Nga Bashkim Kastrati
Debatet mbi bartjen e shamisë në Kosovë janë të pranishme kohëpaskohshme në Kosovë. Zakonisht, viktimë e paragjykimeve dhe privimit të të drejtave elementare kanë qenë vajzat e reja që kanë bartur shami. Ndërsa së fundi është shënuar edhe një rast tjetër në fshatin Drenoc të Komunës së Malishevës. Disa prindër kanë kërkuar përjashtimin nga puna të arsimtares së matematikës Fatmire Bujupit, vetëm pse kjo e fundit bartë shami.
Këta prindër nuk kanë asnjë ankesë në lidhje me anën profesionale të arsimtares, ndoshta kjo pjesë as që iu intereson. Ata kanë e arsyetuar kërkesën e tyre duke thënë se fëmijët e tyre nuk po ndihen të sigurt për shkak se arsimtarja e tyre bartë shami. Sipas tyre, fëmijët e vegjël i kanë thënë se mësuesja e re po iu duket si ISIS! Ata thonë se kjo arsimtare mund të ligjërojë për fenë islame në shkollë.
Këta prindër kanë shkuar aq larg me veprimet e tyre saqë i kanë ndaluar fëmijët nga shkolla. Ndërsa njëri nga nxënësit që u prononcua për Klan Kosova nuk tha se po frikësohet, por se i pengonte shamia. “Nëse mësuesja e re don me i viju mësimet këtu, e kemi shkollën, në qoftë se don me mbulesë e kemi xhaminë atje”, ka deklaruar ky nxënës.
Ndërsa arsimtarja Fatmire Bujupit ka thënë për Klan Kosova se ajo asnjëherë nuk ka dhënë leksione fetare në orët e saj dhe se qëllimi është që ta largojnë dhe ta sjellin një mësimdhënës tjetër.
Edhe mësuesja ka thënë se “I kam thanë edhe drejtoreshës së shkollës dhe drejtorisë komunale që të monitorojnë orën time dhe nëse përdori diçka jashtë matematikës në orën time le të më shkarkojnë”, ka thënë Bujupi.
Ndërsa drejtoresha e kësaj shkolle, Bukurije Krasniqi thotë se kërkesat e këtyre prindërve janë të pabazuara dhe iu ka bërë thirrje atyre që t’i sjellin fëmijët në shkollë.
Komuna e Malishevës: Për këtë çështje duhet të veprojë MASHT
Në lidhje me këtë çështje, tesheshi.com ka kontaktuar Komunën e Malishevës, përkatësisht drejtorinë për arsim. Në përgjigjen zyrtare thuhet se ankesa e prindërve është duke u shqyrtuar dhe se për këtë çështje duhet të ketë vendim nga Ministria e Arsimit. Ata thonë se është hera e parë që kanë marrë një ankesë të tillë.
“Ne jemi në proces të shqyrtimit të situatës së krijuar pas ankesës së prindërve. Kjo është një çështje në të cilët duhet të veprojë MASHT-i, pasi komuna nuk mund të ketë rregullore të veçantë, por çështja e etikës së veshjes apo paraqitjes së mësimdhënësve në shkollat fillore dhe të mesme të ulëta, duhet të jetë e njëjtë në tërë vendin”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Malishevës.
Arsimtarja ka të drejtë që të ushtrojë profesionin
Dukagjin Pupovci, ekspert i fushës së arsimit dhe drejtor në Qendrën për Arsim të Kosovës, ka thënë për tesheshi.com se kjo arsimtare ka të drejtë ta ushtrojë profesionin e vet dhe veshja e saj nuk duhet të jetë pengesë për këtë, përderisa ajo i përmbahet normave pedagogjike dhe e kryen punën me korrektësi.
“Nuk është mirë të paragjykohet, apriori, se ajo do të bëjë propagandë fetare vetëm për faktin se është përcaktuar për mbulesë”, thotë Pupovci.
Ai thotë se është i kuptueshëm edhe reagimi i komunitetit të fshatit Drenoc të Malishevës, pasi nuk është mësuar që nxënësit të kenë një mësimdhënëse të mbuluar. Ai shpreh bindjen se kështu do të reagonin shumica e prindërve në Kosovë.
Ai thotë se ndoshta reagimi do të mungonte ose do të ishte shumë më i butë sikur në vendin e mësimdhënëses me mbulesë të ishte ndonjë mashkull, praktikues i fesë, i cili, eventualisht, do të barte një mjekër.
“Sidoqoftë, duhet të pajtohemi me faktin se në vitin 2016 gratë e mbuluara nuk janë, medoemos, amvise pa shkollë, por shumë prej tyre kanë kualifikime universitare. Edhe ato i kanë të drejtat e veta, qofshin edhe pakicë në shoqëri dhe këto të drejta duhet të respektohen. Ky është vet kuptimi i demokracisë dhe fëmijët duhet të edukohen në këtë frymë. Besoj se kjo do të ndodhë edhe në Drenoc, me angazhimin e organeve komunale dhe të shkollës”, theksoi Pupovci.
Shamia është e drejtë e shpërfaqjes së besimit
Sociologu Ferdi Kamberi, ka thënë për tesheshi.com se çështja e shamisë shpeshherë është duke u bërë temë diskutimi në mediet tona, por edhe në përgjithësi në shoqërinë tonë. Ai thotë se kjo çështje politizohet për shkak të shumë faktorëve të ndryshëm. Sipas tij, shamia është e drejtë e shpërfaqjes së besimit dhe kategorizohet në kuadër të të drejtave të njeriut.
“Përderisa shtetet e zhvilluara sidomos ato perëndimore lejojnë një gjë të tillë dhe nuk e shohin si rrezik, atëherë shtrohet pyetje se ku jemi ne? Rasti i fundit ku kërkohet përjashtimi i një arsimtareje vetëm se e ka mbulesën tregon se shoqëria jonë vuan nga kompleksi inferioritetit dhe vuan nga shumë stereotipa, të cilat edhe më shumë e hermetizojnë atë”, thotë Kamberi.
Ai thotë se ndërprerja e mësimit nga ana e nxënësve është element jo i mirë i cili ndikon më së shumti tek nxënësit për shkak se ata janë që pësojnë. Ndërsa, në anën tjetër shihet se ky fakt është politizuar dhe vazhdon të jetë ashtu.
“Përderisa në Kuvendin e Kosovës kemi një femër me mbulesë, atëherë nuk besojmë që paraqet ndonjë problem arsimtarja me shami. Tek e fundit, arsimtarja në fjalë nuk po jep leksione fetare që ta thyen parimin e laicitetit, por lëndën e matematikës, madje burimet tregojnë se ajo ka qenë kandidatja më e përgatitur në këtë lëmi”, u shpreh Kamberi.
Ai kërkesat e prindërve i konsideron se janë të paarsyeshme dhe të ngutshme, për shkak se arsimtarja nuk i ka thyer rregullat dhe normat pedagogjike dhe shoqëria jonë duhet t’i shmang stereotipat ndaj mbulesës, sepse mbulesa përveç asaj që është pjesë e identitetit fetar mysliman ndërlidhet edhe me çështjen e personalitetit të njeriut dhe hyn tek të drejtat e njeriut.
Duhet dhënë fund diskriminimit fetar në Kosovë
Amir Ahmeti ish-deputet në Kuvendin e Kosovës nga Partia e Drejtësisë dhe tash kryetar i Nismës për Drejtësi dhe Zhvillim ka thënë për tesheshi.com se i tërë ai proces, si tubimi i prindërve të disa nxënësve në atë shkollë, ashtu edhe deklaratat e tyre, madje edhe deklarata e një nxënësi që shprehu një rrebesh fjalësh të mësuar si vjershë, u vërejtën qartë se janë të sinkronizuara.
“Kjo po duket qartë se është me dy qëllime, ashtu si përmend edhe në lajmet e mbrëmshme se fjala është për largimin e asaj arsimtare të matematikës dhe punësimin në vend të saj të një personi tjetër, i cili nuk ka qenë po aq i kualifikuar sa arsimtarja në fjalë me mbulesë, por që ndoshta është militant partiak. Derisa kualifikimin e arsimtares me mbulesë e vërtetoi edhe drejtori komunal për arsim”, thotë Ahmeti.
Ai thotë se qëllimi i dytë është poashtu politik, sepse tash për një javë të merremi me këtë çështje dhe të harrojmë shumë çështje më të rëndësishme për vendin, si luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar, etj.
“Ndërsa sa i përket kësaj fryme antiislame, mendoj se është si rezultat i vazhdueshëm i luftimit të të drejtave dhe lirive fetare në Kosovë tash e 17 vite. Me këtë rast duhet të merren seriozisht institucionet e vendit. Sidomos ato të drejtësisë. Ata njerëz në Malishevë, publikisht shprehen islamofobi dhe mosdurim fetar. Prokuroria e Kosovës duhet të veproi ex officio dhe t’u bëhet e qartë njerëzve se duhet dhënë fund diskriminimit fetar në Kosovë”, u shpreh Ahmeti. /tesheshi.com/