Nga Blendi Gashi
Ramush Haradinaj, i cili nisi kauzën e Demarkacionit me Malin e Zi duke paralajmëruar se Kosova i humb mbi 8 mijë hektarë me marrëveshjen e nënshkruar nga Thaçi, çka i bëri jo pak presion si opozitar ish-kryeministrit Isa Mustafa, tani gjendet në një situatë të njëjtë, në mos më të vështirë, ku në njërën anë SHBA haptas i ka kërkuar sa më parë të ratifikojë marrëveshjen, kurse në anën tjetër partneri i koalicionit PDK po ja bën çdo ditë e më shumë të ditur se nuk mbështet komisionin e ri në krye me ish-deputetin e LDK-së, Shpejtim Bulliqi.
E nervozuar me stërzgjatjen e këtij procesi dhe deklarimet e të përzgjedhurit të Haradinajt në komisionin kuvendar për Integrime Evropiane se komisioni i vjetër “Meha” qysh në takimin e dytë e ka ditur se po humbet tokë, Uashingtoni ka quajtur pohime të pabazuara, çorientuese, dhe të gabueshme, duke thënë se marrëveshja ekzistuese pasqyron një process të saktë të përcaktimit të kufirit nga komisioni shtetëror dhe ekspertë të shumtë të njohur ndërkombëtarisht.
“Në vitin 2015, Departamenti i Shtetit konfirmoi se marrëveshja origjinale saktësisht pasqyronte vijën kufitare që ka ekzistuar mes Kosovës dhe Malit të Zi që nga viti 1974. Që nga atëherë nuk kanë dalë fakte që do ta vënin në dyshim atë vendim. Vënia në dyshim e marrëveshjes dhe zvarritja e procesit të ratifikimit kërcënojnë marrëdhëniet e Kosovës me fqinjët e saj dhe me BE-në, dhe e lënë Kosovën dhe qytetarët e saj të izoluar”, thuhet në deklaratë.
SHBA ka shkuar më tej duke kërkuar nga institucionet ta votojnë marrëveshjen.
“Tani është koha që institucionet e Kosovës të punojnë për të promovuar interesat e qytetarëve të Kosovës në këtë çështje. Ne nxisim politikanët e Kosovës që të shikojnë përtej interesave personale partiake dhe politikës partiake, dhe që të përqëndrohen në nevojat e qytetarëve të tyre duke e ratifikuar marrëveshjen ekzistuese sa më shpejtë që është e mundur”, thuhet në deklaratën e ambasadës së SHBA-ve.
Më pas edhe vet ambasadori amerikan, Greig Delawie përmes një postimi në “Twitter” ka shkruar se “Kosova duhet ta ratifikojë marrëveshjen ekzistuese sa më parë që është e mundur”.
Ja ç’thonë opozita e analistët…
Për opozitën dhe analistët, deklarata e SHBA-ve është e pritur, njëherit sinjal i qartë se mbështesin marrëveshjen aktuale dhe jo një version tjetër që del nga komisioni i formuar nga Haradinaj.
Bajram Gecaj, ish-këshilltar i ish-kryeministrit Mustafa, thotë se SHBA-të kanë qenë të qartë edhe me herët, por se opozita e atëhershme e dhunshme vendosi para vetes prioritetin e rrëzimit të qeverisë me çdo kusht, duke anashkaluar kështu edhe çështjet me interes nacional.
Gecaj thotë se Haradinaj ose duhet ta kthej kufirin në Çakorr e Kullë, ku ka premtuar, ose t’i kërkojë falje popullit.
“Unë kam deklaruar edhe atëherë, dhe këtë e besoj edhe tani, se madje edhe ata të cilët e kanë shtyre këtë çështje, e kanë besuar se vija e kufirit ishte e caktuar mirë, por dëshironin që përmes manipulimit me ndjenjat nacionale, kryesisht përmes keqpërdorimit të marrëveshjeve të Demarkacionit dhe Asociacionit, të arrinin rrëzimin e qeverisë. Tani ata duhet te dalin para qytetarëve dhe, ose ta kthejnë kufirin në Çakorr dhe Kullë ku kishin premtuar, ose të kërkojnë falje dhe t’i thonë popullit se qëllimisht kishin keqpërdorur këtë çështje, me çka rrezikojnë, ashtu siç edhe shkruan në deklaratën e SHBA-së, marrëdhëniet me shtetet fqinje, BE-në, si dhe komunitetin ndërkombëtar në përgjithësi, por edhe se për qëllimet e tyre të pastra politike kanë lënë popullatën e Kosovës si vendin më të izoluar në Evropë, dhe e vetmja në Ballkan pa mundësinë e liberalizimit të vizave. Për këtë qeveria duhet të bie sa më parë dhe një herë e përgjithmonë te marrim mësimin se çështjet e rëndësisë nacionale nuk mund të keqpërdoren për politikat ditore të subjekteve politike” thotë Gecaj për tesheshi.com.
Analisti politik Shemsi Jashari, thotë se deklarata e fundit e Ambasadës së SHBA-së për Demarkacionin është në linjë të njëjtë me qëndrimin e shprehur që në fillim rreth kësaj çështjeje, dhe njëherit rikonifirmon se janë të palëkundur në qendrimin e tyre.
“Thirrja e tyre për ratifikim të marrëveshjes ka të bëjë më shumë, për të bërë të qartë z. Haradinaj se pavarsisht punës së komisionit të ri dhe rezultatit final të tyre, SHBA mbështesin versionin e parë të nënshkruar nga z.Thaqi. Për më shumë reagimi i Ambasadës Amerikane në Prishtinë, vjen i kordinuar pas reagimeve e z.Thaqi dhe z.Mustafa për këtë çështje e dhe pse mendoj se reagimet e këtyre dy të fundit ende pa përfunduar punën komisioni janë të ngutshme dhe nuk i shërbejnë qartësisë rreth këtij procesi”, thotë Jashari për tesheshi.com.
Sipas tij, kryeministri Haradinaj do ta ketë shumë të vështirë t’i bëjë ballë këtij presioni dhe qëndrimi të palëkundur të faktorit ndërkombëtar dhe vendor për dy arsye:
“E para se çështjen e kufirit e ka shëndrruar në kauzë politike për të ardhur në pushtet dhe çdo tërheqje nga kjo kauzë i kushton shumë politikishtë ndoshta edhe me rrëzim nga qeveria.
E dyta sepse drejton një qeveri ku shumicën e votave e zotrojnë subjekte politike që janë pro versionit aktual të Demarkacionit prandaj nuk do ta mbështesin një version i cili do të rrezikonte raportet me partnerët ndërkombëtar dhe që do ta pranonte fajsinë për mbështetjen e versionit të parë të Demarkacionit duke qenë të afërt me z.Thaçi i cili edhe sot e kësaj dite ka afërsi dhe ndikim me ish-bashkëpartiakët e tij nga PDK”, thotë Jashari. /tesheshi.com/