Sulmuesi i Realit të Madridit, Karim Benzema, është ndaluar mëngjesin e së mërkurës nga policia franceze dhe është marrë në pyetje në lidhje me ca pamje filmike me të cilat po i bëhet shantazh kolegut të tij të kombëtares, Mathieu Valbuena-s.
I përfshirë në këtë aferë është edhe ish-sulmuesi tjetër francez, Djibril Cisse, i cili u ndalua pak ditë më parë dhe u lirua më pas. Procedura të ngjashme duhet të kalojë edhe Benzema, i cili mësohet se është i përfshirë po ashtu në këtë çështje.
Valbuena e kishte deklaruar rastin në polici kohë më parë, pasi i ishin kërkuar 150.000 euro në këmbim të atyre pamjeve filmike, që thuhet se kanë të bëjnë me jetën e tij private, e, më saktë, me bashkëshorten e tij. /tesheshi.com/