Ashtu siç nuhatej apo parandjehej prej kohësh, SPAK nisi goditjen në radhët e opozitës, duke prekur të paprekshmin deri më sot, Sali Berishën mitik, në aspekt të mospërballjes kurrë me drejtësinë. Më saktë, SPAK arrestoi dhëndërrin e tij, Jamambër Malltezi, lidhur me akuzat mbi aferën e privatizimit të klubit sportiv “Partizani” e më pas investimit aty të një blloku pallatesh.
Malltezi, një specialist mjedisi, është investitor apo ortak pikërisht aty. Njëherësh, ai ka qenë dhe i involvuar politikisht gjithë këto vite të në kushte opozitare.
Siç mund të kuptohet, Berisha e ka përjetuar keq këtë moment.
“Burgimi politik do të thotë diktaturë. Berisha po lufton diktaturën, është arrestuar një njeri që nuk është pyetur kurrë në jetën e tij, sepse frikacakët, mercenarët nuk kanë guxuar ta pyesin sepse dorëzoi çdo mashtrim çdo falsifikim”, tha ai në një dalje për shtyp. Por dhe për vetë Berishën ka patur një vendim nga SPAK: Detyrim paraqitjeje në kuadër të hetimeve, pasi privatizimi i “Partizanit” ka ndodhur pikërisht nën qeverisjen e tij. Berishës njëherësh i është bllokuar pasaporta dhe nuk mund të dalë jashtë Shqipërisë deri në përfundim të hetimeve. /tesheshi.com/