Çdo të thotë të jesh imam në një vend perëndimor, siç është fjala vjen Austria. Muhamed Jashari do kishte dashur të qëndronte në Shkup, prej dhe nga është, por ja që Maqedonia nuk është ajo çka do dëshironte të jetë dhe, meqënëse ka dhe arsimin fetar, veç atij tjetrit qo do ia mundësonte t’i hapeshin dyert kudo ku njeriu vlerësohet sipas meritës, ai ka marrë me pahir rrugën e mërgimit, jo aq si mërgimtar klasik, pra që shkon gjetkë për bukën e gojës, por për t’u shërbyer me mësimin e fesë emigrantëve të atjeshëm. Dhe në Austri, ai ka gjetur një ambient vërtet joshës, europian në kuptimin më të bukur të fjalës, ku respektohet besimi, por dhe i jepet mundësia njëriut që të rend drejt horizonteve të dijes, pa u ndjerë në angështi prej padrejtësive, siç ndodh rëndom të toka jote, vendi ty, i uzurpuar prej udhëheqësish shpirtngushtë e pa vizion….
Intervistoi: Mensur Krasniqi
Nga një medresant në magjistër i marrëdhënieve ndërkombëtare. Pse nuk vazhduat më tutje studimet për teolog, por ndryshove tërësisht drejtimin?
Të isha një medresant, ishte një dëshirë e kamotshme e imja. Në Medresenë e Shkupit – “Medreseja Isa Beu”, arrita që t’i zgjerojë edhe më tepër njohuritë e mia për bazat dhe themelet e Islamit. Në mesin e shoqërisë tonë është prezent bindja se çdo kush i cili është nxënës medreseje, automatikisht të bëhet edhe teolog! Konsideroj se kjo është një bindje e gabuar. Në Medrese nxënësit kanë mundësi – që krahas lëndëve fetare – t’i mësojnë edhe lëndët që mësohen në gjimnaz. Ajo çfarë e bën të veçantë medresenë nga shkollat tjera të mesme, është fakti se në medrese mësohen pesë gjuhë, edhe atë: gjuhën shqipe, maqedonishte, turqishte, gjuha arabe dhe gjuha angleze. Të gjitha këto gjuhë, çdo nxënës i medresesë i mëson që nga viti i parë, e deri në vitin e katërt. Aty patëm mundësi që në mënyrë të hollësishme të njihemi me qytetërimin dhe kulturën islame, të mësojmë për prezencën e Islamit në hapësirat gjeografike të Afrikës Veriore, mësuam historinë e artë tetë-shekullore të Islamit në Spanjë, si dhe rolin që patën myslimanët në renesancën e evropiane.
Po ashtu mësuam edhe për përhapjen e Islamit në Sicili, sundimin osman në Ballkan, depërtimet e Islamit në Azi të mesme, Indi, e Kinë. Mendoj se këtu ekziston një ndërlidhje me drejtimin të cilin zgjodha më pas. Falë njohurive mbi këto të dhëna, tek unë u zgjua kureshtja që në të ardhmen të studioj marrëdhëniet ndërmjet popujve dhe vendeve të ndryshme, luftërat brenda kontinentit të Evropës, konfliktet dhe bashkëpunimin e mbretërive e shteteve të ndryshme, etj. Arsyeja tjetër është edhe çështja e gjuhëve siç përmenda më lart, pasi që me përfundimin e medresesë nxënësi – krahas gjuhës shqipe dhe asaj maqedonase – arrin të komunikoj në gjuhën angleze, arabe dhe në atë turke. Aftësitë komunikuese në gjuhë të ndryshme i ndihmojnë një hulumtuesi të studimeve të Marrëdhënieve Ndërkombëtare. Kam bindjen se të jesh një studiues i kësaj fushe, duhet të jesh një poliglot dhe të posedosh njohuri mbi historinë dhe gjeografinë. Këto ishin edhe arsyet që unë të përcaktohem për drejtimin në shkencat politike, studime këto që i përfundova në Universitetin e Evropës Juglindore/UEJL/Tetovë, e më pas studimet postdiplomike në fushën e Marrëdhënieve ndërkombëtare dhe diplomacisë në Universitetin “Shën Qirili dhe Metodi” në Shkup.
Edhe përkundër faktit që ishe një student shembullor, magjistrant me një mesatare mjaft të lartë, ju nuk arritët të gjeni një vend pune në ndonjë nga institucionet shtetërore në Maqedoni, Pse?
Kjo është një e “keqe e domosdoshme” që me të duhet të ballafaqohet çdo i diplomuar, pa marrë parasysh sukseset e tija gjatë studimeve. Fatkeqësisht shoqëria jonë është shndërruar në atë gjendje, sa që pushteti tanimë të rinjtë nuk i sheh si vlerë por vetëm si numër, përkatësisht si votë. Pushteti prodhoi një situatë të atillë ku një që qytetar ose duhet të jetë me të (pushtetin) ose kundër tij. Mendimi kritik është në gjendje kome. Tek ne ka vite që është përdhos demokracia, ajo është “ballkanizuar”. Partizimi i skajshëm institucioneve të vendit bëri që shumë të rinj dhe të reja të bredhin rrugëve, dhe të mbeten pa punë.
Kjo ka bërë qindra të rinj të mos jenë në marrëdhënie pune. Një pjesë bukur e madhe e tyre kanë marrë rrugën për në mërgim pasi që nuk kishin rrugëdalje tjetër. Madje kjo nuk është karakteristike vetëm për Maqedoninë, një gjë e tillë është vërehet edhe në Kosovë. Pasuria më e madhe që mund ta ketë një popull s’do mend se është rinia, por pushteti këtë shtresë të shoqërisë e ka lënë pas dore. Sot i riu nuk çmohet në bazë të backgroundit akademik e intelektual, por në bazë të asaj se sa aktiv ka qenë në kampanjën parazgjedhore. Uroj që të kemi rini me një vetëdije të lartë të kulturës politike, por të mos jetë nën diktat të partisë.
Në pamundësi për ta gjetur veten në profesionin tuaj, për një periudhë të shkurtë qëndruat në Austri, edhe atë si imam. Na tregoni diçka më tepër rreth kësaj?
Në Austri, përkatësisht në Vjenë qëndrova që nga gushti i vitit të kaluar. Falë punës së palodhshme të bashkëkombësve tanë në Austri, mërgata shqiptare atje me mjaft mund dhe sakrificë ka arritur të themelojë shoqata dhe qendra shqiptare islame të ndryshme. Në bazë të disa shifrave të vitit 2012, përafërsisht 80 mijë shqiptarë banojnë në Austri. Në Vjenë isha imam në një xhami (xhamia En-Nur) në qarkun e 11-të, të themeluar nga disa shkupjanë.
Në Austri krahas punës si imam, vazhdova të ndjekë edhe kurset e gjuhës gjermane dhe kjo më ndihmoi edhe më tepër. Vjena është një qytet i bukur, një vend i dijes dhe i kulturës. Ajo posedon një histori të bollshme. Posedon universitet me një traditë 650-vjeçare dhe studentë nga vende të ndryshme të botës. Në shkollën e gjuhëve në Vjenë pata mundësi të njihem me njerëz nga 43 shtete, që nga Lima e Perusë e gjerë në Hiroshimë të Japonisë. Kjo është një përvojë e mrekullueshme, njihesh me njerëz të kulturave dhe feve të ndryshme. Në një ambient të tillë nuk ka se si të të mos të bie ndër mend thënia kuranore: “Ju bëmë popuj e fise të njiheni me njëri tjetrin”, të kaptinës Huxhurat.
A ndryshon mënyra e jetesës së një imami nga të tjerët?
Islami është fe dhe sistem i atillë që i përshtatet natyrës njerëzore. Në botëkuptimin islam, imami nuk është “njeri i shenjtë” por njeri sikurse gjithë tjerët. Vetëm se ai ka më shumë përgjegjësi. Të jesh imam do të thotë të jesh prijës i një grupi të caktuar njerëzish, kjo është një punë fisnike. Për të qenë një imam i suksesshëm, ai vazhdimisht duhet të jetë në kontakt me botimet e reja, shtypin etj. Leximi për të, duhet të jetë sikurse ushqimi ditor, kështu ai arrin të pasurojë edhe vokabularin e tij në gjuhën shqipe.
Në këtë botë të ndërvarur, imami shqiptar medoemos duhet të përcjellë edhe zhvillimet politike, ai nuk duhet të jetë indiferent për problematikat që ballafaqohen bashkëkombësit e tij. Përmes aktiviteteve të ndryshme të cilët i ndërmarrin prijësit fetar në diasporë arrijnë që të krijojnë afërsinë mes tyre dhe xhematit. Aktivitete e ndryshme sportive, tribunat etj., janë po ashtu faktorë që tërheqin rininë drejt binareve të duhura, dhe një të ardhme të ndritshme. Konsideroj se një imam duhet të jetë forcë nxitëse për shkollimin e rinisë, kjo vlen si në vendlindje po ashtu edhe në mërgatë. Pra, kthehem edhe një herë sikurse përmenda më lartë, mënyra e jetës së imamit nuk ndryshon nga të tjerët vetëm se ky i fundit ka më tepër përgjegjësi.
A mund të na tregoni diç në lidhje me jetën e myslimanëve në Austri, organizimet e tyre, si dhe xhamitë, janë nën ingerenca të shtetit apo financohen nga myslimanët?
Ajo që duhet të theksoj është fakti se myslimanët në Austri gëzojnë të gjitha të drejtat. Nëse demokracia do të kishte ndonjë formë se si dukej, besoj se ajo do ishte Austria. Në Austri jeta fetare dhe organizimet e komunitetit mysliman parashihen me atë që quhet “Islamgesetz” ose Ligji Islam, e që daton nga vitit 1912. Përafërsisht përqindja e myslimanëve sillet nga 6-7% të popullatës së përgjithshme. Në shkollat publike të Austrisë nxënësit kanë mundësi që të mësojnë lëndën e mësim besimit. Në Vjenë ekziston IRPA – “Akademia e Pedagogjisë së Religjionit Islam”, këtu përgatiten mësuesit e ardhshëm të mësim besimit islam. Po ashtu, në kuadër të Universitetit të Vjenës është katedra e studimeve të Pedagogjisë Islame.
Në Austri ekziston një ndër qendrat më të njohura islame në Evropë dhe xhamia afër saj, e njohur si xhamia me minare buzë Danubit, e cila u ndërtua në vitin 1975 me ndihmën e mbretit të Arabisë Sauditë të asaj kohe. Ekziston një bashkëpunim i ngushtë mes bashkësive fetare në Austri dhe institucioneve shtetërore. Myslimanët në Austri mund që të themelojnë qendra të ndryshme edukative kulturore në kuadër të tyre edhe xhami, natyrisht të gjitha janë nën kompetencat e bashkësisë islame të Austrisë, pra si organ zyrtar. Vlen të përmendet se një pjesë e mirë e objekteve ku ndodhen xhamitë apo shoqatat tanimë janë nën pronësi të myslimanëve përfshirë këtu edhe mërgimtarëve shqiptarë.
Mund të bëni krahasimin, çka e dallonte xhematin atje nga xhemati i xhamive të Shkupit?
Xhemati jo vetëm i xhamive të Shkupit por edhe i gjitha trevave tjera ka një përparësi nga shkaku se xhamitë i ka të trashëguara që moti. Mërgimtarët tanë, derisa themelojnë një qendër edukative kulturore islame diku në Evropë ose Austri, ballafaqohen me sfida të ndryshme. Fillimisht ata duhet të gjejnë një lokacion të përshtatshëm, ngase jo të gjithë banojnë në një vend. Më pas është faza e tubimit të anëtarëve të xhamisë, sepse realisht kështu mbahen xhamitë dhe qendrat. Ajo çfarë duhet të përmendim është fakti se mërgimtarët shqiptarë krahas angazhimeve të shumta si në punë ashtu edhe në familje, ata ndajnë kohë që të përkujdesen edhe për mirëmbajtjen e xhamive. Mirëmbajtja e tyre jo vetëm në Austri por edhe në vendet tjera evropiane, zakonisht bëhet përmes anëtarësimit dhe kontributeve tjera.
Tanimë është i njohur roli i mërgatës kur ishin në pyetje proceset kombëtare me të cilat kaloi populli ynë. Falë mundësive të tyre financiare, xhematlinjtë e diasporës vazhdimisht kontribuojnë për vendlindje, ashtu siç kanë kontribuar edhe në të kaluarën. Rasti më i freskët se si u bë një mobilizim mbarë kombëtar në Austri – por edhe gjithandej nëpër Evropë- janë ndodhitë e fundit që goditën Kumanovën me 9 maj. Me qëllim solidarizimi me Kumanovën, xhamitë dhe qendrat tjera shqiptare në Austri morën iniciativë që të tubohen mjete financiare, dhe të njëjtat u dedikuan për familjet e dëmtuara nga kjo tragjedi. Nuk ka bisedë e ndeje e që xhematlinjtë atje të mos flasin dhe të kujtojnë bashkëkombësit. Atdhedashuria e tyre në asnjë mënyrë nuk është zbeh, madje kjo vërehet edhe tek gjeneratat e dyta.
Përveç shqiptarëve, a kishte dhe nga etnitete tjera që vijnë të falen në atë xhami?
Në xhaminë En-Nur në Vjenë, të gjithë anëtarët janë shqiptarë dhe atë prej viseve të ndryshme etnike që nga Ohri e gjerë në Mitrovicë si dhe luginë të Preshevës. Mirëpo në xhami nuk mungojnë as besimtarë të etnive dhe racave tjera, nga vende të ndryshme të botës. Në lidhje me këtë më lejoni që të përmend një rast. Një ditë prej ditësh –ditë xhumaje- në xhami hyri një person i panjohur për mua, në shikim të parë dukej se është shqiptar.
I afrohem që ta përshëndes dhe i flas në gjuhën shqipe, ai e mori përshëndetjen mirëpo ma bëri me dije se nuk kupton shqip pasi që ishte refugjat sirian. Më vonë në bisedë e sipër me të, kuptova se ai vinte nga qyteti Xheble (qytet perëndimor i Sirisë). Me që e kuptoi se xhamia është themeluar nga shqiptarët, atëherë mu drejtua e tha: “Gjyshja ime na thonte se të parët tanë janë arnautë (shqiptarë)”. Pra, në xhamitë që mirëmbahen nga shqiptarët por edhe xhami tjera prezantojnë besimtarë të etnive të ndryshme.
Aktualisht ndodheni në Maqedoni. Çfarë mendoni të bëni? Do të vazhdoni studimet e doktoratës në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare apo mendoni të ktheheni përsëri në Vjenë?
Pa dyshim se në një të ardhme të afërt do të vazhdojë studimet e doktoratës në fushën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare. Kjo është një lëndë që e admiroj. Në Vjenë nëse arrijë të pranohem në Universitetin Vjenës do të vazhdoj studimet atje, përndryshe ka gjasë që të qëndroj në Shkup. /tesheshi.com/