Unioni i Prokurorëve kërkon në Gjykatën Kushtetuese shfuqizimin e rreth 20 neneve të Kodit të Procedurës Penale, ndryshimet e të cilit hynë në fuqi në dt. 01 Gusht 2017.
Përmes një deklarate, Unioni i Prokurorëve sqaron kërkesën e tij drejtuar Kushtetueses, duke vënë theksin në në preambulen e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe në nenin 4 të saj, është afirmuar parimi i shtetit të së drejtës, i cili është një nga parimet më themelore e më të rëndësishme në shtetin dhe shoqërinë demokratike. Si i tillë, ai është një normë e pavarur kushtetuese, prandaj shkelja e tij përbën në vetvete bazë të mjaftueshme për deklarimin e një ligji si antikushtetues.
Sipas prokurorëve, ky parim nënkupton sundimin e ligjit dhe mënjanimin e arbitraritetit, me qëllim që të arrihet respektimi dhe garantimi i dinjitetit njerëzor, drejtësisë dhe sigurisë juridike
Deklarata e plotë
- Lidhur me cënimin e parimit të shtetit të së drejtës.
- Në preambulen e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe në nenin 4 të saj, është afirmuar parimi i shtetit të së drejtës, i cili është një nga parimet më themelore e më të rëndësishme në shtetin dhe shoqërinë demokratike. Si i tillë, ai është një normë e pavarur kushtetuese, prandaj shkelja e tij përbën në vetvete bazë të mjaftueshme për deklarimin e një ligji si antikushtetues. Ky parim nënkupton sundimin e ligjit dhe mënjanimin e arbitraritetit, me qëllim që të arrihet respektimi dhe garantimi i dinjitetit njerëzor, drejtësisë dhe sigurisë juridike.
10.1. Në nenin 4, paragrafi i dytë i Kushtetutës deklarohet: “Kushtetuta është ligji më i lartë në Republikën e Shqipërisë “. Deklarimi i epërsisë së Kushtetutës, duke e vendosur në majë të piramidës së normave juridike, përbën një aspekt thelbësor të parimit të shtetit të së drejtës. Ky parim detyron të gjitha organet e pushtetit publik që t’i ushtrojnë kompetencat e tyre vetëm në kuadër dhe në bazë të normave kushtetuese. Aktet juridike që nxirren nga këto organe duhet të jenë në pajtim me aktet juridike me të larta, si në kuptimin formal, ashtu edhe atë material.
- Gjykata ka theksuar se nuk është detyrë e saj shqyrtimi i përplasjeve dhe papajtueshmërive mes dy ligjeve të ndryshme apo ligjeve dhe kodeve. Në juridiksionin kushtetues hyjnë papajtueshmëria e ligjeve apo kodeve me Kushtetutën
- Respektimi i hierarkisë së akteve normative është një detyrim që rrjedh nga parimi i shtetit të së drejtës dhe i koherencës në sistemin ligjor. Parimi i shtetit të së drejtës nënkupton veprimin e të gjitha institucioneve shtetërore sipas së drejtës në fuqi, si dhe supremacinë e Kushtetutës ndaj akteve të tjera normative. Rendi juridik nuk është një radhitje e barasvlershme normash, por një sistem hierarkik, i cili përbëhet nga nivele të ndryshme vlefshmërie dhe në secilin prej këtyre niveleve qëndron një normë ose grup normash, duke përftuar kështu edhe fuqinë e caktuar juridike. Piramida e akteve normative, e sanksionuar në nenin 116 të Kushtetutës, përcakton marrëdhëniet midis normave juridike, të cilat bazohen në raportin e mbi/nënvendosjes së tyre. Kjo piramidë aktesh normative ka në majë të saj Kushtetutën, e cila shërben si burim për aktet e tjera juridike. Për rrjedhojë, në rastet e konflikteve ndërmjet normave me fuqi të ndryshme juridike, norma me fuqi më të lartë ka epërsi në raport me normën tjetër.
- Neni 4/3 i Kushtetutës parashikon se, dispozitat kushtetuese zbatohen drejtpërsëdrejti, përveç rasteve kur Kushtetuta parashikon ndryshe. Sipas këtij parimi themelor kur rregulli kushtetues parashikohet shprehimisht, ai nuk mund të mënjanohet dhe as të tejkalohet, por duhet të zbatohet drejtpërsëdrejti. Përjashtimi kushtetues i parashikuar në këtë dispozitë nënkupton se normat kushtetuese mund edhe të mos gjejnë zbatim drejtpërsëdrejti, kur Kushtetuta ka ngarkuar posaçërisht organet shtetërore përkatëse për të nxjerrë ligjet dhe aktet e tjera nënligjore, me qëllim rregullimin e marrëdhënieve në fusha të ndryshme dhe në përputhje me hierarkinë e normave. Pra, Kushtetuta përmban dispozita që rregullojnë zbatimin e saj në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë. Rregullimet që bën Kushtetuta nuk mund të jenë gjithmonë të plota ose shteruese, pasi ajo nuk ka për qëllim të rregullojë hollësisht çdo çështje të organizimit të jetës politiko-shoqërore të një vendi, por vetëm parimet dhe kriteret bazë mbi të cilat duhet të mbështetet ajo. Edhe pse disa çështje që lidhen me rendin shtetëror mund të parashikohen në mënyrë të hollësishme prej saj, gjithsesi mbeten mjaft aspekte të organizimit të jetës institucionale për t’u parashikuar nga ligje ose akte të tjera normative, sipas rastit.
- Gjithashtu, Gjykata Kushtetuese në jurisprudencën e saj ka theksuar se nëse ndodhemi përpara një norme ligjore, që nuk mbështetet në parimet dhe rregullimet e specifikuara kushtetuese, por në tejkalime jashtëkushtetuese, si në formë ashtu edhe në përmbajtje, atëherë do të cënohet parimi i hierarkisë së normave. Ky është një qëndrim i konsoliduar i Gjykatës Kushtetuese në disa çështje të tjera analoge, në të cilat ka theksuar se “atë që nuk ka dashur ta bëjë Kushtetuta nuk mund ta bëjë ligji. Prandaj nuk mund të pranohet se ajo ka ometuar pa përmendur raste të tilla …”.
- Në nenin 148 të Kushtetutës, të ndryshuar, thuhet shprehimisht:
“1.Prokuroria ushtron ndjekjen penale, si dhe përfaqëson akuzën në gjyq në emër të shtetit. Prokuroria kryen edhe detyra të tjera të caktuara me ligj.
- Prokuroria është organ i pavarur që garanton mbarëvajtjen, kontrollin e veprimeve të saj dhe respekton pavarësinë e brendshme të prokurorëve për hetimin dhe ndjekjen penale, sipas ligjit.
- Prokuroria është organizuar dhe funksionon pranë sistemit gjyqësor.
- Prokuroria e Posaçme dhe Njësia e Posaçme Hetimore për ndjekjen penale dhe hetimin e veprave penale të korrupsionit, krimit të organizuar dhe çështjeve penale sipas nenit 135, paragrafi 2, të Kushtetutës janë të pavarura nga Prokurori i Përgjithshëm. Njësia e Posaçme Hetimore është në varësi të Prokurorisë së Posaçme..”. Nga përmbajtja e kësaj dispozite rezulton se prokuroria është i vetmi organ që ushtron ndjekjen penale, si dhe përfaqëson akuzën në gjyq në emër të shtetit. Ajo është organ i pavarur që garanton mbarëvajtjen, kontrollin e veprimeve të saj dhe respekton pavarësinë e brendshme të prokurorëve për hetimin dhe ndjekjen penale, sipas ligjit. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në këtë dispozitë kushtetuese nuk vendos kufizime përsa i përket kompetencave që duhet të ushtrojë organi i prokurorisë. Po ashtu, formulimi i kësaj dispozite kushtetuese paraqitet si një dispozitë e qartë dhe ezauruese, dhe si e tillë, duhet interpretuar në mënyrë strikte e të zbatohet drejtpërdrejtë pasi në këtë dispozitë nuk është parashikuar mundësia e kufizimit të funksioneve të prokurorisë me anë të ligjeve, qoftë edhe Kodit të Procedurës Penale. Pra, kjo dispozitë e Kushtetutës nuk përmban elementet e një norme referuese, për shkak se nuk i është deleguar e drejta ligjvënësit për të përcaktuar funksionet dhe kompetencat e prokurorisë.
- UPRSH-ja vlerëson se, nenet 8, 16, 182, 183, 184, 185, 188, si nenet, apo paragrafë të neneve të lidhura me to, të Ligjit Nr. 35/2017 që, i kufizojnë kompetencat e Organit të Prokurorisë-së për ushtrimin e ndjekjes penale bien në kundështim flagrant me nenin 148 pika 1 dhe 2 të Kushtetutës, ku thuhet se prokuroria ushtron ndjekjen penale, si dhe përfaqëson akuzën në gjyq në emër të shtetit. Prokuroria kryen edhe detyra të tjera të caktuara me ligj. Prokuroria është organ i pavarur që garanton mbarëvajtjen, kontrollin e veprimeve të saj dhe respekton pavarësinë e brendshme të prokurorëve për hetimin dhe ndjekjen penale, sipas ligjit. Gjithashtu, në këtë dispozitë kushtetuese nuk vendosen kufizime përsa i përket kompetencave që duhet të ushtrojë Prokuroria dhe nuk i delegohet ligjvënësit ndonjë kompetencë për rregullimin e kompetencës dhe funksioneve të organit të prokurorisë, ç’ka e bën këtë dispozitë kushtetuese drejtpërdrejtë të zbatueshme. Ndodhur në këto kushte, legjislatori nëpërmjet neneve nenet 8, 16, 182, 183, 184, 185, 188, si nenet, apo paragrafë të neneve të lidhura me to, të Ligjit Nr. 35/2017 ka cënuar respektimit e hierarkisë së normave jurdike si element i parimit të shtetit të së drejtës. Ky është një qëndrim i konsoliduar i Gjykatës Kushtetuese në disa çështje të tjera analoge, në të cilat ka theksuar se “atë që nuk ka dashur ta bëjë Kushtetuta nuk mund ta bëjë ligji.”.
- Lidhur me parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve.
- Në preambulën e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe në nenin 4 të saj proklamohet parimi i shtetit të së drejtës. Baza themelore e shtetit të së drejtës, që lidhen me objektin e këtij shqyrtimi kushtetues, është parimi i ndarjes dhe balancimit të pushteteve. Pjesë intergrale e këtij parimi janë edhe parimet e pavarësisë së organit të prokurisë, miratimi i ligjeve në përputhje me Kushtetutën, garantimi i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, dhe barazisë së shtetasve përpara ligjit.
- Parimi i ndarjes dhe balancimit të pushteteve është sanksionuar në nenin 7 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, në të cilin theksohet se: “Sistemi i qeverisjes në Republikën e Shqipërisë bazohet në ndarjen dhe balancimin ndërmjet pushteteve ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor”. Nga përmbajtja e këtij neni rezulton se ligjvënësi, ekzekutivi dhe gjyqësori janë të ndarë, efektivisht të pavarur dhe midis tyre duhet të ketë një balancë. Çdo institucion i secilit pushtet gëzon kompetencën sipas këtij qëllimi. Përmbajtja konkrete e kësaj kompetence varet nga fakti se cilit pushtet i përket institucioni, nga vendi i tij midis institucioneve të tjera, nga raportet e tij me ato të institucioneve të pushtetit shtetëror. Në përputhje me detyrat që u ka ngarkuar Kushtetuta, secili prej tyre është i pajisur me pushtet të mjaftueshëm, gjë që i jep mundësinë të marrë vendime në mënyrë të lirë e të pavarur. Asnjë organ apo institucion tjetër, në përbërje ose jo të një prej tri pushteteve, nuk mund të ndërhyjë në trajtimin dhe zgjidhjen e çështjeve, që sipas rastit, do të përbënin objektin qendror të veprimtarisë së organeve apo institucioneve të tjera kushtetuese. Pra, parimi i ndarjes dhe balancimit të pushteteve duhet të zbatohet jo vetëm në kuadër të veprimtarisë së mekanizmave apo institucioneve që veprojnë në një prej tre degëve kryersore të pushtetit shtetëror, por edhe në mekanizma të tjerë kushtetues që ushtrojnë funksionet e tyre kushtetuese sipas rastit, në mënyrë të pavarur apo si ndërthurje e kompetencave me institucione të tjera kushtetuese.
18.1 Ndarja e pushteteve ka të bëjë më shumë se me një ndarje “punësh” midis degëve të pushtetit. Qëllimi i këtij parimi është që të parandalojë përqëndrimin e pushtetit në një person ose grup të caktuar. Parimi i ndarjes së pushteteve kërkon ndarje të pushtetit ndërmjet ligjvënësit, ekzekutivit dhe gjyqësorit. i pari miraton ligjet, i dyti i zbaton dhe i treti i interpreton këto ligje. Parimi i ndarjes së pushteteve është i lidhur ngushtë edhe me parimin e balancës dhe kontrollit të tyre.
18.2 UPRSH vlerëson se ligji objekt kundërshtimi në pjesën ku parashikon kompetencën e prokurorit për pushimin e akuzës apo çështjes vetëm për kundërvajtjet penale, si dhe kompentecën e gjykatës për të gjykuar kërkesen e prokurorit për pushimin e akuzës ose çështjes për krimet; kërkesën e prokurorit për dërgimin e çështjes në gjyq;, dhe aspekte të tjera procedurale bie ndesh me nenin 148 të Kushtetutës, pasi kufizon kompetencën e të organit të Prokurorisë, si i vetmi organ i parashikuar nga Kushtetuta që ushtron ndjekjen penale. Heqja e ekskluzivitetit të organit të Prokurorisë në ushtrimin e ndjekjes penale përbën shmangie të këtij organi nga ushtrimi i veprimtarisë së tij kushtetuese. Në këtë mënyrë cenohet edhe parimi i ndarjes dhe balancimit të pushteteve, i sanksionuar në nenin 7 të Kushtetutës .
- Gjykata Kushtetuese në jurisprudencën e saj, duke iu referuar nenit 7 të Kushtetutës, që parashikon parimin e ndarjes së pushteteve, ka theksuar se ky parim në demokraci si formë e qeverisjes synon kryesisht të mënjanojë rrezikun e përqendrimit të pushtetit në duart e një organi apo të personave të caktuar, gjë që praktikisht mbart me vete rrezikun e shpërdorimit të tij. Nëpërmjet këtij parimi kushtetutëbërësi ka përcaktuar për secilin nga organet që përfaqësojnë këto pushtete kompetencat që përputhen/i përgjigjen qëllimit të tij. Për sa kohë këto kompetenca janë të përcaktuara nga normat kushtetuese, është e palejueshme që një organ tjetër t’i marrë ose t’i anashkalojë ato me vullnetin e tij .
- Gjithsesi, parimi i ndarjes së pushteteve nuk duhet kuptuar që çdo pushtet është i mbyllur dhe i pakontrolluar nga askush. Ndarja e pushteteve midis tri degëve të qeverisjes garantohet vetëm nëpërmjet sistemit të kontrolleve dhe ekuilibrave. Në këtë mënyrë, sipas Kushtetutës, aq sa flitet për ndarje bëhet fjalë edhe për ekuilibër të pushteteve. Qëllimi i një koncepti të tillë kushtetues siguron që të parandalojë çdo degë të qeverisjes për të ushtruar një pushtet të pakufizuar . Kontrollet dhe ekuilibrat që njeh Kushtetuta i japin secilës degë pushtete që kompensojnë apo zbusin ato të degëve të tjera Ndonëse renditen njëri pas tjetrit, tri pushtetet e përmendura nuk qëndrojnë në varësi hierarkike nga njëri-tjetri dhe as nuk dominojnë apo i nënshtrohen ndikimeve reciproke extra ligjore
- Gjithashtu, Gjykata Kushtetuese në jurisprudencën e saj ka theksuar se krijimi i raporteve të balancuara ndërmjet pushteteve, si dhe organeve të tjera kushtetuese duhet të orientohet nga standardi kushtetues i bashkëpunimit. Parimi i ndarjes dhe balancimit të pushteteve dhe fryma e Kushtetutës pranojnë bashkëpunim dhe bashkëveprim ndërmjet tyre, por kjo duhet të organizohet në mënyrë të tillë që parimet e lartpërmendura të mos shkelen
- Për parimin e sanksionuar në nenin 7 të Kushtetutës, Gjykata Kushtetuese është shprehur se ai shtrihet jo vetëm ndaj tri degëve të pushtetit, ekzekutiv, legjislativ dhe gjyqësor, por edhe ndaj organeve të tjera kushtetuese të pavarura, kompetencat e të cilave janë të parashikuara nga dispozitat e Kushtetutës. Sipas këtij parimi, asnjë organ, në përbërje ose jo të një prej tri pushteteve, nuk mund të ndërhyjë në trajtimin dhe zgjidhjen e çështjeve që, sipas rastit, do të përbënin objektin qendror të veprimtarisë së organeve apo institucioneve të tjera kushtetuese . Ky qëndrim është i konsoliduar. Ai është mbajtur edhe në vendimin nr 43 datë 26.06.2015 nga Gjykata Kushtetuese, e cila arsyeton se: “Sipas këtij parimi, asnjë organ, në përbërje ose jo të një prej tri pushteteve, nuk mund të ndërhyjë në trajtimin dhe zgjidhjen e çështjeve që, sipas rastit, do të përbënin objektin qendror të veprimtarisë së organeve apo institucioneve të tjera kushtetuese Për rrjedhojë, Gjykata vlerëson se parimi i ndarjes dhe balancimit të pushteteve gjen zbatim edhe në raportin ndërmjet organit të Prokurorisë dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit” . Për rrjedhojë, Gjykata vlerëson se parimi i ndarjes dhe balancimit të pushteteve gjen zbatim edhe në raportin ndërmjet organit të Prokurorisë dhe gjykatës .
- Prokuroria, për vetë rëndësinë që ka, është ngritur në nivelin e organit kushtetues nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. E themi këtë pasi ajo i ka kushtuar një kapitull të veçantë dhe rregullon jo vetëm krijimin por shkon edhe më tutje, duke parashikuar organizimin dhe funksionet themelore të saj, emërimin dhe shkarkimin e prokurorëve. Megjithatë Kushtetuta nuk ka përcaktuar se në cilin pushtet bën pjesë prokuroria. E thënë ndryshe, nuk ka specifikuar pozicionin konkret të saj. Në nenin 148/3 të saj parashikohet se: “Prokuroria është organizuar dhe funksionon pranë sistemit gjyqësor” . Ndërsa në paragrafin e parë të nenit 148 të Kushtetutës theksohet se: “Prokuroria ushtron ndjekjen penale dhe përfaqëson akuzën në emër të shtetit”. Këto paragrafe të këtij neni deklarojnë dy tipare të organit të prokurorisë, njëri ka të bëjë me: “prokuroria si organ i aparatit shtetëror” dhe tjetri ka të bëjë me: “si subjekt i procesit penal”.
- Në nenin 7 të Kushtetutës sanksionohet se: “Sistemi i qeverisjes në Republikës e Shqipërisë bazohet në ndarjen dhe balancimin ndërmjet pushteteve ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor”. Duke e interpretuar nga ana literale këtë nen rezulton se pushteti shtetëror ushtrohet nga tre pushtetet e sipërpërmendura. Pra çdo organ duhet të përfshihet në njërin nga këto pushtete. Në këtë logjikë edhe prokuroria duhet të përfshihet në njërin nga këto pushtete. Pra duhet të diskutohet për “përkatësinë” në njërin apo tjetrin pushtet. Për të realizuar një gjë të tillë duhet të analizohen tiparet dhe karakteristikat e organit të prokurorisë.
- Prokuroria ka disa karakteristika të ngjashme, si me organet gjyqësore ashtu edhe me ato ekzekutive, por ka edhe dallime thelbësore me secilin prej tyre. Ngjashmëritë me gjykatën konsistojnë tek:
- Pavarësia. Prokuroria, ashtu si gjykata, është e pavarur dhe prokurorët veprojnë me pavarësi në zgjidhjen e çështjeve konkrete.
- Gëzimi i garancive në lidhje me emërimin, lëvizjen, imunitetin.
Por këto karakteristika nuk e bëjnë prokurorinë pjesë të pushtetit gjyqësor. Ajo është palë në procedimin penal, si përfaqësues i shtetit. Në nenin 148/3 të saj parashikohet se: “Prokuroria është organizuar dhe funksionon pranë sistemit gjyqësor” . Pra prokuroria nuk është pjesë e sistemit gjyqësor, por funksionon pranë tij.
Si konkluzion themi që prokuroria është organ sui generis, i vetmi në llojin e vet, i pavarur dhe kushtetues .
- Gjykata po ashtu ka theksuar se normat kushtetuese nuk mund të interpretohen si norma të izoluara, por duhen parë në harmoni me normat e tjera kushtetuese. Një qëndrim i tillë bazohet në faktin se asnjë dispozitë e Kushtetutës nuk mund të nxirret jashtë kontekstit të saj dhe të interpretohet më vete, pasi çdo dispozitë kushtetuese duhet të interpretohet në mënyrë që të jetë e pajtueshme me parimet themelore kushtetuese, kjo për arsye se të gjitha normat dhe parimet kushtetuese formojnë një sistem harmonik pa kontradikta të brendshme .
- Nga sa më lart, Gjykata Kushtetuese duhet të çmojë dhe shqyrtojë kërkesën tonë për cenimin e parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve në përputhje me parimin kushtetues të shtetit të së drejtës, të sanksionuar në nenin 4 të Kushtetutës, që përcakton se “E drejta përbën bazën dhe kufijtë e veprimtarisë së shtetit”. Kushtetuta është ligji më i lartë në Republikën e Shqipërisë. Dispozitat e Kushtetutës zbatohen drejtpërsëdrejti, përveç rasteve kur Kushtetuta parashikon ndryshe. i tillë është rasti i nenit 148 të Kushtetutës, sipas të cilit ndjekja penale është atribut ekskluziv i organit të Prokurorisë .
- Në këtë drejtim, Gjykata në jurisprudencën e saj tashmë të konsoliduar është shprehur se parimi i shtetit të së drejtës detyron të gjitha organet e pushtetit publik që t’i ushtrojnë kompetencat e tyre vetëm në kuadër dhe në bazë të normave kushtetuese. Aktet juridike që nxirren nga këto organe duhet të jenë në pajtim me aktet juridike më të larta si në kuptimin formal, ashtu edhe atë material
- Në vendimin nr 43 datë 26.06.2015 Gjykata Kushtetuese arsyeton se: “ Për sa i përket nenit 148/1 të Kushtetutës, funksioni i organit të Prokurorisë, si përfaqësues i akuzës në emër të shtetit, bën që ky organ të ketë të drejtën ekskluzive të vendosë ndjekjen penale ose jo, d.m.th., të shpjerë ose jo një çështje në gjyq, ta pushojë ose jo një çështje në fazën e gjykimit. Lidhur me këtë organ Gjykata ka vlerësuar se ai ka disa veçori, të cilat janë përcaktuar në Kushtetutë e në ligj dhe që e vendosin këtë organ në një pozitë të dallueshme nga pushtetet e tjera, dhe veçanërisht:
- a) si organi i vetëm në vend që ushtron ndjekjen penale;
- b) si organi që përfaqëson akuzën në gjyq në emër të shtetit, që disponon mbi çështjet që ndodhen në gjykim dhe që është i lirë në kërkimin e llojit dhe të masës së dënimit ndaj personave që i rezultojnë fajtorë;
- c) si organ me pavarësi të plotë në ushtrimin e funksioneve, duke iu nënshtruar vetëm Kushtetutës dhe ligjeve, gjë që do të thotë se fillimi i procedimit penal, vënia para përgjegjësisë penale, pushimi, pezullimi i çështjeve ose dërgimi në gjyq janë atribute të Prokurorisë”. Pra Gjykata Kushtetuese nxjerr në pah një element shumë të rëndësishëm të funksionit të ndjekjes penale, i cili është e drejta ekskluzive e prokurorisë për të vendosur ndjekjen penale ose jo, d.m.th., të shpjerë ose jo një çështje në gjyq, ta pushojë ose jo një çështje në fazën e hetimit. Dhënia e një atributi të tillë pushtetit gjyqësor cenon në thelb funksionin e prokurorisë për ushtrimin ndjekjes penale.
- Në vendimin nr 43 datë 26.06.2015 Gjykata Kushtetuese arsyeton se: “Nga sa më lart, Gjykata vlerëson se Kushtetuta në nenin 148 të saj e ka konceptuar organin e Prokurorisë si të vetmin organ përgjegjës për ushtrimin e ndjekjes penale, pjesë përbërëse e të cilës është edhe hetimi i çështjeve penale.”. Me ndryshimet e bëra në kodin e procedures penale ligjvënësi ka vepruar në mënyrë kontradiktore. Kështu nga njëra anë përcakon organin e Prokurorisë si të vetmin organ që mban përgjegjesi për ushtrimin e ndjekjes penale, ndërsa nga ana tjetër i heq këtij organi mundësinë e vendimmarrjes lidhur me ndjekjen penale, duke ia dhënë këtë gjykatës. Pra në këtë mënyrë organi i prokurorisë mban përgjegjësi për një vendimmarrje jo të tij. /tesheshi.com/