I bombarduar mediatikisht nga rastet e “viktimave” të ndalimit të ndihmës ekonomike, kryeministri Rama ka pranuar që mund të jenë bërë dhe gabime.
“Skema ka marzhin e vet të gabimit dhe ka raste që kanë dalë nën nivelin ku skema mbyllet. Kjo është arsyeja që i kemi dhënë bashkive 6 % të fondit shtesë dhe po bëjmë proces rivlerësimi që të mos lëmë askënd pa rivlerësuar. Por eshtë e padiskutueshme që 70 % e atyre që kanë dalë nga skema janë 24- 45 vjeç në formë perfekte për punë”, tha Rama gjatë një takimi me Berat.
Dhe për këtë të fundit, Rama ka dhënë një shembull.
“Në dalje të sallës së teatrit jam ndeshur me një person rreth të 40-ave. Fizikisht shumë i admirueshëm, por kërkonte ndihmë ekonomike. Në mënyrë të përsëritur i thashë që nga nesër mund të niste punë, në privat, por ai donte patjetër punë në bashki, duke thënë se ata që punojnë nuk kishin asgjë më shumë sesa ai. Ai pranonte 5.000 lekë ndihmë ekonomike, e nuk pranonte kurrsesi të punonte në privat, nëse nuk siguronte një punë në shtet. Ndihma ekonomike është për ato familje që janë në pamundësi për të punuar dhe në varfëri reale. Nga kjo vlerësohet varfëria e thellë e jo varfëria nga të refuzuarit për të punuar, sepse ke ndonjë ndihmë nga të afërm që jetojnë në emigracion, e të lejohet luksi i të mos punuarit”, deklaroi Rama.
Kryeministri mbrojti mendimin se puna e jo parazitizmi, do i nxjerr njerëzit nga varfëria.
“Alergjinë nga puna duhet ta luftojmë bashkarisht . të mos i japim asnjë shans atyre që nuk punojnë”, theksoi Rama. /tesheshi.com/