Intervistoi: Shkëlzen Rrecaj
Po afron 8-vjetori i Pavarësisë, një fjalë e madhe për Kosovën, një fjalë e larë me gjak, por që realiteti i gjërave e ka zvogëluar vit pas viti. Një krizë e pazakontë politike, por dhe një situatë ekonomike dhe sociale hiç e mbrothët, ia ka hequr 17 shkurtit atë drithërrimën e bukur emocionale; dhe jo thjesht për faktin se opozita ka vendosur ta shndërrojë në protestë; porse NEWBORN-in ndihet vërtet i plagosur nga të goditurat brinjë më brinjë të korrupsionit, politikës amorfe, dëshpërimit social. Për të gjithë këto, është profesori i sociaologjisë, Gëzim Selaci, ai që komenton, zbërthen, analizon, atë çfarë Kosova po kalon, për mirë a për keq…
Po bëhen tetë vjet që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës. Sipas jush cilat janë sukseset dhe dështimet e shtetit më të ri të Europës?
Suksesi më i madh i pavarësisë së Kosovës është ndarja formale nga Serbia kolonizuese e diskriminuese ndaj shqiptarëve dhe të tjerëve. Edhe sukseset e tjera janë kryesisht në rrafshin formal, domethënë të themelimit të institucioneve demokratike dhe të sundimit të ligjit. Numërimin e sukseseve tjera po ua lëmë politikanëve, se ata nuk kursejnë në numërimin e tyre, që është në rregull deri këtu, por edhe të dështimeve që i paraqesin si suksese.
Mirëpo, na e dijmë se në të vërtetë demokraci nuk ka dhe se ligji nuk vlen njëjtë për të gjithë. Kjo po e rrënon dimensionin shoqëror të ndërtimit të institucioneve të shtetit dhe vetë shtetit pra: besueshmërinë tek shteti, identifikimin me të, pranimin e tij, obligimet ndaj tij dhe vetë legjitimitetin e shtetit. Ky është mendoj, dështimi më i madh.
Veç kësaj, pritshmëritë kanë qenë të mëdha, me apo pa të drejtë. Sidoqoftë, as pritshmëritë më modeste nuk janë realizuar: shteti nuk ka siguruar zhvillim ekonomik, as punësim, as mirëqenie sociale, as arsimim, as shëndetësi të përshtatshme dhe të mjaftueshme. Shteti është reduktuar në një organizatë burokratike përmes së cilës klasa politike ka ndarë pushtetin politik me forcat ndërkombëtare dhe sundon vetë dhe për vete, ndërsa të sunduarit janë veçse numra që duhen për vota dhe për t’u thirr në ta kur retorikës politike i duhet “përkrahja e popullit” dhe “legjitimiteti demokratik”.
Megjithatë, vendi vazhdon të ketë prani të madhe ndërkombëtare. Përse Kosova nuk është e gatshme të ecë para pa ndërkombëtarët?
Marrëdhënia ndërmjet “ndërkombëtarëve” dhe klasës tonë politike është problematike në disa aspekte. Ndërkombëtarët i janë qasur projektit të ndërtimit të institucioneve vetëqeverisëse dhe të shtetit të Kosovës me logjikën e pedagogjisë politike, ku politikanët kosovarë duhet t’u binden udhëzimeve të ndërkombëtarëve dhe duke e parë ndërtimin e institucioneve nga jashtë me anë të intervenimeve sikur demokracia të mund të importohej në një shoqëri. Kështu, tutela ndërkombëtare ka hapë një hendek ndërmjet popullit dhe politikanëve, popullit dhe institucioneve të shtetit. Kjo qasje ka çuar në një situatë kur as klasa politike e as institucionet e këtilla nuk mund të qëndrojnë pa përkrahjen ndërkombëtare, sepse nuk kanë themele të tjera mbi të cilat do të mund të qëndronin.
Hëpërhë vendi është katandisur në një krizë të thellë institucionale. As pushteti e as opozita nuk lëshojnë pe prej qëndrimeve të betonuara. Cili është propozimi juaj për dalje nga kjo gjendje?
Unë kisha dëshiruar të ishte një krizë, sepse në krizë mendohet për zgjidhje. Veçse, kriza institucionale mund të mos jetë një krizë reale, por një maskaradë e politikanëve për interesa të ngushta të tyre. Fundja, kriza nuk është fundi i botës, por mund të jetë fillim i diçkaje të re. Propozimi im kishte me qenë që zgjidhje të mos kërkohet brenda kontrurave të njëjta të politikbërjes, por të kërkohet një kontratë e re shoqërore që vë themelet e një marrëdhënie të re ndërmjet popullit dhe politikanëve, më të përgjegjshme, më llogaridhënëse
A mendoni se zgjedhjet e jashtëzakonshme do të mund të prodhonin risi në skenën tonë politike?
Ndoshta, por ndryshimet në skenë nuk janë të rëndësishme. Ajo çfarë na duhet janë ndryshime në prapaskenë. Aty ku vërtet bëhet politika. Nga prapaskena duhet të largohen forcat jodemokratike, pra jopërgjegjëse e jollogaridhënëse ndaj popullit: forcat parapolitike e militante, ambasadorët, kapitalistët, e të ngjashëm. Vetëm atëherë, zgjedhjet dhe ndryshimet e pushtetit politik kishin me pas kuptim.
Ju si studiues jeni i njohur edhe në vlerësimin e opinionit publik. Në pjesë e mirë e popullatës përfshirë këtu intelektualët janë pothuajse krejtësisht indiferentë ndaj zhvillimeve në vend. Përse vjen deri te kjo gjendje?
Përkundrazi, mendoj se janë mjaft të interesuar për zhvillimet politike. E saktë, një pjesë e njerëzve heshtin. Heshtin edhe intelektualët. Por kjo nuk domethënë se janë indiferentë. Përkundrazi, janë të interesuar. Por, të interesuar për ruajtjen e statusquosë, domethënë gjendjes së tanishme politike, shoqërore e kulturore, sepse ju leverdis kështu dhe frikësohen se ndryshimet do t’i privojnë nga privilegjet e pamerituara që i gëzojnë. Por, intelektuali i vërtetë nuk hesht, nuk mund të jetë indiferent ndaj shtypësve dhe shfrytëzuesve. Pa dashtë me i dhënë rol më të madh se sa që e ka, sipas përkufizimit të fjalës, një intelektual është kritik pushtetit dhe në anën e vegjëlisë.
Përderisa pjesa e tjetër jeton në gjendje të vështirë ekonomike dhe përballet me papunësi, izolim dhe humbje të shpresës. A prisni shpërthim të kësaj gjendje në formën e trazirave sociale?
Kjo gjendje po rezulton në çrregullime të ndryshme shoqërore e kulturore. Kemi parë edhe trazira. Unë ato i shoh si revoltë ose rebelim ndaj establishmentit shoqëror që kontrollon politikën, ekonominë, mediat, opinionin publik, etj. Kjo është simptomë e një gjendjeje. Gjendja duhet të ndryshojë, por ajo nuk mund të ndryshohet vetëm me revolta…
Sa respektohen të drejtat e njeriut në Kosovë? A ka në të vërtetë demokraci në këtë vend apo kemi të bëjmë me një klishe të politikanëve që Kosova është shtet demokratik dhe të gjithë janë të barabartë para ligjit?
Ka probleme serioze për sa i përket respektimit të drejtave të njeriut. Dhe për ta konkluduar këtë, nuk na duhet t’i referohemi raporteve të organizatave monitoruese e të ngjashme. Si qytetarë që jetojmë në këtë shoqëri, shkelja e të drejtave të njeriut është përditshmëri e jona. Sa për ilustrim, mjafton vetëm të mendojmë për një gjë dhe të ndalemi me kaq: për çfarë të drejta e jete të dinjitetshme mund të flasim, kur ka varfëri dhe nuk ka barazi para ligjit?!
Komb “kosovar” apo “shqiptar”!A është në rrezik identiteti i shqiptarëve duke bërë dallime të tilla?
Nëse shteti i Kosovës në një afat më të gjatë do të ketë sukses në krijimin e një shoqërie ose qytetarie, atëherë mundet që të lind edhe “kombi kosovar”. Pra mundet, por kjo varet prej kushteve objektive, domethënë zhvillimit ekonomik e shoqëror. Kombi nuk ka me lind si rezultat i vullnetit të ndonjë të vetëshpalluri “profet i kombit”. Ndërsa kjo “çështja”që është ngritur “komb kosovar” ose “komb shqiptar” më duket i stërmadhuar dhe i panevojshëm, së paku tash për tash.
Në këtë përvjetor të Pavarësisë, opozita ka zgjedhur të protestojë kundër qeverisë. Cili është komenti i juaj për këtë?
Protestat janë të rëndësishme. Kishte me qenë shqetësuese nëse nuk kishte me pasë protesta. Por, kisha dashtë të shohë ma shumë protesta popullore ku agjenda, kundërshtimi e kërkesat nuk do të artikuloheshin nga partitë politike e as nga ndonjë organizatë burokratike. Nuk e besoj se kemi nevojë që partitë me na tregu se për çfarë duhet me protestu e ato me i organizu protestat. Mund të jetë që partitë janë më efikase në logjistikë, në organizmin dhe mobilizimin e njerëzve, por nuk pres që protesta të këtilla kanë me sjellë ndryshime në të mirë të qytetarëve. Por, në botë nuk ka rrethana ideale, apo jo? Protestat janë të mirëseardhura, sidoqoftë. Por, duhet të dihet se çfarë mund të presim prej tyre e çfarë jo. /tesheshi.com/