Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Gazmend Abrashi, ka vlerësuar qëndrimin e kryetarit të Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, i cili ka kërkuar nga Vetëvendosje e LDK që brenda 10 ditësh të ofrojnë zgjidhje, ose ai do të shikojë opsione të tjera që e largojnë vendin nga kriza.
Sipas Abrashit, qëndrimi politik i Pacollit pro zgjidhjeve dhe jo bllokadave është dëshmuar edhe në të kaluarën.
“E vlerësoj qëndrimin e Behgjet Pacollit, i cili edhe në kohën kur u largua nga posti i Presidentit nuk pranoi t´a dërgojë vendin në zgjedhje, duke reflektuar përtej interesit personal.
Ai edhe tani po e dëshmon se është njeri i zgjidhjeve duke e vënë interesin e Kosovës në radhë të parë, pasi çdo ditë e kaluar pa krijimin e institucioneve, sjell humbje të pariparueshme për vendin tonë.
Afati 10 ditor i dhënë nga Pacolli, për gjetjen e zgjidhjes për formim të institucioneve, tregon se njerëzit që vijnë nga biznesi nuk e durojnë status-quon dhe se profili i tij ia mundëson të kuptojë më së miri sesa të mëdha janë humbjet ekonomike dhe sa shumë dëmtohet imazhi i vendit nga kjo zvarritje”, ka shkruar Abrashi.
Ai më tej thotë se vendi do të kishte institucionet, nëse e gjithë klasa politike do të reflektonte në këtë formë. /tesheshi.com/