Komisioneri Evropian për Zgjerimin dhe Politikën e Fqinjësisë, Oliver Varhelyi ka shprehur shpresën se Maqedonia Veriore do të fillojë bisedimet e pranimit me Bashkimin Evropian deri në fund të vitit.
Duke iu drejtuar eurodeputetëve, pas raporteve të përparimit të reformave në Ballkanin Perëndimor, ai tha se Maqedonia Veriore ka bërë përparim të qëndrueshëm në reformat, veçanërisht në fushat e sundimit të ligjit dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Diskutimet po vazhdojnë në Këshill për propozimin e kornizës negociatore dhe shpresoj që konferencat ndërqeveritare do të mbahen gjatë presidencës aktuale, nëse ato miratohen,” tha Varhelyi.
Në fillim të verës, Komisioni Evropian u paraqiti vendeve anëtare propozime për kornizat negociuese për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
Kushtet shtesë për Shqipërinë
Shtetet anëtare të BE do t’i miratojnë ato në nëntor, në përputhje me axhendën e presidencës gjermane, të ndryshuar.
Për Maqedoninë Veriore, problemi kryesor janë kërkesat e Bullgarisë për të shtuar elemente në lidhje me mosmarrëveshjet dypalëshe midis Shkupit dhe Sofjes, sipas MIA.
Nga ana tjetër, Shqipëria ka një numër kushtesh shtesë në lidhje me sundimin e ligjit, gjyqësorin, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Varhelyi tha se Tirana ka bërë përparim në reformat për BE në muajt e fundit, duke shtuar se ndarja e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në rrugën drejt BE do të ishte e gabuar. /tesheshi.com/