Anglia elizabetiane e shekullit të gjashtëmbëdhjetë ka pasur gjithnjë një vend special në të kuptuarit që kombi anglez i bën vetes. Por shumë pak e dinë se ajo kohë ishte gjithashtu, hera e parë që muslimanët nisën të jetojnë hapur, duke punuar dhe duke ushtruar besimin e tyre.
Sipas historianit Jerry Brotton, muslimanët nga origjina të ndryshme, që nga Afrika e Veriut, Lindja e Mesme dhe Azia Qendrore jetonin në Londrën e shekullit të gjashtëmbëdhjetë, duke punuar si diplomatë, tregtarë, përkthyes, muzikantë, shërbyes.
Arsyeja e pranisë së muslimanëve në Angli rrjedh nga izolimi që kishte krijuar mbretëresha Elisabeta prej Europës katolike. Shkishërimi i saj zyrtar nga papa Piu V në vitin 1570 i mundësonte asaj të vepronte jashtë vendimeve papale që u ndalonin tregtinë të krishterëve me muslimanët. E kështu ajo krijoi aleanca tregtare dhe politike me disa shtete të ndryshme islamike, ku përfshiheshin dinastia marokene Sa’adian, Perandoria Osmane dhe perandoria Shiite perse.
Ajo dërgoi diplomatët e saj dhe tregtarët në botën muslimane për të shfrytëzuar këtë boshllëk teologjik, dhe në këmbim muslimanët nisën të mbërrijnë në Londër, ku përshkruheshin në mënyra të ndryshme, herë si maurë, indianë, negro apo turq.
Përpara mbretërimit të Elizabetës, Anglia – si edhe pjesa tjetër e krishtërimit – kuptonte e njihte vetëm një version të turbullt të Islamit përmes eksperiencave të përgjakshme e të polarizuara të Kryqëzatave.
Asnjë i krishterë madje, nuk i njihte fjalët “Islam” apo “muslimanë” që hynë në gjuhën angleze vetëm në shekullin e shtatëmbëdhjetë. Në vend të këtyre fjalëve, ata përdornin termin “saraçenë”, një emër që konsiderohej në kohët mesjetare se ishte marrë nga një prej pasardhësve të Abrahamit (me shërbyesen Hagar) i cili besohej se kishte themeluar 12 tributë e para arabe.
Të krishterët thjesht nuk mund të pranonin se Islami ishte një besim fetar bashkëkohor. Në vend të kësaj, ata e hidhnin poshtë atë si një deformim pagan politeist apo një deformim heretik të krishtërimit. Pjesa më e madhe e teologjisë muslimane shkurajonte besimtarët për të udhëtuar në tokat e krishtera apo në “Shtëpinë e Luftës” që konsiderohej një kundërshtare e përjetshme e “Shtëpisë së Islamit”.
Por, me ndërhyrjen e Elizabetës, kjo situatë nisi të ndryshonte. Në vitin 1562, tregtarët e Elizabetës arritën në oborrin e shahut pers Tah’masp ku u njohën me dallimet teologjike midis besimit suni dhe shiit, e u kthyen në Londër për t’i paraqitur mbretëreshës një skllave të re muslimane tatare që e quanin Aura Soltana.
Ajo u bë shërbyesja më e “shtrenjtë dhe e dashur” e mbretëreshës që vishte fustane të bëra me mëndafsh të Granadës dhe i paraqiti Elizabetës modën e të veshurit sandale lëkure spanjolle.
Me qindra të tjerë mbërritën nga tokat islamike dhe megjithëse asnjë kujtim nuk ka mbijetuar nga ajo kohë, shkëndija të jetëve të tyre elizabetiane mund të shihen në regjistrat e famullive të Londrës.
Në vitin 1586, Francis Drake u kthye në Angli nga Kolumbia me qindra turq të zënë rob nga spanjollët në Mesdhe dhe të skllavëruar në Amerikë. Një prej tyre, i njohur vetëm me emrin Chinano, është muslimani i parë që njihet të jetë konvertuar në protestanizmin anglez.
Ai u pagëzua në kishën e shën Katarinës në afërsi të kullës së Londrës, ku mori emrin William Hawkins, dhe ku këmbënguli se “nëse nuk kishte një zot në Angli, atëherë nuk kishte në asnjë vend tjetër”.
Ndoshta ai e mendonte vërtet këtë dhe u përfshi nga identiteti i ri anglikan, apo ai thjesht ishte aq i zgjuar sa ta dinte mirë se çfarë u duhej thënë pronarëve të rinj anglezë. Cilado të jetë e vërteta, si edhe shumë turq të tjerë, ai u përfshi shpejt në jetën e shpejtë të Londrës, duke marrë me vete besimin e tij të vërtetë.
Sesa të sinqerta ishin bisedat e Chinano-s nuk do të dihet kurrë, por ai nuk ishte i vetmi dhe shumë të tjerë si ai, kërkonin të siguronin jetesën në zona të ndryshme urbane. Ndër ta kishte zejtarë, tjerrës, rrobaqepës, e punues metalesh.
Por, histori të tilla kishin dy anë. Me qindra burra e gra të kohës së Elizabetës udhëtuan në tokat muslimane në kërkim të fatit të tyre dhe shumë u konvertuan- disa me detyrim, por shumë të tjerë me dëshirë në Islam. Ndër ta ishte edhe tregtari nga Norfolku, Samson Rowlie, që u kap nga piratët turq pranë brigjeve të Algjerit në vitin 1577, ku u burgos dhe u konvertua në Islam. Ai mori emrin Hassan Aga dhe bëri karrierë deri në shefin e eunukëve dhe shef i thesarit të Algjerit ashtu sikundër edhe një nga këshilltarët më të besuar të guvernatorit osman të qytetit. Ai nuk u kthye kurrë në Angli apo në rrënjët kristiane.
Aleancat e Elizabetës me osmanët, persët dhe perandoritë marokene gjithashtu, sollën në Londër edhe muslimanë të elitës. Të dhënat tregojnë për diplomatë turq që ishin dërguar në vitet 1580, edhe pse nuk ka mbijetuar asnjë gjurmë e tyre.
Më shumë detaje kanë mbetur nga ambasadat marokene nga një dekadë më pas. Në vitin 1589, ambasadori maroken, Ahmed Bilqasim hyri në Londër me ceremoni shtetërore, duke propozuar një nismë ushtarake kundër “armikut të përbashkët, mbretit të Spanjës”.
Edhe pse propozimi anti-spanjoll nuk pati gjë konkrete në fund, ambasadori maroken lundroi me një flotë angleze gjatë atij viti e cila sulmoi Lisbonën me mbështetjen e sundimtarit maroken, Mulay Ahmed al-Mansur.
Vetëm 10 vjet më pas, një tjetër ambasador maroken i quajtur Muhammad al-Annuri mbërriti në Londër me një shpurë të gjerë tregtarësh, përkthyesish, njerëzish të shenjtë e shërbyesish që qëndruan për gjashtë muaj duke jetuar në një shtëpi në Strand e ku londinezët mund t’i shihnin duke praktikuar besimin e tyre fetar.
Dikush raportonte se ata “vrisnin gjënë e gjallë brenda shtëpisë, si qingja, dele, apo pula” dhe “kthenin fytyrat nga lindja kur vrisnin ndonjë gjë të këtillë, ata përdornin rruzare dhe u luteshin shenjtorëve”.
Al-Annuri porositi portretin e tij, u takua me Elizabetën dhe me këshilltarët e saj dy herë dhe madje, propozoi një pushtim të përbashkët të Spanjës mes protestantëve dhe islamikëve, si dhe një sulm nga deti mbi kolonitë e saj në Amerikë.
Plani besohet se nuk gjeti mbështetje pasi Elizabeta i frikësohej zemërimit të osmanëve, që në atë kohë ishin kundërshtarë të Al Mansour.
Aleanca u prish menjëherë pas vdekjes së Elizabetës dhe vendimit të pasardhësit të saj, James I për të bërë paqe me Spanjën katolike. Por prania e muslimanëve si al-Annuri, Ahmed Bilqasim apo individëve më modestë se këta si Chinano apo Fillis mbetet një aspekt i lënë në harresë por shumë domethënës i historisë së periudhës elizabetiane. Ai tregon se muslimanët kanë qenë pjesë e Britanisë dhe historisë së saj shumë më herët nga sa shumë njerëz mund ta imagjinojnë.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/