Mbaron ankthi, mbaron makthi, mbaron seria prej pesë humbjesh për kombëtaren e Shqipërisë. Në Haifa të Izraelit është fituar 0-3 ndaj përfaqësueses vendase.
Një fitore morale, por një fitore dhe në aspektin e shifrave, që e sjell akoma më pranë përmbushjen e synimit për vendin e tretë në grupin G të eliminatoreve europiane për Botërorin 2018.
E para fitore për Shqipërinë që prej 6 tetorit të vitit të kaluar, kur mundej Lihtenshtajni.
Një fitore e merituar, me dy gola të Armando Sadikut dhe një të Memushajt. Një rezultat i parë si një hakmarrje për atë humbje ndaj Izraelit në “Elbasan Arena” më 12 nëntor.
Pjesa e parë do të mbyllej 0-2, me golat e Sadikut në minutën e 22-të dhe të 44-t. Shifrat do të thelloheshin në minutën e 71-të pas golit të Memushajt.
Shqipëria shkon në kuotën e nëntë pikëve, aq sa ka dhe Izraeli. /tesheshi.com/