Nga Blendi Gashi
Vendimi i marrë nga qeveria “Haradinaj” më 10 nëntor për të ndarë nga 10 mijë euro për mbulimin e shpenzimeve për familjet e shtetasve të Kosovës, të dënuar dhe të vrarë në Maqedoni në rastin e njohur si “‘Kumanova”, ka ngjallur reagime jo vetëm në Prishtinë por edhe tek Shupi zyrtar.
Këta të fundit shqetësimin e tyre për vendimin e Haradinajt e kanë shprehur një ditë më vonë përmes ministrit të Jashtëm, Nikola Dimitrov, gjatë një takimi që ky i fundit ka zhvilluar në Shkup me ministren e Integrimeve të Kosovës, Dhurata Hoxha, në suaza të Konferencës rajonale “Ndërtimi i kapaciteteve dhe bashkëpunimit rajonal në procesin e integrimit evropian të shteteve të Ballkanit Perëndimor”.
“Vendimi i qeverisë së Kosovës për t’u ndarë nga 10 mijë euro familjeve të të dënuarve të ‘Lagjes së Trimave’ nuk është në shpirtin e ndërtimit të së ardhmes evropiane për rajonin për sa i përket sundimit të ligjit, që është interes i përbashkët i të dyja vendeve”, citojnë mediat maqdonase të ketë thënë Dimitrov.
“Vendim që mund të sjell pasoja…”
Se vendimi është i ngutur dhe i pamenduar mirë e thonë edhe njohës të rrethanave politike e përfaqësues mediash që sipas tyre mund të ketë pasoja për vendin.
Njohësi i rrethanave politike, Leon Duhanaj nuk e sheh të arsyeshëm vendimin në fjalë pasi sipas tij nuk ka qenë ngjarje e organizuar nga shqiptarët por nga armiqtë.
“Pa dashur të këndoj ndjenjat e familjarëve te të burgosurve, por shikuar nga këndvështrimi real politik, mendoj që vendimi ka qenë i pa matur politikisht. Ështe mirë të kërkojmë drejtësi në mënyrë që organizatorët e vërtetë të dënohen për këtë krim makabër. Por, mbetem pranë mendimit se, identifikimi i Kosovës si shtet me atë ngjarje, shkon në kundërshtim të plotë me interesat shtetërore dhe kombëtare”, thotë Duhanaj për tesheshi.com.
Edhe analisti politik, Faik Krasniqi, pohon se ndarja e mjeteve për familjet e cekura sa janë të mirë se ardhura për to, aq mund të jetë e dëmshme për shtetin, sepse i bie shkelje e ligjit, kur dihet që institucionet ua kanë ndaluar qytetarëve të saj pjesëmarrje në konflikte të armatosura jashtë vendit.
“Në sytë e ndërkombëtarëve mund të biem në sy të keq, se gjoja jemi duke i mbështetur grupet e ‘armatosura’’, që përfshihen në konflikte të armatosura jashtë vendit. Shteti ynë mund të kontribuojë rreth rastit të ‘Grupit të Kumanovës’, që të kërkojë nga faktori ndërkombëtar të përfshihet në këtë proces mjaft të ndjeshëm dhe të montuar politikisht, në mënyrë që të ketë një proces të paanshëm gjyqësor”, thotë Kransiqi për tesheshi.com.
“Vendim i pakuptimt”
Flaka Surroi, botuese e gazetës “Koha Ditore” ka reaguar ashpër ndaj vendimit të qeverisë “Haradinaj” duke thënë se ndarja e parave nga buxheti i shtetit për familjet e të dënuarve për vepra penale të kryera në një shtet tjetër nuk ka asnjë kuptim logjik.
“Në Kumanovë ka ndodhur një incident shumë i rëndë. Vdiqën 18 veta. Është shkatërruar pothuajse një lagje e tërë. Nuk e kuptuam se çka kërkonin kosovarët e armatosur në Kumanovë. As kush i çoi atje, as kush i bindi të shkonin atje, dhe as për çfarë arsye.
Të thuash se të dënuarit shkuan në Maqedoni për të luftuar për ideal -është ta shkelësh ‘Ligjin për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të vendit’, të cilin e ka miratuar Kuvendi i Kosovës në prill të 2015-s, pra një muaj para se të ndodhte Kumanova. Nëse qeveria ka informata që publiku nuk i di për këtë rast, do të duhej të dilte e t’i tregonte. Ndryshe, kështu, themelon një precedent sipas të cilit secili njeri i dënuar për vepër penale në shkallë të parë, do të kishte të drejtë të marrë kompensim nga shteti”, ka shkruar Surroi në Facebook.
Edhe gazetari Baton Haxhiu nuk pajtohet me vendimin në fjalë, për çka e quan veprim skandaoz të qeverisë që mund të ketë pasoja për vendin.
Ndërsa lidhur me heshtjen e presidentit Thaçi dhe kryeparlamentarit Veseli ndaj veprimit në fjalë, Haxhiu ka thënë se “edhe ata janë të njëjtë, janë hipokritë”.
Kujtojmë se në fillim të këtij muaji, shtatë pjesëtarë të Grupit të Kumanovës u dënuan me burgim të përjetshëm, të tjerëve gjithsej 746 vjet burgim, ndërkohë që vetëm katër prej tyre u liruan nga aktakuza. /tesheshi.com/