Presidenti i pjesës turke të Qipros, Mustafa Akinci, ka deklaruar se brenda një viti mund të ketë një referendum për ribashkimin e ishullit.
Deklarata ka ardhur pas takimit më të fundit me homologun e palës greke, Nicos Anastasiades, të zhvilluar nën kryesimin e të dërguarit të posaçëm të OKB-së, Espen Barth Eide.
Mustafa Akinci tha se votuesit qipriotë turq dhe grekë mund t’u drejtohen kutive të votimit për një referendum pasi të kenë marrë trajtë të plotë hollësitë e një marrëveshjeje në muajt e parë të vitit të ardhshëm.
Palët kërkojnë ribashkimin e Qipros sipas një sistemi federal, ndërsa synimi është arritja e një zgjidhjeje politike para fundit të 2016-s.
Ishulli u nda mes grekëve dhe turqve pas ngjarjeve të vitit 1974, duke qenë shpesh burim konflikti midis Turqisë dhe Greqisë. Kthimi te një frymë pozitive dhe negociatat nën drejtimin e OKB-së ngjan se po e sjellin Qipron drejt një ribashkimi pas më shumë se katër dekadash. /tesheshi.com/