Një projekt i zyrës së OSBE në Beograd në bashkëpunim me ambasadën shqiptare atje kanë krijuar mundësinë që një analist shqiptar dhe një serb të shkruajnë për lexuesit e vendeve respektive, si një përpjekje për njohjen e dy popujve dhe problematikave që shqetësojnë marrëdhëniet shqiptaro-serbe.
Analisti dhe publicisti Mustafa Nano nga gazeta Mapo dhe Zoran Panoviç nga gazeta Danas në Beograd kanë rënë dakord që të bëjnë “ndërmjetësimin” e komunikimit mes dy popujve.
Shtegun e komunikimit e ka hapur së pari analisti shqiptar.
Projekti ka nisur me botimin e shkrimit të Nanos në gazetën Danas në Serbi sot, me titull “Të gjithë kemi nevojë për një catharsis” dhe do të vijojë me shkrimin e Danas pas disa ditësh.
Dy analistët kanë rënë dakord që të bëhen pjesë e këtij projekti pas një letërkëmbimi mes tyre dhe analizat e tyre do të vijojnë në këtë rrugë, si një letërkëmbim ku ata do të shprehin pikpamjet e tyre mbi marrëdhënet shqiptaro-serbe, çfarë i shqetëson dy popujt, pas një të kaluare të hidhur dhe si mund të komunikohet ndryshe në epokën e paqes.
Mustafa Nanon e njohim në Shqipëri si një publicist dhe analist dhe së fundmi dhe si autor librash. Tezat e tij kontraverse mbi fenë, prejardhjen dhe historinë e Shqipërisë, kryesisht në marrëdhëniet me fqinjët, kanë tërhequr vëmendjen e opinionit dhe kanë shkaktuar debat.
Teza e Nanos se heroi ynë kombëtar Skënderbeu kishte nënën serbe si një tentativë për të shpjeguar bashkëjetesën mes dy popujve në shekujt e mëparshëm janë kritikuar mjaft në shtypin vendas.
Tashmë Nano ka vendosur të përballet dhe me publikun serb me tezat e tij.
Nga ana tjetër “miku” i tij virtual Zoran Panoviç është një gazetar i njohur në Serbi dhe kryeredaktor i gazetës Danas. I diplomuar në sociologji në Fakultetin e Filozofisë në Beograd, Panoviç njihet si një nga analistët kryesorë serbë dhe komentator i ngjarjeve shoqërore dhe politike. Ai nuk është nacionalist, por njihet për një qasje të moderuar ndaj politikës serbe për integrimin në Bashkimin Europian dhe marrëdhëniet me Rusinë. Edhe Panoviç është autor i dy librave për Serbinë dhe fitues i disa çmimeve për gazetarinë.
“I pari që ma ka hedhur këtë ide ka qenë shkrimtari Virgjil Muçi, që sot është diplomat i yni në Beograd. Duhet të jetë ide e tij e gjitha kjo, që mua më pëlqeu, m’u duk interesante. Sidoqoftë, diplomati Muçi është marrë vesh me OSBE-në në Beograd, dhe kështu si promotorë të kësaj iniciative janë misioni i OSBE në Beograd dhe Ambasada shqiptare në atje. Por forma e përmbajtja e komunikimit varen nga ne që do shkruajmë, sigurisht. Kam rënë dakord me kolegun serb, me të cilin jemi takuar në Tiranë, që këtë bashkëpunim ta ndërtojmë në formën e një letërkëmbimi publik, dhe që secili prej nesh të zgjedhë vetë se për çfarë do të shkruajë, pa pasur tabu. Kjo është e gjitha”, shprehet Mustafa Nano lidhur me këtë projekt.
Gjatë shkrimit të tij botuar sot në Danas që nis me shprehjen klasike të një letre “I dashur Zoran”, Nano shkruan se ftesa për këtë projekt i erdhi si me porosi në momentin kur sapo kishte publikluar librin e tij “Sandwich”. Në këtë libër, thotë Nano; “mbroj tezën se armiqësia mes shqiptarëve e serbëve është një dukuri e vonë historike, që zë fill pas mesit të shekullit XIX; para kësaj kohe, sigurisht, ka pasur fërkime, keqkuptime, e moskuptime mes tyre, por karakteristikë dalluese ka qenë bashkëjetesa”.
Duke prekur dhe një herë debatin mbi nënën e Skënderbeut Nano i thotë kolegut serb se “për të ilustruar tezën se serbë e shqiptarë nuk kanë lindur për të qenë armiq, m’u desh të publikoja në shtyp, mes të tjerash, nja dy dokumenta që e nxirrnin me origjinë sllave nënën e heroit tonë kombëtar, me emrin Vojsava. E bëra këtë gjë në mënyën më të pafajshme që mund të mendohet, dhe më e shumta që prisja ishte reagimi i ndokujt që, krejt me qetësi, do rrekej të rrëzonte në mënyrë dokumentare qoftë dyshimet e mija mbi origjinën shqiptare të nënës së Skënderbeut, qoftë tezën time se armiqësia midis serbëve e shqiptarëve nuk është një konstante historike. Por nuk ndodhi kjo”.
Nano bën një ftesë për të hapur debatin mbi mendësinë e elitave kulturore në të dy vendet.
“Sipas meje, ka një problem me elitat tona kulturore, i dashur Zoran. Ato janë tradicionalisht mendjembyllura, dogmatike, auto-referenciale, shoviniste, e mbi të gjitha, kanë një marrëdhënie të shkujdesur me të vërtetën. Historianët tanë, fjala vjen, kanë bërë çmos të na mbushin mendjen se ne u përkasim kombeve të dëlirë, të papërlyer, të pafajshëm, të mëdhenj, heroikë, në një kohë që do mjaftonte fare pak inteligjencë e përunjësi për të rënë dakord se më e para gjë që mungon në Ballkan janë kombe të tillë. Dhe meqë jam te historianët, më ka bërë përshtypje që historiografia serbe e ajo shqiptare përplasen në mënyrë pothuaj fëminore në leximin e historisë së tyre të përbashkët. Nuk pajtohen në pothuaj asgjë”.
Pasi citon variantin serb dhe shqiptar të akademisë së shkencave për Kosovën, ku tek varianti i parë shqiptarët përmendën si kolonë e pushtues të Kosovës serbe, ndërsa në filmin e dytë Kosova quhet e tëra e shqiptarëve, Nano thotë se me historianët e dy vendeve ka diçka që nuk shkon.
“Në të njëjtën mënyrë e masë ka diçka që nuk shkon me elitat tona intelektuale e kulturore në tërësi, me kulturat tona kombëtare që kanë intoksikuar shoqëritë tona me krenari boshe, gënjeshtra, fanatizëm, urrejtje. Dhe vijojnë ta bëjnë edhe sot e kësaj dite. Intelektualët, studjuesit, akademikët, shkrimtarët, artistët, etj, kanë nevojë për një catharsis. Të gjithë kemi nevojë për një catharsis. Nëse duam t’i japim një shans paqes në këtë qoshe xanxare të botës me emrin Ballkan”, e përfundon Nano shkrimin e tij drejtuar lexuesit serb.
Presim se ç’përgjigje do t’i kthejë kolegu i tij Zoran Panoviç së shpejti./tesheshi.com/