Julian Nagelsmann duket se është “i përzgjedhuri” i klubit gjerman të Bajernit të Mynihut, për të pasuar italianin Anceloti në drejtimin e skuadrës.
Mediat në Gjermani po flasin vazhdimisht për trajnerin e Hofenhaimit, i cili pavarësisht moshës së re, po paraqitet si gjeni i takticizmit.
Etiketimi gjen bazë mbështetjeje, pasi Hofenhaimi është kthyer në tmerrin e bavarezëve, që kur Nagelsmann ka marrë drejtimin e skuadrës. Të gjithë janë magjepsur nga vendosja që i bën në fushë skuadrës ky trajner, që për habi, nuk është më shumë se 30 vjeç (ditëlindja 1987).
Pa asnjë kompleks se sfidon çdo “profesor” të trajnimit, Nagelsmann u përfol edhe në ambjentet e Realit të Madridit.
E nëse në Madrid u përfol, në Mynih 30 vjeçari është piketuar si njeriu që do reformojë Bajernin, e do ta kthejë në majë të Europës.
Këtij informacioni i bën jehonë edhe vetë 30 vjeçari, i cili në një intervistë për Eurosport, nuk e ka fshehur dëshirën për të drejtuar Bajernin.
“Bajerni është gjithnjë në ëndrat e mia, edhe pse për momentin jam i lumtur me atë që jeta më ka dhënë tek Hofenhaim. Natyrisht drejtimi i një pankine si ajo e Bajernit, do të më bënte edhe më të lumtur, por nuk varet gjithcka nga unë”, është shprehur Nagelsmann. /tesheshi.com/