugosllavi).
Për ta njohur më mirë Ivo Andrićin, lexoni edhe këto dy vepra: “Death of Colony”, nga sociologu prof. dr. Ibrahim Berisha[𝟕], dhe “Gathering Clouds: The Roots of Ethnic Cleansing in Kosovo and Macedonia – Early Twentieth-Century Documents (Albanian Studies)”, nga Robert Elsie[𝟖].
[𝟏] The Nobel Prize in Literature 1961, Ivo Andrić, Facts, https://www.nobelprize.org/prizes/literature/1961/andric/facts/
[𝟐] The Nobel Prize in Literature 2019, Peter Handke, Facts,
https://www.nobelprize.org/prizes/literature/2019/handke/facts/
[𝟑] Alison Flood, “”Ignorant questions”: Nobel winner Peter Handke refuses to address controversy”, The Guardian, 2019, https://www.theguardian.com/books/2019/dec/06/peter-handke-questions-nobel-prize-literature-milosevic
[𝟒] Akademia Shqiptare për Shkencë dhe Art në RMV, “Ivo Andriqit t’i merret çmimi ‘Nobel’ për letërsi”, Koha, 2023, https://www.koha.net/shtojca-kulture/ivo-andriqit-ti-merret-cmimi-nobel-per-letersi
[𝟓] “Ivo Andric, Draft on Albania”, Albanian History, 1939, http://www.albanianhistory.net/1939_Andric/index.html
[𝟔] Bogdan Krizman, “Elaborat dra Ive Andrića o Albaniji iz 1939. Godine”, https://hrcak.srce.hr/file/319730
[𝟕] “Libri i Ibrahim Berishës ”Death of Colony” botohet në SHBA”, Koha, 2019, https://www.koha.net/kulture/libri-i-ibrahim-berishes-death-of-colony-botohet-ne-shba
[𝟖] Robert Elsie, “Gathering CloudsThe Roots of Ethnic Cleansingin Kosovo and Macedonia, Centre for Albanian Studies”, London 2015, http://books.elsie.de/b075_gathering-clouds/