Presidenti amerikan, Donald Trump u tha gazetarëve se ka “pak gjasa” që ai të merret në pyetje nga Robert Mueller, këshilltari i posaçëm që po heton lidhjet e mundshme midis fushatës presidenciale Trump dhe Rusisë.
“Nuk ka pasur asnjë bashkëpunim”, tha Trump, duke shtuar: “Do të shoh se çfarë do të ndodhë”.
Komentet e tij vijnë pasi mediat amerikane kanë raportuar se Mueller ka informuar Shtëpinë e Bardhë se ai mund të kërkojë të intervistojë Trump, në kuadër të hetimeve të tij.
Në qershor 2017, Trump tha se ishte 100% i gatshëm të intervistohej nën betim.
Presidenti ka mohuar se fushata e tij ka punuar me Rusinë për të minuar kundërshtarin e tij Hillary Clinton, duke i quajtur akuzat si një “gjueti shtrigash”. Më herët, këtë javë, mediat amerikane njoftuan se avokatët e Trump ishin në bisedime me hetuesin Mueller për të caktuar një datë për një intervistë. /tesheshi.com/