Kryeministri Isa Mustafa hodhi poshtë me anë të Facebook-ut, lajmin e publikuar në disa portale në Prishtinë se ai ka ndikuar në emërimin e dy personave në pozita editoriale në RTK. Lajmi i transmetuar theksonte se emërimi i dy personave në fjalë “është bërë në marrëveshje me kryeministrin dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës “.
“Kjo është një e pavërtetë e madhe”, shkruan Mustafa duke mbrojtur pozicionin e tij, në një postim në Facebook.
Ai i konsideroi tendencioze përpjekjet për ta lidhur LDK-në dhe atë vetë personalisht me emërimet apo zhvillime të tjera brenda Radio-Televizionit të Kosovës.
“As unë, as stafi im dhe askush në emër të Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk ka kërkuar emërimin e asnjë emri të përveçëm në pozita editoriale. Si kryeministër i Kosovës, mbetem i përkushtuar për ta mbështetur depolitizimin e transmetuesit publik dhe shndërrimin e tij në një shërbim cilësor për tërë publikun kosovar”, thuhet në reagimin e kryeministrit Mustafa në Facebook. /tesheshi.com/