Nga Murat Selvi*
Kur flasim për marrëdhënien midis medias dhe shoqërisë, fakti i parë i habitshëm që hasim është se si dhuna e portretizuar në media mund të ketë një efekt të veçantë te njerëzit. Të gjitha studimet e kryera në këtë fushë që nga fillimi i shekullit të 20-të zbulojnë se përmbajtja e dhunshme ndikon tek individët dhe shoqëritë.
Prania e shpeshtë e dhunës në gazeta, televizion, kinema dhe mjediset virtuale më të përdorura sot është një problem që lind nga nevoja për të arritur një audiencë më të gjerë dhe për të siguruar interesa financiare.
Dhuna shet. Ajo është interesante, ngjall kuriozitet. Për këtë arsye, serialet televizive, filmat, lajmet, video-lojërat dhe platformat e rrjeteve sociale janë bërë vende ku dhuna mund të gjendet lehtësisht. Prandaj, është i rëndësishëm debati nëse niveli intensiv i dhunës në masmedia desensibilizon individët dhe rrit shpeshtësinë e dhunës në jetën reale.
Të gjithë e dimë se aksionit dhe skenave të dhunshme në filma dhe seriale televizive u kushtohet vëmendje maksimale për shkak se ato bëjnë që vëmendja e audiencës të tërhiqet më lehtë. Gjatë përgatitjes së një kryetitulli për një lajm, përdorimi i funksionit më të spikatur në titull është ende gjerësisht i popullarizuar sot dhe për shkak të kësaj, çdo element i dhunës fizike në të zë vend qendror. Titulli më i spikatur nxjerr në pah fjalët apo fjalitë që përcjellin dhunën në mënyrën më të ashpër. Edhe vetë lajmi mund të duket i dobët si për reporterin ashtu edhe për lexuesin pa përdorimin e mbiemrave dhe ndajfoljeve që e hiperbolizojnë dhunën.
Dhuna sjell dhunë
Dhuna është një fenomen që haset lehtësisht në mjetet e komunikimit masiv tradicional si televizioni, gazetat, apo platformat virtuale si video-lojërat dhe ka një ndikim psikologjik te individët. Studimet klinike mbi këtë temë tregojnë se sjelljet e padëshiruara, si prirjet e dhunshme, agresioni dhe introversioni janë modelet më të përhapura të sjelljes tek të rinjtë e ekspozuar ndaj dhunës. Aspekti më interesant i kësaj situate është se dhuna nuk ka nevojë të përjetohet në jetën reale. Ekspozimi ndaj përmbajtjes së dhunshme në një video-lojë, televizion apo kinema mund të ketë lehtësisht pothuajse të njëjtin efekt.
Gjetjet tregojnë gjithashtu se këta të rinj janë më të prirur për të kryer krime. Për ta përmbledhur, hulumtimi tregon se dhuna ushqen dhunën dhe natyrisht krimin. Media në mënyrë indirekte ndihmon në rritjen e incidencës së dhunës që të gjitha shoqëritë përpiqen ta luftojnë dhe parandalojnë në shumë mënyra. Edhe pse të mësuarit e dhunës përmes medias mund të duket e pabesueshme, për fat të keq, kjo është ajo që po ndodh në të vërtetë. Në një shoqëri ku tendenca për dhunë është në rritje, rezultati i pashmangshëm, jo për çudi, është rritja e shkallës së krimit. Në fund të fundit, të gjithë e dimë se dhuna mësohet përmes imitimit dhe është elementi kryesor në shumë krime.
4 pasojat e ekspozimit ndaj dhunës
Ekspozimi ndaj dhunës nëpërmjet medias ka katër efekte kryesore te njerëzit. Këto përkufizohen si nxitja për dhunë, frika nga viktimizimi, depersonalizimi dhe efektet e oreksit. Këto katër efekte japin të dhëna të mjaftueshme për të kuptuar situatat negative ku mund të çojë dhuna në media. Nuk është e vështirë të parashikohet se, nëse efekti desensibilizues përhapet në shoqëri, ai do të ketë një ndikim shkatërrues mbi viktimat e dhunës në jetën reale.
Faktori më vendimtar mund të çojë në përhapjen e dhunës në shoqëri është se ajo perceptohet si një dukuri normale, e natyrshme dhe e pranueshme në jetën e përditshme, në vend se të konsiderohet e gabuar, e dëmshme, e paligjshme dhe kriminale. Mbështetësit më të mëdhenj të kësaj situate janë mjetet mediatike, të cilat janë burimi parësor i efektit të depersonalizimit. Media e sjell gjithë këtë dhunë në jetën tonë të përditshme dhe lë ndikimin e saj në tërë shoqërinë.
Gjuha e lajmeve
Në terma më të përgjithshëm, dhunë do të thotë pamëshirshmëri, sjellje e ashpër dhe forcë brutale. Edhe pse koncepti i dhunës me shumllojshmëritë e tij në përgjithësi i referohet efekteve fizike, ekzistojnë edhe forma të tjera si dhuna psikologjike, verbale, joverbale dhe seksuale. Çuditërisht, përpunimi dhe prezantimi i dhunës në media është po aq i vjetër sa vetë historia e masmedias. Kësisoj, të gjitha llojet e dhunës mund të duken të njohura ose normale për njerëzit. Për shumë njerëz, fakti që nuk kanë hasur ose nuk janë ekspozuar kurrë ndaj një dhune të tillë në jetën e tyre të përditshme, bën që kjo ta humbasë rëndësinë e saj në këtë pikë.
Ekzistenca e dhunës në media ka qenë temë e diskutimeve për shumë vite dhe po ashtu ka qenë objekt i shumë studimeve shkencore. Shpjegimi më i thjeshtë është se dhuna ka një vend të rëndësishëm në media pasi lehtëson shitjet. Me fjalë të tjera, siguron që përmbajtja mediatike të preferohet dhe të konsumohet nga audienca më e gjerë.
Disa teoricienë argumentojnë se të gjitha llojet e dhunës janë një grup sjelljesh të mësuara. Ata tërheqin vëmendjen për faktin se dhuna e shfaqur shpesh në media mund t’i shtyjë individët të përfshihen në sjellje të dhunshme. Bazuar në këtë pikëpamje, mund të themi se po përballemi me një problem tepër serioz. Sidomos në ditët e sotme, përmbajtja mediatike e prodhuar kudo në botë mund të transmetohet në distanca të mëdha brenda pak sekondash. Është e njohur që elementët e dhunshme prodhohen shpejt, ndahen dhe aksesohen lehtësisht. Për shkak të faktorëve të tillë si regjistrimi, shpërndarja dhe rishikimi i përmbajtjes, njerëzit mund të ekspozohen në mënyrë të përsëritur ndaj të njëjtit element dhune. Kështu, digjitalizimi, i cili është një mundësi e jashtëzakonshme për njerëzimin për të transferuar informacione, kthehet në një proces që rrit frekuencën e dhunës në media në një nivel të pakufizuar.
Nga ana tjetër, disa teoricienë deklarojnë se një person nuk mund të shfaqë sjellje të dhunshme vetëm për shkak se ai ose ajo ndeshet me elementë të dhunshëm në media. Edhe pse e pranojnë se dhuna është një sjellje e mësuar, ata thonë se dhuna e mësuar nga media braktiset brenda një kohe të shkurtër. Disa eksperimente gjithashtu e mbështesin këtë pikëpamje. Sipas rezultateve të disa kërkimeve eksperimentale tek fëmijët dhe të rinjtë, është vërejtur se fëmijët që shikojnë filma vizatimorë me elementë të dhunshëm, përdorin dhunë kur luajnë me lodrat e tyre, por këtë sjellje e eliminojnë brenda një kohe të shkurtër.
Pika kritike dhe pyetja kryesore këtu është se deri në çfarë mase ndikohet sjellja e fëmijëve kur ekpozohen rregullisht ndaj dhunës në të gjitha përmbajtjet mediatike. Në fund të fundit, ne e dimë se sjellja e tyre ndryshon për shkak të përmbajtjes së filmave vizatimorë, qoftë edhe për një kohë të shkurtër. Nëse dhuna haset në të gjitha përmbajtjet mediatike, veçanërisht në lajme, të cilat janë përfaqësimi më i fortë i botës reale në mesin e përmbajtjeve mediatike, kjo situatë mund të ketë aftësinë të prekë të gjithë anëtarët e shoqërisë. Depersonalizimi fillon të shfaqet pas kësaj pike. Individët që bëhen të pa ndjeshëm ndaj dhunës mund ta perceptojnë atë si të natyrshme dhe të zakonshme kur ndeshen me ngjarje të dhunshme në jetën e tyre të përditshme.
Megjithëse elementet e dhunës hasen shpesh në të gjitha përmbajtjet mediatike, si lojërat dixhitale, serialet televizive dhe filmat, dhuna gjithashtu përfshihet zakonisht në përmbajtjen e lajmeve. Prania e dhunës në përmbajtjen e lajmeve mund të përshkruhet si më e rrezikshme se format e tjera mediatike. Dihet se të gjitha format e tjera mediatikë janë produkt i trillimit dhe konsumohen me këtë këndvështrim. Megjithatë, kur bëhet fjalë për “lajmin”, mendohet se është një zgjatim i jetës reale, një pasqyrim i realitetit.
Si rezultat i dhunës në media, njerëzit mund të fillojnë të besojnë se dhuna në botë është shumë më e përhapur se sa është në realitet. Kjo nxjerr në pah rëndësinë e gjuhës së përdorur në prodhimin e lajmeve. Edhe pse disa praktika si shumë rregullime ligjore, parime etike, rregulla dhe përgjegjësi të publikimit janë përcaktuar për të mbrojtur individin dhe shoqërinë nga efektet e dëmshme të dhunës mediatike, nuk ka qenë e mundur të eliminohet krejtësisht prania e dhunës në përmbajtjet mediatike. Megjithatë, edhe pse ka masa, si simbolet paralajmëruese, për të parandaluar efektet e dëmshme të prodhimeve të dhunshme, të paktën për fëmijët, duket e pa mundur të kufizohet aksesi në materialet mediatike në epokën e sotme dixhitale.
Barriera më kritike për shitjen mbarëbotërore të përmbajtjes mediatike janë dallimet kulturore dhe dhuna është përmbajtja kryesore që mund të shitet pothuajse e pandikuar nga këto dallime. Prandaj, përfshirja e dhunës në përmbajtje të ndryshme është një metodë e përdorur shpesh; që nga videolojërat te serialet dhe filmat televizivë, e deri te gazetat dhe format e tjera mediatike. Duke kapërcyer pengesat e krijuara nga dallimet kulturore, dhuna, e cila shitet me shpejtësi në mbarë botën, mund të gjejë vendin e saj në të gjitha mediat.
Zhvillimet teknologjike u kanë mundësuar shoqërive ta aksesojnë informacionin me lehtësi të jashtëzakonshme, por ka sjellë bashkë me të edhe anën negative të ekspozimit të vazhdueshëm ndaj informacionit. Fatkeqësisht, një pjesë e konsiderueshme e materialit mediatik përmban elemente dhune. Për më tepër, përmbajtja e lajmeve është një nga mbartësit më të rëndësishëm të dhunës. Në fakt, edhe lajmet për dhunën ndaj grave mund të rrisin incidencën e dhunës ndaj grave. Dihet se prezantimi i lajmeve të dhunës në mënyrë të detajuar dhe të dramatizuar është udhëzues për njerëzit që janë të prirur ndaj dhunës.
Nuk duhet harruar se gjuha e medias informative është një faktor i rëndësishëm në parandalimin e dhunës ndaj publikut. Përdorimi i gjuhës që normalizon dhunën në mënyrë të pashmangshme do të desensibilizojë shoqërinë ndaj dhunës dhe ky depersonalizim ka një ndikim të rëndësishëm në dështimin për të parandaluar dhunën. /Tesheshi.com/
*Murat Selvi është Zëvendës Hulumtues në TRT World Research Center. Ai ka dy diploma master në Dizajn dhe Menaxhim Komunikimi nga Universiteti Anadolu dhe Gazetari Ndërkombëtare nga Universiteti Swansea. Ai studjon dhe publikon vazhdimisht artikuj në fushat e teknologjisë, digjitalizimit, shoqërisë në rrjet, mediave sociale, komunikimit politik etj.