Nga Blendi Gashi
Në fakt, ishte gjysma e tetorit muaji i Alida Hiskut, këngëtares së shquar shqiptare të viteve 70-
80, e cila trazoi opinionin me disa dëshmi të saj të tipit thriller erotiko-politik për vitet gjatë së cilës vuajti persekucionin komunist si një e dënuar nga diktatura. Por në repertorin e saj artistik, është një këngë e titullua Nëntori i Lirisë, e ideologjizuar pa dyshim në funksion të komunizmit, ku ngjarje të mëdha kombëtare u përshkuan nga filli i kuq i sistemit:
…na zjen kraharori
na qeshin buzë e sy
nga dritë e partisë në marrim jetë e krah
nëntori i lirisë sa lart u ngrite, lart
ditë më të bukura nga ditët
kënga që rritet e rritet
jeta nëntor pas nëntori
vallen e shqipeve morri
shqipe përballë çdo furtune
shqipe përballë çdo bllokade
hedh t`i gjithmonë valle pune
hedh t`i gjithmonë vallë shpate…
Por jo pse e thotë kënga, vërtet që nëntori është bartës i disa datave të shënuara, në krye të së cilave qëndron 28-ta e flamurit.
Zahir Pajaziti, Adem Jashari, UÇK-ja, Pavarësia, Kongresi i Manastirit, çlirimi i Shqipwrisw…
Eshtë ditëlindja e komandantit të UÇK-së dhe Heroit të Kosovës, Zahir Pajaziti. U lind më 1 nëntor të vitit 1962 në fshatin Turuqicë të Podujevës, ndërsa ra dëshmor më 31 janar të vitit 1997 në Pestovë të Vushtrrisë.
Dhe në kuadër të kësaj dite e date, kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli, tha:
“Nëntori nuk është vetëm muaji i fitoreve të mëdha historike, muaji i rënieve të atyre që jetën ia kushtuan kauzës së lirisë, por edhe muaji i ditëlindjeve të mëdha, sikurse është ditëlindja e militantit të pashoq të UÇK-së, Zahir Pajaziti. Nderim të përjetshëm veprës së tij dhe të gjithë atyre që jetuan, punuan dhe ranë për Kosovën e lirë!”, ka thënë ai.
Po në nëntor, konkretisht në 28 nëntorin e vitit 1955 lindi djali i dytë i mësuesit Shaban Jashari, i cili punoi me përkushtim në luftën kundër analfabetizmit, djali i tij dhe i tërë Kosovës, komandanti legjendar Adem Jashari.
Data e 28 nëntor ëshë edhe data e shfaqjes së ushtrisë sonë më të lavdishme nëpër shekuj: Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës , e cila lindi si një rreze shprese.
Ishte treshja e këtij formacioni, Rexhep Selimi, Daut Haradinaj dhe dëshmori Mujë Krasniqi, ata që më 28 nëntor të 1997-së, në fshatin Llaushë të Skënderajt kanë dalë për herë të parë para opinionit publik si pjesëtarë të UÇK-së. Kjo ndodhi dy ditë pas rënies heroike të familjes Jashari në Prekaz, dhe pas sulmeve guerile në Vojnik.
Është muaji i themelimit të alfabetit të njësuar të gjuhës shqipe. Kongresi i Manastirit u mbajt më 14 nëntor – 22 nëntor 1908.
Në kongres ishin të pranishëm 160 delegatë, të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë, si dhe nga komunitetet shqiptare në Rumani, Itali, Greqi, Turqi, Egjipt, Amerikë etj. Kryetar i Kongresit u zgjodh Gjergj Fishta.Gjergj Fishta ishte një nga luftëtaret me te mëdhenj te popullit shqiptar.
Siç është e njohur tek mbarë shqiptarët, në nëntor është data e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, kur me 28 të 1912-ës, Ismail Qemali shpalli Shqipërinë shtet të pavarur e sovran.
Në nëntor janë dhe dy data të tjera, por që janë bërë “mollë sherri” për politikën shqiptare: 28-ta dhe 29-ta, për atë se në cilën prej këtyre dy datave u çlirua Shqipëria, a më saktë iku gjermani i fundit. Gjithsesi, le të mjaftohemi me faktin se po në nëntor u çlirua dhe Shqipëria nga pushtuesi nazist. /tesheshi.com/