Opozita arriti të bllokojë rrugët nacionale për një orë në kuadër të protestës që ka nisur që më 18 shkurt.
Ish-kryeministri Sali Berisha, deklaroi në Facebook se revolucioni ia arriti qëllimit pasi bllokoi sipas tij “Republikën e narkotrafikut”.
I gjithë konteksti i bllokimit të rrugëve ishte për të treguar forcë njerëzore dhe potenciale përpara nisjes së negociatave që zhvillohen nesër në Tiranë ndërmjet Bashës dhe përfaqësuesve të Partisë Popullore Europiane, në fakt të dërguarit të Angela Merkelit, David Mcallister.
Kryetari i Komisionit të Politikës së Jashtme të Parlamentit Europian do të sjellë në Tiranë një dokument-draft me 12 pika ku mungojnë qeveria teknike dhe shtyrja e zgjedhjeve.
Ndaj dhe Basha përdori presionin e protestës së sotme.
Por realisht, ndërsa bllokimi i rrugëve nuk dihet se çfarë efekti politik ka sjellë, efekti i tij social ka qenë eksploziv.
Edhe dy orë pas protestës, pra pas largimit të PD-së, në dy akse të Tiranës, Zogun e Zi dhe Rrugën e Kavajës, trafiku ka qenë në kaos.
Ora e caktuar nga PD-ja ka rastisur me kthimin e turnit të parë të nxënësve të shkollës, që janë përgjthësisht fëmijë të klasave të Para, të Dyta dhe të Treta, pra të vegjël që udhëtojnë me furgonë, taksi apo makinat e prindërve; plus devijimi i rrugës nacionale që policia pa planifikim e bëri me shortcut, pra nga autostrada në rrugën e vjetër Tiranë-Durrës nëpërmjet Ndroqit, gjë që grumbulloi kamionë dhe autovetura në zonën e Kombinatit Ushqimor, duke sjellë një bllokim edhe më të gjatë.
Gjatë rrugës shikoje fëmijë të lodhur dhe makina që nxirrnin edhe tym nga rritja e temperaturës së motorit, duke sjellë kështu bllokim shtesë të trafikut.
Në zonën e Parkut të Autobusëve, tre autovetura, një Mercedes, një Fiat Punto dhe një Renault Megane pësuan defekt, duke mos pasur mundësi të lëviznin.
Devijimi ka qenë shumë i vështirë, edhe pse u angazhuan shumë vetë, ngaqë rruga ishte plot.
Pra sot udhëtimi në Tiranë nuk ka qenë thjesht një stress, sepse ajo ndodh përditë, por ka qenë një stërmundim që shkaktoi problem edhe tek qytetarët sidomos të vegjlit.
Bashkia e Tiranës që e ka për detyrë që të planifikonte dhe hartonte një plan rezervë as e vuri ujin në zjarr.
Siç duket planifikoi një përplasje të qytetarëve me protestuesit, por që është e pamundur, ngaqë qytetarët nuk janë palë por janë pjesë e lirë e jetës dhe nuk kanë ata një problem me PD-në, e ka qeveria dhe mazhoranca.
Ministria e Arsimit që e dinte që do të bllokoheshin rrugët, jo vetëm që nuk përgatiti gjë por e la ndoshta me vetëdije kaosin.
E kush u penalizua? Natyrisht qytetarët!
Në baret pranë Pallatit me Shigjeta gjeje plot qytetarë që kishin ndaluar makinat diku në kënd të rrugës dhe prisnin të hapet disi trafiku. Një grua që kishte marrë të birin nga një shkollë te zona e Bllokut dhe jetonte tek Unaza e Re turfullonte dhe tha se po i shkruante Lulzim Bashës në Facebook.
Nganjë tavolinë tjetër, dy të rinj thanë se i kanë shkruar kryetarit të PD-së në Facebook dhe shumë qytetarë po i bënin këtë.
Banakieri dibran, duke qeshur ua ktheu: “Pse nuk i thatë Lulit, aty e kishit?”.
“Auditori heshti dhe iu kthye rrjeteve sociale…
Pra, efekti që ka sjellë kjo protestë aspak konvencionale që në fakt e ka bërë edhe PS-ja në vitin 2011, padyshim që ka qenë irrituese dhe paralizoi një lëvizje jetike për njerëzit.
Por nëse kthehet në normalitet ky bllokim, atëherë sipas gjasave do të kemi një ndryshim të axhendës jo të politikës por jetës së paralizuar të njerëzve.
Ndoshta fëmijët nuk do të shkojnë në shkollë kur ka protesta, vizitat mjeksore do të shtyhen. Furnizimet nga rrethet do të pezullohen.
Efekti politik i një proteste gjithsesi varet nga fuqia e mesazhit që përcjell.
Mesazhi i sotëm ka qenë pak a shumë turbullues dhe jo shumë i qartë. /tesheshi.com/