Mes një shovinizmi në rritje dhe revoltës populiste, letërsia e së ashtuquajturës “mesnata e shekullit” po rikthehet në vëmendjen e publikut dhe të kritikëve. Midis viteve 1930-1950 – ndërsa imperializmi, fashizmi dhe stalinizmi konkurronin nëpër botë – makthet krijuan forma të reja e të dhunshme ndërsa shkrimtarët u bënë dëshmitarë të luftës së madhe, krimeve edhe më të mëdha, dhe rrjedhimisht edhe përdorimit të armëve më të fuqishme në historinë e njerëzimit. Romane distopianiane si ato “Nuk mund të ndodhë këtu” (1935) nga Sinclair Lewis apo “1984” (1949) nga George Orwell janë rikthyer në modë, ndërsa lexuesit kërkojnë paralele me të kaluarën dhe të dhëna për atë që mund të ndodhë në hapin e radhës.
Neil Bartlett, një regjisor teatri, duket veçanërisht i frymëzuar nga një libër i asaj epoke. “Infektimi, pushtimi, paniku, kufijtë e mbyllur”, provokon ai “mund të jetë një roman klasik, por pasi e rilexon, duket sikur po sheh lajmet e orës dhjetë”
Bëhet fjalë për “Murtajën” e Albert Kamysë.
Romani i vendos ngjarjet në qytetin algjerian Oran, përshkruar si një qytet bregdetar i ngathët e i pluhurosur , “ndërtuar me shpinën e kthyer nga porti”. Romani nis kur protagonisti Dr Rieux, fillon të shohë minjtë e ngordhur. Shpejt edhe njerëzit po bien përdhe të vdekur e me gjasa, Oran e gjen veten në karantinë, të izoluar nga pjesa tjetër e botës.
Qytetarët ndahen nga miqtë, familja dhe të dashurit e tyre përtej kufijve të qytetit dhe banesat ku ndodhin vdekje vendosen po ashtu në karantinë nga pjesa tjetër e qytetit. Nuk kalon shumë përpara se qindra njerëz të vdesin për çdo ditë: funeralet zëvendësohen me ceremoni të shpejta varrimi pas dyerve të mbyllura të varrezave. Shpejt nis dhuna dhe grabitjet. E ndërsa trupat e pajetë bëhen pirgje, nis të mbizotërojë klima e dëshpërimit dhe dorëzimit.
Kamy e zgjedh qytetin Oran për një karakteristikë sunduese: në zakonshmërinë e vet, Oran mund të vuajë në emër të pothuajse çdo qyteti në tokë. Në një përzgjedhje të ngjashme, edhe rivënia në skenë nga ana e Bartlett i ngre ngjarjet në një skenë bosh, vetëm me tavolina dhe karrike. Murtaja përshkruhet ftohtësisht nga pas një paneli në formën e një konference makabre për shtyp. Më pas, tryeza ndryshon destinacion, përdoret si krevat spitali. Një përgjithësim i tillë është kaq i fortë për shkak se pjesa më e madhe e topave distopianë u shkruan për të marrë në shqyrtim mjetet e autoritarizmit.
“Murtaja” kërkon të ekspozojë reagimin kolektiv njerëzor ndaj një situate pabesueshmërisht pesimiste. Për Kamynë, kjo përfshihet në mënyrë pasive duke përshkruar reagimin e njerëzve që nuk kanë më shpresë dhe as rrugëdalje, pa u shtuar atyre asgjë specifike që t’i bëjë francezë apo algjerianë.
Përgjatë gjithë librit, Dr Rieux performon detyrën e tij me një profesionalizëm të ngurtë dhe një indiferencë që shtohet ndaj fatit të pacientëve të tij. Ashtu sikundër vijojnë realitetet e përditshme të murtajës, ashtu bëhet e pashmangshme edhe një distancë fizike dhe emocionale e doktorit me pacientët e tij: lodhja nga dhembshuria nis të shfaqet.
Ndërkohë, gruaja e tij është në gjendje të rëndë nga një sëmundje që nuk ka lidhje me murtajën dhe po vdes e vetme përtej kufjve të karantinës. Moment që ndryshon gjithçka në histori, është kur Rambertit, një gazetar i lirë që e gjen veten në vendin e gabuar në kohën e gabuar kur qyteti izolon veten, i ofrohet një mundësi për t’u arratisur dhe ai e refuzon atë. Ai mbetet pas për të punuar me miqtë e tij dhe për të luftuar murtajën.
Në fund, sëmundja kalon dhe Oran është sërish i hapur ndaj botës. Narratori na kujton në faqet e fundit të librit se banorët vendas duartrokasin të pandërgjegjshëm se “bacili i murtajës nuk vdes e nuk zhduket kurrë, që mund të mbetet i fjetur për dhjetëra vjet në mobilje apo në rroba, që pret me durim në dhomat e gjumit, qilarët, bagazhet, shamitë e duarve dhe letrat e vjetra e ndoshta do të vijë dita kur, për shkak të fatit të keq të njerëzimit, murtaja do të kalojë tek minjtë dhe do t’i dërgojë ata të ngordhin në ndonjë qytet të vetë-kënaqur”.
Disa do të argumentonin duke thënë se ajo ditë ka mbërritur, ose po agon. Shkruar si një alegori për jetën në Parisin e pushtuar, romani i Kamysë nuk është një portret nga afër i së keqes apo dominimit. Në vend të kësaj, ai shërben si një udhërrëfyes për viktimizimin dhe dëshpërimin që sjell një krizë jashtë kontrollit: kjo është edhe arsyeja përse romani rezonoi më shumë se çdo gjë tjetër gjatë mesnatës së shekullit të kaluar. Sot, kotësia e përpjekjeve të Rieux mund të flasin për ata që mbartin një frikë të llahtarshme se idetë e mira nuk konsiderohen më të vlefshme nga elektoratet e zemëruara e ikonoklastike.
Papritur me miliona njerëz janë sërish duke parë pasaportat e tyra dhe duke hamendësuar se ku dhe kur mund të jenë të mirëpritur. Përshkrimi i zakonshëm i fakteve, argumentet racionale dhe apelet ndaj dhembshurisë, nuk e maskojnë shumë pafuqinë e të qënit të ndershëm. E megjithatë, nuk ka ndonjë anti-helm të ditur. Fatmirësisht nevoja jonë për shpëtim është po kaq e vërtetë sa ç’ishte 70 vjet më parë kur protagonisti i Kamysë del në përfundimin se “ka më shumë gjëra tek njerëzit që duhen admiruar sesa ato që duhen përbuzur”.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/