Ka ndërruar jetë në moshën 64 vjeçare gazetari Ramadan Bigza, një nga emrat e njohur të publicistikës sportive pas një ataku në zemër.
Ndërsa po shkonte në një aktivitet të ambasadës shqiptare në Athinë, ku banon prej afro 20 vjetësh, Dani siç e thërrisnin të gjithë, është goditur nga një infarkt që i ka marrë jetën thuajse menjëherë.
Ramadan Bigza është nga qyteti i Shkodrës, ku ka punuar deri në vitin 1990 si korespondent i gazetës më të madhe sportive “Sporti Popullor”.
Pas viteve 90, Dani emigroi në Greqi si shumë shqiptar ku u vendos në Athinë.
Së bashku me Robert Goron ata krijuan një media për të gjithë komunitetin shqiptar në Greqi “Gazeta e Athinës”.
Më pas ai punoi si kryeredaktor në gazetën tjetër të shqiptarëve “Albania Press”.
Me daljen e medias online dhe rrjeteve sociale, i ndjeri Ramadan Bigza ishte mjaft aktiv në analizimin en ngjarjeve nga Shqipëria dhe komentet e tij kanë qenë të pranishme deri pak moment përpara se të pësonte atakun fatal, i cili i mori jetën.
Dani ka lënë dy djem dhe bashkëshorten. Në rrjetet sociale gazetarë nga gjithë vendi kanë shprehur ngushëllimet për humbjen e Ramadan Bigzës.
Ceremonia mortore do të zhvillohet në qytetin e lindjes, Shkodër, ditën e hënë më 30 maj. Kolegët dhe bashkia pritet të organizojnë edhe një ceremoni homazhesh publike.
/tesheshi.com/