Ujësjellës/Kanalizime Tiranë ka nisur investimin në një zonë mjaft problematike të kryeqytetit, e cila vuan prej vitesh nga përmbytjet sa herë bie shi. Bëhet fjalë për rrugën “Egantia”, në zonën e Don Boskos, ku UKT po investon për rikonstruksionin dhe pastrimin e rrjetit të ri të kanalizimeve.
Në këtë rrugë janë realizuar disa ndërhyrje në rrjetin e kanalizimeve, me qëllim evitimin e përmbytjeve të herë pas hershme gjatë periudhës së rreshjeve.
Gjendja e kanalizimeve në këtë zonë paraqitet mjaft e ngarkuar, me infrastrukturë dhe punime të cilat ndër vite kanë dubluar njëra-tjetrën, pa zgjidhur problemin.
Në këtë zonë shkarkojnë ujërat e zeza dhe të bardha dy kolektorët kryesore të Tiranës: ai që fillon në Rr.’’Aleksandër Moisiu’’ dhe vazhdon me Rr. “Dibres” e më pas vazhdon në Rr. “Mine Peza”; si dhe Kolektori i Unazës, i cili fillon nga Rr.’’Ferit Xhajko’’ e deri tek Farmacia 10.
Gjithashtu në këtë kolektor shkarkon edhe rrjeti i ujërave të shiut i gjithë rrugës ‘’Don Bosko’’.
Nga monitorimet e vazhdueshme rezulton se ky by-pass, në kohë shiu shkakton përmbytje në të gjithë rrugën “Egnatia” (zona e Don Boskos). Veç kësaj, kolektori ekzistues në të gjithë gjatësinë e tij është i mbushur deri në masën 25% me materiale interte dhe si i tillë nuk shfrytëzon kapacitetin maksimal përcjellës, për të cilin është ndërtuar.
Ndërhyrja e UKT synon pikërisht përmirësimin e situatës në këtë kolektor kryesor, si dhe investime të reja në rrjetin e kanalizimeve. /tesheshi.com/