Lutje të posaçme pas faljeve ditore do të mbahen në 90 mijë xhami në mbarë Turqinë për sukses të operacionit ushtarak turk “Dega e Hurmës” në rajonin sirian të Afrinit, njoftoi Administrata për Çështjet Fetare, trupi më i lartë fetar i vendit, raporton Anadolu.
Ali Erbas, Presidenti i Diyanet-it, instanca e lartë që drejton çështjet fetare në Turqi, i dërgoi një mesazh të gjithë imamëve anembanë vendit që të udhëheqin besimtarët në lutjet speciale, duke kërkuar fitoren e ushtrisë turke, thuhet në deklaratë.
Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura Turke (TSK) konfirmoi se operacioni në Afrin filloi të shtunën në ora 17:00 sipas kohës lokale.
“Forcat e armatosura të Republikës së Turqisë në rajonin e Afrin, në veri të Sirisë, me qëllim të vendosjes së sigurisë dhe stabilitetit në kufijtë tanë dhe në rajon, filluan operacionin ‘Dega e Ullirit’ me qëllim të neutralizimit të terroristëve të PKK / KCK / PYD-YPG dhe ISIS, dhe për të liruar popullin miqësor dhe vëllazëror në rajon nga presioni dhe dhuna e tyre”, tha shtabi i Forcave të Armatosura turke.
Ofensivën e komandon Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Turqisë, Gjeneral Hulusi Akar, nga Qendra e Komandës së Forcave të Armatosura në Ankara. /tesheshi.com/