Pas vitit 1912 ruajtja e dokumenteve të trashëguara nga Iljaz bej Mirahori, themelues i qytetit të Korçës, u bë e vështirë. Të gjithë pushtuesit që hynin dhe dilnin në Korçë ishin të interesuar për dokumentacionin e tij. Shtëpia e mytevelinjve, (pasardhës të Iljaz bej Mirahorit), u plaçkit disa herë, por nga dokumentacioni asgjë nuk ra në dorë të tyre; gjithçka nxirrej nga shtëpia pa hyrë mirë në Korçë ushtritë e huaja. Sakrificat e mytevelinjve ishin të mëdha. Po kaq të interesuar për dokumentacionin e Mirahorit ishin edhe gazetarët e vendeve të huaja. Kërshëria e tyre ishte e madhe. Pati edhe nga ata që ofruan shuma të mëdha të hollash, por njerëzit e Mirahorit nuk i shkëmbyen me asgjë.
Për ta, dokumentet e paraardhësit të tyre ishin të shenjta. Aty ruhej historia e qytetit të Korçës: “Një ditë, – tregon Myftar Grabocka, (kur ishte kryetar Komitetit Ekzekutiv në Korçë, 1957-1962), – unë iu luta nënë Jalldëzit që të njihesha me përmbajtjen e dokumenteve në fjalë dhe ajo u tregua shumë e gatshme. Për këtë punë thirrëm Hafëz Sulejmanin, (ish-myftiu i Korçës), dhe një Imam tjetër që e dinin mirë osmanishten e vjetër, gjuhë më të cilën ishin shkruar ato dokumente. Pasi ata u njohën mirë dhe i përkthyen pjesërisht ato dy-tri ditë resht, shpjeguan se në përgjithësi ishin tapi zyrtare, lëshuar nga Porta e Lartë në Stamboll, që njihnin pronësinë e tokave dhe gjithë pasurinë që zotëronte Iljaz Beu në kazanë e Korçës, si përfaqësuesi më i lartë zyrtar i asaj kazaje, ashtu siç parashikonte sistemi administrativ turk”. (Petrit Zeneli, “Myftar Grabocka dhe rrënjët e një fisi”, f. 246)
Tashmë, për lehtësi të lexuesit na duhet të bëjmë një sqarim të vogël. Personazhet që do të përmenden në këtë rrëfim janë: Rustem Myteveliu, i cili ka djalë Hysenin, të martuar me Jalldezin. Këta dy të fundit kanë një djalë të quajtur Rustem, i cili mban emrin e gjyshit. (Pra, kemi Rustemin,- i vjetri dhe Rustemin,- i riu). Vijojmë më tej.
Dokumentet e Mirahorit ishin të tilla që mund t’i rezistonin kohës për shekuj me radhë. Enigmën e jetëgjatësisë së tyre e ka shpjeguar Jalldëzi, bashkëshortja e Hysen Myteveliut, (administratorit të 15-të dhe të fundit të Vakëfeve, deri në vitin 1934): “Dokumentet ishin të stamposura e të lustruara me një lëndë kimike sipër, mbi një rrjetë të hollë prej liri dhe mëndafshi special dhe ishin futur në një tub prej plumbi me një kapak që e mbyllte në mënyrë hermetike. Ato ishin mbështjellë rreth një boshti prej druri të satzhionuar sipas porosisë së një specialisti turk që merrej me punët arkivale dhe ruajtjen e dokumenteve zyrtare”. (Petrit Zeneli, “Myftar Grabocka dhe rrënjët e një fisi”, f. 243)
Kjo pasuri dokumentare që ruhej në pergamenë të shkruara osmanisht dhe teknika e përdorur për ruajtjen e tyre ishte një mister i pafund për të huajt, por edhe për ata që dëshironin t’i shtinin në dorë ato për ta fshirë këtë histori të Korçës nga kujtesa e njerëzve. Mes dokumenteve të shumta gjendej edhe letërkëmbimi i mytevelinjve me vëllezërit Frashëri: Abdylin, Naimin, Samiun dhe nënën e tyre Eminenë, e cila ishte bijë e mytevelinjve, stërmbesë e Iljaz bej Mirahorit. Në këtë tërësi dokumentesh ekzistonin edhe shumë rrëfime për Korçën, të shkruara nga Rustem Beu (i vjetri): “Të gjitha këto tregime, Rustem Beu i kishte shkruar në turqisht, në një fletore të madhe, me shumë fletë, me kapak të trashë dhe na i tregonte gjithnjë, vazhdon Jalldezi , aq sa unë i mësova përmëndësh…”. (Petrit Zeneli, “Myftar Grabocka dhe rrënjët e një fisi”, f. 251).
Rustem Mytveliu, (i riu), i cili tashmë nuk jeton më, falë bashkëpunimit me të, kam mundur të ruaj pjesë kujtimesh të shkruara nga vetë ai, ku rrëfen vuajtjet e largimit nga shtëpia, me qëllim shpëtimin e trashëgimisë dokumentare të Mirahorit nga grabitja: “Babai im, Hysen Myteveliu, gjatë dy luftrave ballkanike, në kohën e pushtimit grek, u detyrua të largohej bashkë me familjen e tij nga Korça në Çëravë, duke marrë me vete dokumentet e trashëguara nga Iljaz bej Mirahori. Kur u kthye në Korçë çdo gjë ishte plaçkitur, asgjë nga pasuritë e familjes nuk ndodhej në shtëpi. Pasuri me vlera të veçanta që nga veshjet e pajisjet e trashëguara nga Iljaz bej Mirahori dhe pasardhësit e tij ishin plaçkitur”.
Sipas Rustem Myteveliut, (i riu), ndër dokumentet më të rëndësishme që u ruajtën me fanatizëm ishin:
“1. Fermani (dekreti) i vitit 1484/889, (jepen dy data, sipas kalendarit hixhri dhe kalendarit te sotëm), që bën fjalë për dhënien e fshatrave Vithkuq dhe Leshnjë në zotërim të Iljaz bej Mirahorit.
- Ferman i viti 1496/ 901, mbi shkëmbimin e pasurisë së Panaritit dhe Treskës me fshatin Peskëpi.
- Fermani i vitit 1497/902, mbi përcaktimin e kufijve të fshatit Peskëpi.
- Fermani i vitit 909, sipas kalendarit hixhri, fshatrat Panarit dhe Trebickë ndryshojnë statusin në mylk”.
Rustem Myteveliu rrëfente edhe diçka tjetër: “Vakëfnameja, (dekreti i kthimit të pronave në vakëfe), është shkruar në arabisht me dorë nga vetë Iljaz bej Mirahori mbi një letër-karton (e ngjashme me pergamenë), rreth 7.5 metra e gjatë. Një kopje të këtij dekreti e nxori nga origjinali në Stamboll, gjyshi im Rustem Myteveliu më 24.04.1907, sipas kalendarit të sotëm, ose më 11 prill 1323, sipas kalendarit hxhri, me qëllim që dokumenti origjinal i vakëfnamesë të ruhej i pacënuar”. Megjithatë, kohë më vonë, origjinalin e Vakëfnamesë ia dhamë në huapërdorim muzeumit të qytetit të Korçës. Këto akte u përkthyen në Korçë 23.10.1955 nga Haki Sharofi, i cili ishte përkthyes dhe arkivist i Institutit të Historisë dhe Gjuhësisë në Tiranë.
Me pushtimin e Shqipërisë nga Italia, në shtëpinë tonë, herë pas herë, vinin historianë, gazetarë, studiues, që të gjithë kërkonin dokumentet e Iljaz bej Mirahorit. Gjithashtu, i kërkuan babait, (Hysen Myteveliut), t’u jepte ndonjë intervistë, por ai nuk dëshironte të fliste për asgjë mbi këto dokumente. Për shkak të aktivitetit patriotik të familjes, në vitet 1942-1943 na internuan familjarisht në Porto Romano. Në fillim të vitit 1944 u detyruam të dilnim në ilegalitet si familje. Shtëpia jonë u bë komandaturë gjermane. Përsëri kishte pasur plaçkitje totale nga gjermanët. E vetmja pasuri që u ruajt, ishin dokumentet e Iljaz bej Mirahorit, të cilat babai, që nga viti 1912 i merrte me vete. Ato u vlerësuan dhe u ruajtën mbi çdo pasuri tjetër të familjes”.
Dokumentet e Mirahorit u kërkuan edhe nga mbreti Zog: Në kohën e mbretit Zog,- vazhdon Jalldezi, – erdhën njerëz apostofat dhe na u lutën që t’ua jepnim dokumentet në fjalë, por neve nuk ua dhamë sepse ato i kishim si gjënë më të shtrenjtë, të trashëguar nga të parët”. (Petrit Zeneli, “Myftar Grabocka dhe rrënjët e një fisi”, f. 247).
Të njëjtën gjë bëri edhe Enver Hoxha. I shoqëruar nga Myftar Grabocka erdhi në shtëpinë tonë, më tregonte Rustem Myteveliu. Dinte që familja jonë ruante dokumenta të vjetra, ai i vlerësonte ato, pasi hidhnin dritë mbi historinë e Korçës në veçanti dhe atë shqiptare në përgjithësi, por nuk na kërkoi që t’ia dorëzonim shtetit. Këtë punë ia la të shoqes, Nexhime Hoxhës, e cila këmbënguli fort deri sa një ditë i mori.
Edhe pse refuzuam disa herë, nuk mundën t’i thoshim jo deri në fund. Në atë kohë unë isha me studime në Moskë, e mora vesh në saj të një letre që më dërgoi nëna, Jalldezi, më 5.5.1957, ku më shkruante: I dashur biri im, Rustem! Jam mirë dhe dëshiroj dhe për juve që të ini mirë. “… Pardje më thirrën në Komitet dhe më thanë se në Institutin e Shkencave kishin bërë një mbledhje dhe kishin biseduar për dokumentet tona. Nexhmia Hoxha kishte thënë që ajo është familje e jonë dhe nuk na kundërshton. Unë qava, jam ndodhur në një pozitë të keqe dhe nuk di si të veproj, prandaj ti më thuaj si të bej. Kjo radhë që po i kërkojnë nuk është e para, mbasi tani më thirrën mua vetë dhe më thanë se edhe Rustemi nuk do të kundërshtojë, mbasi e dimë neve…”. Ishte e vështirë të kundërshtoja, kujtonte Rustem Myteveliu.
(Në këtë letër bie në sy shkrimi shumë i bukur i Jalldezit, gjë që tregon për shkollimin e grave myslimane).
Në vitin 1957, ia dhamë dokumentacionin, vijonte të më tregonte Rustem Myteveliu, por me kushtin e pasjes në huapërdorim. Po atë vit, në buletinin ‘Për shkencat shoqërore’, nr. 3, viti 1957, u botuan për herë të parë dy dekrete perandorake me titullin: “Dy dokumente mesjetare mbi Shqipërinë”, dhe nëntitull: “Berati i Sulltan Bajazitit II dhe Vakëfnameja e Mirahor Iljaz Beut”. Me këtë rast botuesi i materialeve na dhuroi një kopje me mbishkrimin: Familjes Hysen Myteveli që Korça i është mirënjohëse për dokumentet historike që i ka ruajtur me kujdes të madh për t’i përdorur në ditët e sotme për historinë e lavdishme të popullit shqiptar. Petraq Pepo, Tiranë 12,1.1957”.
Pas vdekjes se Iljaz Beut, populli e shpalli Mirahorin si njeri të shenjtë dhe e varrosën me nderime madhështore pranë Xhamisë së Madhe, që ai vetë e kishte ndërtuar në Korçë, që nga viti 1486. Atje i ndërtuan edhe tyrben (varrin), që është edhe sot, ku vazhdimisht janë bërë dhe bëhen homazhe, por me ndalimin e fesë në Shqipëri, më 1967, materialet dhe pajisjet që ndodheshin në xhami dhe tyrbe u plaçkitën.
“Me iniciativën time, kujtonte Rustem Myteveliu (i riu), ngritëm Këshillin nismëtar për rihapjen e Xhamisë dhe Tyrbes,(ato ishin të shtruara me dysheme dërrase dhe mure guri), gjë që e realizuam më 20 janar 1991, ora 10.00, ku morën pjesë 20.000 banorë të qytetit dhe fshatrave përreth. ndërkohë ngritëm në tyrbe rozaret e varreve Iljaz bej Mirahori, të gruas dhe djalit të tij, Sefer shah Beun. Gjithsesi, mundëm t’ia dilnim mbanë për të ruajtur këto dokumente të cilat sot gjenden në Arkivin e Shtetit. /tesheshi.com/