Nga Bashkim Kastrati
Kosova përballet me mungesë të vazhdueshme të barnave, sidomos mungesa të tilla ka Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK). Por paradoksalisht ka edhe një problem tjetër, shumë medikamente me afat të skaduar tash e pesë vite kanë mbetur pa u asgjësuar. Mungesa e operatorëve të licencuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor për asgjësimin e produkteve të skaduara mjekësore ka sjellë grumbullimin e tyre.
Për herë të fundit në vitin 2011 është bërë një asgjësim i barnave që janë grumbulluar që nga viti 1999 dhe shumica e tyre kanë qenë donacione që janë bërë në pak kohë para se atyre t’iu kalojë afati i përdorimit. Sasia e tyre ka qenë deri në 200 ton, ndërsa kostoja për asgjësimin e tyre ka qenë hiq më pak se 500 mijë euro. Ndërkohë, pas vitit 2011 janë mbledhur serish barna me afate të skaduara në depo të QKUK-së.
Sipas informacioneve zyrtare, shumica e medikamenteve që janë me afat të skaduar kanë qenë donacione dhe një pjesë janë vaksina që janë sjellë në Kosovë për të luftuar virusin H1N1, apo siç njihet si gripi i derrave.
Zëdhënësi i QKUK-së, Shpend Fazliu ka thënë për tesheshi.com se të gjitha Produktet Farmaceutike pa afat regjistrohen nga sektorët përkatës në Barnatore Qendrore të QKUK-së, barnatoret spitalore, klinika e reparte me të gjitha të dhënat dhe largohen në Depon për grumbullimin e barnave pa afat, nën mbikëqyrjen dhe evidentimin e komisionit për deponim.
Ai thotë se materiali medicinal (shiringa, gaza, kanilla etj) janë asgjësuar dhe asgjësohen në insenerator në QKUK, ndërsa Ministria e Shëndetësisë ka bërë asgjësimin e një sasie të konsiderueshme të barnave nga të gjitha institucionet shëndetësore në vitet paraprake përfshirë edhe ato nga QKUK.
“Barnat pa afat të shfrytëzueshmërisë të viteve të fundit janë të vendosura në hapësirë të veçantë dhe të mbyllura që presin asgjësimin. Barnat pa afat në Barnatore Qendrore janë të evidentuara nga përgjegjësit e sektorëve përkatës në fletëdalje të veçanta të mallit me afat të skaduar dhe të evidentuara nga anëtarët komisionit për deponim. Gjithashtu, të gjitha këto barna për vitet paraprake janë evidentuar edhe nga Inspektorati Farmaceutik i AKPPM-së (Agjencisë Kosovare për Produkte dhe Pajisje Medicinale), thotë Fazliu.
Ja sa llojeve të barnave iu ka skaduar afati ndër vit
Zëdhënësi Fazliu konfirmon se në vitin 2011 janë evidentuar 420 lloje produktesh farmaceutike-barna me afat të skaduar dhe material medicinal i cili është asgjësuar në insinerator në QKUK. Në vitin 2012 janë evidentuar 544 lloje të produkteve farmaceutike-barna me afat të skaduar, 12 lloje të filmave me sasi e konsiderueshme, mjaft sasi e Barium sulphate dhe materiali medicinal. Në vitin 2013 rreth 236 lloje produktesh farmaceutike-barna me afat të skaduar dhe materiali medicinal i cili asgjësohet në insinerator në QKUK. Në vitin 2014 afër 90 produkte farmaceutike me afat të skaduar nga të cilat 80 kanë skaduar në gjashtëmujorin e parë të vitit dhe vetëm 10 produkte farmaceutike-barna kanë skaduar në muajin gusht pra janë vetëm 10 produkte të skaduara donacion gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2014.
Por edhe në spitalet rajonale të Kosovës, ka një sasi e konsiderueshme e barnave që iu ka skaduar afati i përdorimit dhe ato duhet të asgjësohen.
Bashkëpunimi i institucioneve shëndetësore ka ulur sasinë e barnave me afat të skaduar
Në vitet paraprake nuk ka pasur bashkëpunim të duhur ndërmjet institucioneve shëndetësore në Kosovë, kjo për faktin se ka raste kur në spitalet rajonale ka mungesa të disa medikamenteve dhe në QKUK atyre iu del afati duke mos u shfrytëzuar dhe anasjelltas.
Por në vitin 2015 një bashkëpunim i tillë ka filluar të realizohet dhe rezultatet janë shumë të mira, kjo për faktin se është ulur shumë sasia e medikamenteve me afat të skaduar.
Si rrjedhojë, këmbimi i stoqeve farmaceutike mes qendrave publike spitalore në Kosovë, jo vetëm që ka zvogëluar grumbullimin e barnave të skaduara, por ka ulur edhe kostot për blerje barnash të reja, përmes rishpërndarjes së atyre ekzistuese.
“Me 2015 fare ka pak barna pa afat falë bashkëpunimit dhe këmbimit ndërinstitucional të stoqeve mes QKUK-së dhe Spitaleve të Përgjithshme ku janë shumë pak produkte (minimale) që mund të kenë skaduar në reparte”, ka thënë Fazliu.
Medikamentet me afat të skaduar do të mbesin për kohë të pacaktuar nëpër depo
Në lidhje me këtë çështje, rekomandimi i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor është që përderisa të licencohet ndonjë operator apo të bëhet ndonjë zgjidhje tjetër, ato barna të ruhen nga Ministria e Shëndetësisë, të mos jenë të qasshme për publikun dhe të asgjësohen, deri kur për këtë proces të krijohen kushtet adekuate, pasi që kemi të bëjmë me produkte me ndjeshmëri të lartë dhe shkallë të lartë të rrezikut nëse njerëzit bien në kontakt me to.
Por aktualisht nuk ka shumë shpresa se mund të ndodhë diçka në drejtim të përmirësimit të procesit të asgjësimit të barnave. Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor është në proces të bashkëpunimit me Komisionin Evropian lidhur me sigurimin e një projekti për magazinimin e mbeturinave te rrezikshme, e jo asgjësimin e barnave me afat të skaduar dhe mbetjeve të tjera të rrezikshme. Kjo do të thotë që barnat me afat të skaduar do të qëndrojnë në depo të QKUK-së në pamundësi të asgjësimit.
Në lidhje me çështjet e cekura më lart, tesheshi.com i ka dërguar pyetje edhe Ministrisë së Shëndetësisë, por nuk ka marrë përgjigje edhe pas ridërgimit të pyetjeve dhe pritjes për rreth një javë. /tesheshi.com/