Nr. 2 i PDK-së, Rexhep Hoti, i ka dërguar një letër të hapur presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, lidhur me qëndrimet dhe angazhimet e tij kundër anëtarësimit të Kosovës në Interpol dhe UNESCO.
Hoti ia ka bërë me dije Vuçiçit se skena politike në Kosovë ka ndryshuar me opozitën e fuqishme të Vetëvendosje-s dhe LDK-së, dhe se ai më nuk do të mund t’i qaset me hipokrizi dialogut në Bruksel, ashtu siç ka bërë deri më tani.
Letra e Hotit për Vuçiçin:
Zotëri President i Serbisë,
Kur folët për mosaplikimin e Kosovës në UNESCO, ndër të tjera thatë:
“Unë jam kujdesur gjithmonë për një gjë të tillë dhe kam folur saktë për të vërtetën se kush e ka shumicën për UNESCO”, si dhe: “Unë mendoj se kjo nuk do të kalojë edhe pas dy vitesh të tjera”, duke shtuar se Serbia do të jetë vigjilente dhe do të vazhdojë luftën që Kosova të mos anëtarësohet në UNESCO…
Mburrja dhe krenaria juaj për t’iu gëzuar të keqes që po vazhdoni t’ia bëni shtetit dhe popullit të Republikës së Kosovës, pavarësisht se kuptimi i saj mund të përthyhet nga perspektivat nga kundrohet kjo qasje, nuk mund të anashkalohet vetëm si një mesazh i fuqishëm negativ dhe i zymtë që po e përhapni gjithandej, edhe në arenën ndërkombëtare, si një virus i mbetjes së hegjemonizmit të dikurshëm dhe të sotëm të shtetit serb.
Ju, zotëri President, po i gëzoheni të keqes që po ia shkaktoni Republikës së Kosovës, dhe e cila “e keqe” qenka e mirë për shtetin dhe popullin tuaj.
Më lejoni t’ju sfidoj që në fillim fare shkurt: Nuk mund të ekzistojë asnjë e dhënë edhe në interesin e taborit serb me një logjikë të tillë.
Nuk është e mundur të besohet në logjikën ndërshtetërore të gjërave dhe proceset me të cilat synohet që Kosova dhe Serbia t’i normalizojnë marrëdhëniet, por që e keqja të cilën ju ia bëni Kosovës të jetë e mirë për Serbinë!
Në qershor të vitit 2005 pata shkruar se sovraniteti i Kosovës e liron Serbinë.
Kjo është e vërteta e thjeshtë, zotëri President, në qoftë se Kosova në këtë rast kuptohet ashtu siç është në të vërtetë, një vend i mbushur me popullin e vet që e ka e jo si një vend, siç e dëshironte hegjemonizmi serb gjithnjë dhe vazhdimisht nder shekuj, të zbrazur prej shqiptarëve, apo sot të copëtuar.
Ky realitet konceptual, për të mos thënë doktrinar, e jo vetëm jetësor, është i tillë dhe mendoj se është i denjë për një ballafaqim publik. Pesha e filozofisë publike që do të rridhte nga debatet e tilla do të ishte me interes për opsionin e helmuar serb me shekuj në raport me Kosovën, me identitetin, me trashëgiminë shpirtërore, kulturore, etnike dhe kombëtare.
Në kuptimin e natyrës politike të “normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve”, Republika e Kosovës ishte minierë e arit për perspektivën e Republikës së Serbisë:a. Në kuptimin e integrimeve euroatlantike;b. Në kuptimin e mundësisë së ruajtjes dhe lidhjes së saj speciale me Rusinë në të njëjtën kohë;c. Në kuptimin e mundësisë së perspektivës për zhvillim të shpejtuar e të fuqishëm ekonomik;d. Në kuptimin e perspektivës së ruajtjes dhe të avancimit të komunitetit joshumicë serb në Republikën e Kosovës, të trashëgimisë së tij fetare e kulturore dhe jo vetëm.
Pavarësisht se nuk do t’i shtjellojmë këto katër pika, nuk ka dyshim se mendimi analitik serb i kohës së sotme e ka të njohur strategjinë e kësaj perspektive.Në anën tjetër, po që se e shohim postin tuaj aktual në lidhshmëri me të kaluarën tuaj paramilitare me Vojsllav Sheshelin, atëherë gjithçka qartësohet edhe në perspektivën e kohës së ardhme, pavarësisht çfarë jeni dhe çfarë përgjegjësi kushtetuese keni.
Mirëpo, po që se e shohim pozicionin tuaj si një mundësi reale të një komunikimi ndërmjet të dyja vendeve tona, atëherë normalizimi i marrëdhënieve nuk mund të bëhet me buzëqeshjen tuaj cinike dhe të qeverisë së shtetit që përfaqësoni, me zemërgjerësi të neokolonializmit serb, e aq më pak me politikën e strategjisë së ruajtjes së “sëpatës nën jastëk për t’iu prerë kokat shqiptarëve”.
Zotëri President,
Përse po na pengoni për të jetuar të lirë e të barabartë në gjirin e familjes së shteteve dhe organizatave të ndryshme ndërkombëtare, nga ato për siguri e deri te ato për kulturë, arsim e trashëgimi?!
Përse e dëshironi një Republikë të Kosovës të izoluar, të varfër, pa perspektivë, në fund të fundit?!
Çfarë përfitoni ju prej gjithë kësaj të keqeje, çfarë përfiton populli serb, çfarë përfiton komuniteti serb në Kosovë, çfarë përfiton Kisha Ortodokse Serbe në Kosovë, e çfarë përfiton trashëgimia shpirtërore e kulturore serbe, përveç të dhënës së kuptueshme se ia dëshiruakeni të keqen popullit shqiptar të Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi?!
Ju e patët Kosovën për një shekull dhe nuk e rregulluat dot këtë raport!
Ju, as në kohën e diktatorit pushtues Sllobodan Millosheviq, nuk keni pasur koncept, ide a vizion çfarë të bëni me Kosovën, pos zhbërjes së saj.Por, ajo që e ndëshkon edhe më shumë perspektivën e Republikës së Kosovës, e jo vetëm qëndrimi dhe veprimi i drejtpërdrejtë i juaj dhe i shtetit tuaj, është se:
E para, duhet të pranohet e vërteta se establishmenti i Republikës së Kosovës, pa e përjashtuar në këtë drejtim as të ashtuquajturin “krahun e fortë në politikë”, edhe si shkollë, edhe si mentalitet, e edhe si shërbim, ndërmarrësi e interes, në një pjesë të konsiderueshme të tij është krijesë e politikave koloniale dhe neokoloniale.
Kjo, në segmente të caktuara, e bën të zymtë dritën nëpër të cilën shihet e ardhmja e Kosovës. Prandaj, ju keni suksese të kohëpaskohshme, me qëllimin e keq për Kosovën, edhe në kuadër të faktorit tonë të brendshëm e edhe të faktorit të jashtëm.
E dyta, suksesi juaj për t’ia imponuar faktorit ndërkombëtar Gjykatën Speciale për Kosovën për krimet e mundshme prej individëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nëpërmjet organizatave europiane ku pesha e votës së shteteve sllave dhe e Rusisë është përcaktuese, i ka dhënë efektet e veta para se të fillojë nga puna kjo gjykatë. Krerët e establishmentit të Republikës së Kosovës kanë treguar frikë të hapur dhe kjo nuk mund të mos ketë edhe “dobësi” në perspektivën e proceseve politike në përgjithësi.
Në anën tjetër, është e kuptueshme e dhëna se Republika e Kosovës nuk mund të mos dëshmonte aftësi për t’u përballur me dyshimet e ngritura për një tryezë të një drejtësie, për të cilat “dyshime” kishin punuar institucione të tëra të Serbisë, si dhe i gjithë mekanizmi i saj i dukshëm e i padukshëm në Kosovë.
Ky proces do të marrë kohë zotëri President, por të gjitha të dhënat e mundshme flasin se përfundimi i saj do ta fuqizojë shtetësinë dhe storien se Republika e Kosovës ishte dhe është një projekt i suksesshëm i popullit të Kosovës dhe aleatëve të saj perëndimorë, në krye me SHBA-të, dhe se ky shtet është funksional në plotësinë e vet e nuk ndërtohet mbi identitet të rrejshëm a në kundërshtim me të Drejtën Ndërkombëtare, siç është dëshmuar tashmë.
E treta, duke kërkuar që të nxirrni të mira pa fund prej pavarësisë së Kosovës për Serbinë dhe për komunitetin joshumicë serb në Kosovë nëpërmjet strategjisë “e keqja për Kosovën dhe shqiptarët e komunitetet tjera atje, kurse e mira vetëm për Serbinë dhe serbët”, ju e keni nxitur frymëzimin e brezit të ri të Republikës së Kosovës, me vite e vite pas luftës, i cili është duke ndërtuar politika të thjeshta e pa ekuivokë në raport me ish-pushtuesin.
Kjo do të thotë, zotëri President, se dialogu nuk do të mund të vazhdojë më sikurse deri më tash.
Kryefjala e dialogut është tashmë opozita e vendit, e cila fillon me Lëvizjen Vetëvendosje dhe me Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Pavarësisht se edhe mund t’i keni njerëz të përshtatshëm për ju brenda këtyre partive politike, e para (LVV) ka respekt për Serbinë si kundërshtar, por nuk ka frikë, është e arsimuar, me qytetërim Perëndimor ekskluziv dhe e përgatitur çfarë dhe si të dialogojë me ju, kurse e dyta (LDK) ka një mendje aq të durueshme sa Serbia nuk ka moshë për ta pritur dhe për të jetuar aq gjatë as si republikë në raport me fuqinë e saj.
Zotëri President, nuk do të keni më punë me njerëz të Kosovës që “mirësinë, sjelljen dhe veprimin” e kanë pasur detyrim ndaj jush në Bruksel a gjetiu.
Njerëzit që do ta bëjnë dialogun me ju janë njerëz që do t’ju kërkojnë llogari për gjenocidin dhe krimet që i keni bërë ndaj popullit, vendit dhe ekonomisë së Kosovës në radhë të parë. Dhe këta njerëz nuk janë njerëz që mund t’i shantazhoni në asnjë formë. Dhe më shumë se kaq.
Më pas, normalizimi.
Ju do ta kuptoni me kohë se dialogu i ardhshëm do të drejtohet prej njerëzve që janë vërtet në shërbim të atdheut dhe të civilizimit Perëndimor.
Ju, zotëri President, duke e mbajtur të pushtuar ende një pjesë në veri të Kosovës, jeni duke llogaritur në një “pazar të favorshëm me Republikën e Kosovës për Serbinë”. Mendoj se kjo është pika e juaj më e dobët.
Njerëzit që do ta marrin dialogun tash e tutje, nuk do të lejojë më kurrë “Asociacion një-etnik” në Republikën e Kosovës.
Nuk ka më qeveri në Republikën e Kosovës që do të mund, ose do të guxojë, të nxjerr një dekret për “Asociacion një-etnik”.
Përgjigja përse kjo është kështu duhet të jetë relativisht e thjeshtë – klasa politike që ka mund ta bëjë këtë hap më nuk ka fuqi vendimmarrëse.
Duket se ai soj dhe ai shans është përdhosur dhe është përbuzur aq shumë prej jush sa nuk ka mbetur më e vlerë për askënd.
Mazhoranca aktuale edhe ashtu nuk ka peshë dhe nuk ka mundësi, sepse është mazhorancë e të gjitha pakicave dhe nuk mund të marrë asnjë vendim madhor pa opozitën dhe pa konsensusin politik në përgjithësi.
Zotëri President, mirëserdhët në gjeneratën e Lirisë së Republikës së Kosovës!
Ajo ju njeh vërtet ashtu siç jeni!
Të jeni të bindur se ashtu edhe do t’ju prezantojë në Bruksel, në Uashington a gjetiu.
Mund të duket krekosje, por kjo është gjenerata që do ta rikthejë funksionimin e drejtësisë edhe në shtetin e ndryshkur të Serbisë, e cila do të funksionalizojë të drejta për disa autonomi politike atje, dhe do të kontribuojë në humanizimin e të drejtës për pavarësi të ardhshme të Vojvodinës.
Edhe një herë: Mirë se vini në mijëvjeçarin e tretë të gjeneratës së shqiptarëve europianë të rritur e të shkolluar në Liri. /tesheshi.com/