Nga Erion Gjatolli & Giovanni Vale, Balcani Caucaso
Është e Diela e Palmave kur mbërrijmë në Gjadër, një fshati i vogël 80 kilometra në veri të Tiranës, ku qeveritë e Italisë dhe Shqipërisë po ndërtojnë një qendër pritjeje për emigrantët. Një rrugë e vetme dhe e ngushtë bashkon jetën e përditshme në fshat, e shoqëruar nga dy kafene, një dyqan ushqimesh dhe një qendër kulturore katolike.
Kur mbërrijmë, rruga është e mbushur me dhjetëra njerëz, të cilët kishin ardhur për të marrë pjesë në kortezhin dhe ceremoninë fetare. Megjithatë, është një ngjarje e rrallë. Ashtu si shumë fshatra të tjerë të Shqipërisë, edhe Gjadri nuk po i shpëton sfidave të dyfishta që përfaqëson degradimi i bujqësisë dhe emigracioni masiv, kryesisht drejt Italisë.
Mungesa e mundësive për punë, uji i papijshëm dhe shpeshherë edhe mungesa e energjisë elektrike, janë sipas asaj që na thonë banorët, tiparet kryesore të jetës në fshat. “Këtu kanë mbetur vetëm të moshuarit. Po të kishte ende të rinj, politikanët do të mendoheshin dy herë përpara se të merrnin nisma të këtij lloji”, na thotë i hidhëruar Marku, një burrë rreth të 50-ve, teksa vëzhgon procesionin.
Ai thekson se askush nuk u konsultua më parë me banorët e zonës, madje as deputetët që i zgjodhën me votë. Ndërsa bisedojmë me të, më pak se një kilometër larg ka nisur puna për ndërtimin e qendrës së pritjes së emigrantëve. Marku e di këtë, ashtu si një miku i tij, i cili preferon të mbetet anonim dhe që ankohet në një italishte të përsosur. “Këtu nuk duken asnjëherë politikanët. Gjatë fushatave zgjedhore ata nuk denjojnë as të na kërkojnë votat. Këtë e bëjnë në emër të tyre grupet kriminale. Dhe pastaj veprojnë si të duan”.
Marrëveshja italo-shqiptare, parashikon se dy strukturat në Shëngjin dhe Gjadër do të kenë një kapacitet maksimal prej tre mijë personash, dhe do të përdoren për vlerësimin e kërkesave për azil të emigrantëve përmes një procedure të përshpejtuar prej maksimumi 28 ditë, duke lejuar kalimin transit të 36 mijë emigrantëve në vit në territorin shqiptar.
Kostoja është afro 650 milionë euro për pesë vitet e vlefshmërisë së paktit. Në të përfshihet ndërtimi dhe menaxhimi i qendrave, mbikëqyrja e jashtme që i është besuar autoriteteve shqiptare, si dhe kostot për personelin dhe transportin drejt dhe nga Italia.
Një episod i fundit i emisionit investigativ “Report” në RAI3, që nxiti zemërimin e qeverisë shqiptare, pretendon se kjo kosto është rritur akoma më shumë. Autoritetet shqiptare, duke nisur nga kryeministri Edi Rama, kanë mohuar rregullisht çdo lloj avantazhi ekonomik nga marrëveshja me Italinë.
Megjithatë, gjatë procesit të shndërrimit të marrëveshjes në ligj, dolën elementë të rinj në lidhje me ndërtimin dhe menaxhimin e strukturave. Kështu, Shqipërisë do t’i besohet menaxhimi i sigurisë, nën mbikëqyrjen e Policisë vendase. Punime infrastrukturore janë planifikuar edhe në zonën e përcaktuar për dy qendrat, me një investim total prej 100 milionë eurosh për pesë vjet.
Në përgjithësi, të dyja qendrat do të jenë në pronësi të shtetit shqiptar dhe do të jepen për përdorim gjatë kohëzgjatjes së marrëveshjes, pra maksimumi 10 vjet. Ndërkohë ka paqartësi mbi numrin e përgjithshëm të emigrantëve që do të zhvendosen për në Shqipëri.
Ministria e Brendshme italiane parashikon një kapacitet prej 1024 personash në të njëjtën kohë dhe maksimumi 11.000 persona në vit, edhe në rastin e menaxhimit të kërkesave për azil brenda 28 ditëve. I njëjti dokument, përmend edhe një shifër prej 34 milionë eurosh për menaxhimin e emigrantëve.
Dhe duke pasur parasysh se shpenzimet ditore për një person janë rreth 33 euro, duket se Ministria e Brendshme planifikon të presë në këto qendra maksimumi 2822 emigrantë në vit. Së fundi, një problematike ka të bëjë me kompaninë italiane, të cilës i është caktuar drejtimi i dy qendrave të ardhshme.
“Medihospes”, dikur e njohur me emrin “Senis Hospes”, përfundoi në qendër të disa investigimeve gazetareske në vitin 2015 për shkak të lidhjeve të saj me La Cascina, një kompani e vendosur nën administrim shtetërore për shkak të lidhjeve me mafien.
Pas nënshkrimit në nëntor 2023 dhe miratimit nga parlamentet përkatëse në shkurt të këtij viti (në të dyja rastet pa debat), marrëveshja italo-shqiptare kaloi së fundmi edhe në shqyrtimin e Gjykatës Kushtetuese shqiptare, pas apelimit nga një grup deputetësh të opozitës shqiptare.
Pesë nga nëntë gjyqtarë, deklaruan se marrëveshja për ndërtimin e qendrave të pritjes së emigrantëve në Shqipëri, është “në përputhje” me Kushtetutën shqiptare. Sipas Gjykatës, marrëveshja nuk nënkupton ndryshime në territorin kombëtar dhe as në integritetin territorial të Republikës së Shqipërisë.
Por Dorian Matlija, drejtor i Qendrës “Res Publica” në Tiranë, thotë se marrëveshja përfshin një abuzim me parimin e ekstraterritorialitetit, i cili zakonisht zbatohet në kontekste të kufizuara si përfaqësitë diplomatike, “të banuara” nga zyrtarë shtetërorë.
Ai paralajmëron se çdo hetim apo kufizim në qasjen tek sistemi i drejtësisë, dhe jo vetëm të atyre që lidhen me të drejtën për azil, mund të çojnë lehtësisht në shkelje të të drejtave të njeriut. Dhe në rast mosrespektimi, Shqipëria do të jetë përgjegjëse përpara institucioneve dhe gjykatave ndërkombëtare.
Po ashtu, ka shumë paqartësi edhe mbi qëndrimin e emigrantëve në Shqipëri, veçanërisht në rastet e refuzimit të së drejtës për azil dhe si pasojë e riatdhesimit në vendet e tyre të origjinës. Disa ekspertë shqiptarë, druhen se në rast të vonesave ose mosmarrëveshjeve për marrëveshjen, emigrantët mund të qëndrojnë më gjatë në vend ose të tentojnë të arratisen nga qendrat e pritjes, duke krijuar probleme menaxhimi dhe favorizuar veprimtarinë e organizatave kriminale të përfshira në trafikimit të qenieve njerëzore.
Një grup organizatash të shoqërisë civile shqiptare, nënshkruan një peticion kundër marrëveshjes, duke i kërkuar autoriteteve ta shqyrtojnë çështjen në përputhje me të drejtat e njeriut dhe detyrimeve ndërkombëtare në lidhje me mbrojtjen e njerëzve në vështirësi.
Shqetësimeve të tilla, iu bë jehonë edhe nga Dunja Mijatoviç, Komisionerja për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Evropës, sipas së cilës “masat e propozuara në marrëveshje rrisin ndjeshëm rrezikun e ekspozimit të refugjatëve, azilkërkuesve dhe emigrantëve ndaj shkeljeve të të drejtave të njeriut”.
“Shëngjini nuk është vendi i duhur për një projekt të tillë. Ne jetojmë falë turizmit gjatë muajve të verës. Dhe kjo qendër mund të na hapë probleme”, thotë Fabio, 38 vjeç, i cili është rikthyer të jetojë në Shëngjinin e tij pas më shumë se 15 vitesh si emigrant në Itali.
“Edhe unë isha i huaj, por kam parë se në çfarë është shndërruar Lampeduza. S’dua që të ndodhë e njëjta gjë këtu”, thekson më tej ky punonjës i një kompanie komunale lokale.
Nga ana tjetër, Sandër Marashi, drejtor i Portit të Shëngjinit, shprehet i bindur për vazhdimësinë e plotë të aktiviteteve portuale dhe turistike, pavarësisht ardhjes së emigrantëve.
Edhe Bashkia e Lezhës na siguron përmes nënkryetarit Elson Frroku se qendrat e emigrantëve nuk do të kenë asnjë ndikim negativ. “Qytetarët as që do ta vënë re ndryshimin. E vetmja gjë që presim të shohim, janë disa mjete transporti shtesë në rrugët tona. Bashkia jonë ka tashmë ka përvojë në këtë çështje me pritjen e refugjatëve afganë”, shton ai.
Në fakt, në Shëngjin qeveria shqiptare ka zbatuar një marrëveshje të ngjashme. Në vitin 2021, pasi u rikthyen talebanët në pushtet, Shqipëria pranoi të mirëpresë me kërkesë të Shteteve të Bashkuara rreth tre mijë afganë që u arratisën nga Kabuli. Qindra prej tyre po presin ende në një resort, për të marrë vizat dhe larguar drejt SHBA-së.
“Para afganëve, erdhën disidentët iranianë, dhe më parë kanë qenë ujgurët…Shqipëria nuk ka një politikë të jashtme afatgjatë. Gjithçka vendoset nga kryeministri, dhe tani synimi i tij është të tregojë se Shqipëria është një partnere e besueshme që e meriton të anëtarësohet në Bashkimin Evropian”, thotë Ben Andoni, gazetar dhe analist politik në Tiranë.
Por ky pakt ka sjellë që tani një pasojë konkrete në Shëngjin. Hapja e qendrës përfshin transferimin e rreth 50 peshkatarëve dhe anijeve të tyre nga porti i Shëngjinit në atë të Durrësit, 70 km më në jug. “Nëse na zhvendosin, ne do të protestojmë. Familja ime jeton këtu. Durrësi është shumë larg”, ankohet një peshkatar i ri që preferon të mbetet anonim.
Duke u rikthyer në Gjadër, shohim një varg buldozerësh që ecën ngadalë përgjatë rrugës së ngushtë që të çon atje. Luigji, 62 vjeç, e sheh me shqetësim ardhjen e tyre shumë pranë shtëpisë së tij.
“Në vitin 1978 qeveria na prishi shtëpinë për të ndërtuar bazën ajrore. Na dhanë dëmshpërblim, por jo aq sa për të rindërtuar shtëpinë dykatëshe që kishim”, thotë ky bari, që tani jeton në një shtëpi të vogël njëkatëshe me gruan dhe djalin e tij, Xhulion.
Dy fëmijët e tjerë kanë emigruar në Itali. “Është mëkat të largohesh nga vendi yt”, thekson Luigji me fytyrën e skuqur nga dielli – “shpresoj që ata të kenë kujdes kur të transportojnë emigrantët, pasi rruga është e ngushtë dhe dhitë dhe delet e mia kullosin pikërisht aty pranë”.