Spanjolli i skuadrës Repsol Honda fitoi një garë që dukej e pamundur për të, ndërsa në Gjermani kushtet e motit e bënin pilotimin tejet të vështirë.
Marquez ia doli ta kalonte finishin i pari për herë të shtatë radhazi në Gjermani në të gjitha kategoritë e garave, duke e thelluar diferencën me kundërshtarët në kryesimin e përgjithshëm të botërorit të Moto GP-së.
Ai do të kishte një nisje të vështirë në pistën e pushtuar nga shiu, por vendimi për të ndërruar motorin në xhiron e 17-të rezultoi të qe i duhuri, sepse i dha një epërsi të jashtëzakonshme.
Pas tij në finish, me gati dhjetë sekonda më shumë, do të kalonte britaniku Cal Crutchlow, me LCR Honda, e i treti do të qe Dovizioso i Ducati-t.
Vetëm i 15-ti do ta përfundonte garën rivali i Marquez-it, e kampioni i botës në fuqi, spanjolli tjetër Jorge Lorenzo. Motori Yamaha do të kishte një ditë të vështirë, pasi dhe Valentino Rossi do të renditej i teti.
Me sytë nga titulli i tretë në Moto GP, Marquez e kryeson kampionatin me 170 pikë, 48 më shumë se Lorenzo i vendit të dytë. Shtatë herë kampioni i botës, italiani Rossi ka 111 pikë pas garës së sotshme, e gjendet, si rëndom në këtë sezon, në vend të tretë. /tesheshi.com/