Ndërtimi i murit tek ura e Ibrit në Mitrovicë ka bërë të plasin reagime të mëdha në Kosovë, duke paralajmëruar destabilizim të situatës nëse nuk rrënohet siç po quhet “muri ndarës” i këtij qyteti.
Të irrituar me palën kosovare dhe rezultatin negative të bisedimeve, dhe ndërtimin e murit, veteranët e Skenderajt kanë paralajmëruar se do të jenë të gatshëm që të kontribuojmë për atdheun dhe mbrojtjen e vlerave të luftës çlirimtare.
Kryetari i degës Emin Lati, kryesia dhe anëtarësia e gjerë e Organizatës së Veteranëve të Luftës në Skenderaj, duke e parë situatën aspak të mirë në veri të Mitrovicës, që ende pa u hequr mirë shenjat e të ashtuquajturit “Park Lirie”, aty po ndërtohet-betonohet muri, thotë se veteranët e Skenderajt, siç ishin gjatë luftës së lavdishme çlirimtare, prapë do të jenë në shërbim të popullit e të atdheut, dhe mbrojtjen e vlerave të luftës çlirimtare.
“Nëse na thërret atdheu, ne nuk do të kursejmë asgjë. Veteranët e Skënderajt, përkrahin çdo vendim të Kryesisë Qendrore, për mbrojtjen e integritetit territorial të vendit”, thuhet në reagimin e veteranëve të Skenderajt.
Ndryshe, qeveria e Kosovës është deklaruar se për rastin në fjalë do të ndërmarrin veprime në bazë të ligjit, ku më direkte ka qenë kryenegociatorja Edita Tahiri që ka paralajmëruar rrëzimin e murit, derisa kreu i Mitrovicës Veriore, Goran Rakiq, ka thënë se parku nuk do të rrënohet. /tesheshi.com/