Mes presidentit amerikan dhe udhëheqësit palestinez është zhvilluar biseda e parë telefonike që prej marrjes së drejtimit të SHBA-së nga Trump në javën e tretë të janarit.
Donald Trump e ftoi Mahmoud Abbas-in në Shtëpinë e Bardhë, në një bisedë që u përqendrua te konflikti izraelito-palestinez dhe te arritja e një marrëveshjeje paqeje.
Ftesën për një vizitë në “të ardhmen e afërt” e pohuan si Shtëpia e Bardhë, ashtu dhe zëdhënësi i Abbas-it, Nabil Abu Rudeina.
Trump mësohet t’i ketë thënë bashkëbiseduesit në telefon se një marrëveshje paqeje mund të negociohej drejtpërdrejt mes izraelitëve dhe palestinezëve, e se ka ardhur koha për të.
Në shkurt, Shtëpinë e Bardhë do ta vizitonte kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, ndërsa administrata e Trump-it parasheh dhe një zhvendosje të ambasadës së SHBA-së në Izrael nga Tel-Avivi në Jerusalem. /tesheshi.com/