Spanjolli ka kryesuar nga fillimi gjer në fund të garës në Le Mans, duke e kaluar finishin dhjetë sekonda para ndjekësit të tij më të afërt, shokut dhe rivalit te Jamaha, Valentino Rossi-t.
Gara e pestë sezonale në Moto GP është karakterizuar nga rrëzimet e shumta, ku më spektakolari ka qenë ai i dy pilotëve njëkohësisht njëri pas tjetrit, Dovizioso-s dhe Marc Marquez-it.
Plot tetë pilotë nuk arritën ta mbyllin garën, me vetëm njërin prej tyre që pati probleme teknike me motorin e tij.
Rossi u nis i shtati në start, për të përfunduar i dyti, por pa arritur ta sfidonte Lorenzo-n. I treti e përfundoi garën Maverick Vinales, në podiumin e tij të parë në këtë kategori garash. Për Suzuki-n që piloton ai ishte gjithashtu podiumi i parë që nga viti 2008.
Një tjetër spanjoll, Dani Pedrosa, do të nisej me Repsol Honda-n nga vendi i 11-të, e do të renditej i katërti, duke përfituar nga rrëzimi i pilotëve përpara tij.
Lorenzo e kryeson kampionatin tani me 90 pikë, pesë më shumë se Marquez i vendit të dytë. Valentino Rossi vjen i treti në renditjen e përgjithshme, me 78 pikë. /tesheshi.com/