Ministrat e jashtëm të anëtarëve të Grupit të 20 ekonomive më të mëdha (G20) në Bali treguan mosmarrëveshje të thella për luftën ruse në Ukrainë dhe pasojat globale të atij konflikti.
Në takimin, në të cilin Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken dhe ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov ishin në të njëjtën dhomë për herë të parë që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, nikoqiri i takimit, Indonezia, bëri një thirrje emocionuese për unitet dhe fund asaj lufte.
Ministrja e Jashtme të Indonezisë, Retno Marsudi u bëri thirrje të pranishmëve mes të cilëve ishte kreu i diplomacisë kineze Ëang Yi, që të kapërcejë mosbesimin për hir të planetit që po përballet me sfida të shumta, nga pandemia e virusit korona, te ndryshimet klimatike e deri te lufta në Ukrainë.
Ajo deklaroi se vendet e varfra dhe ato në zhvillim po përballen me mungesë karburanti dhe gruri për shkak të luftës në Ukrainë, dhe shtoi se G20 ka përgjegjësinë për ta trajtuar këtë çështje më seriozisht.
Megjithatë, dukej e pamundur të arrihet një konsensus në takim, në një kohë të ndarjeve të thella midis Lindjes dhe Perëndimit, me Kinën dhe Rusinë në njërën anë dhe SHBA-në dhe Evropën nga ana tjetër.
Lavrov dhe Blinken nuk treguan ndonjë interes për njëri-tjetrin dhe nuk planifikonin të takoheshin, sipas AP.
Lavrov, i cili u largua m nga salla, tha se nuk ishin rusët “ato që i ndërprenë të gjitha kontaktet, por SHBA”.
“Kjo është gjithçka që mund të them. Dhe ne nuk vrapojmë pas askujt që sugjeron takim. Nëse nuk duan të flasin, kjo është zgjedhja e tyre”, tha kreu i diplomacisë ruse.
Menjëherë pas kësaj, Blinken akuzoi drejtpërdrejt Moskën për bllokimin e miliona tonë drithërave në portet e Ukrainës, duke shkaktuar kështu mungesa ushqimore në pjesë të mëdha të botës.
“Një mesazh për kolegët rusë: Ukraina nuk është vendi juaj, kokrrat e saj nuk janë kokrrat e juaj. Pse po bllokoni portet? Ju duhet të lejoni që kokrrat të dalin”, tha Blinken.
Zyrtarët amerikanë deklarojnë se çështja qendrore e takimit në Bali duhet të jenë ndërprerjet në furnizimet me ushqime dhe energji në botë, të shkaktuara nga lufta e Rusisë në Ukrainë.
Para se të largohej nga takimi, Lavrov doli dy herë nga salla, kur ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock po fliste dhe pak para fjalimit të ministrit të Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba.
Ndërsa Lavrov i shtrëngonte dorën Marsudit në fillim të takimit, u dëgjuan thirrjet “Kur do ta ndaloni luftën” dhe “Pse nuk e ndaloni luftën”.
Një nga qëllimet e takimit të sotëm ishte vendosja e bazave për samitin e G20 që Indonezia do të presë në nëntor.
Rusia mbetet anëtare e G20, pavarësisht sanksioneve të vendosura nga Perëndimi për luftën në Ukrainë, por SHBA dhe aleatët e saj kanë njoftuar se do të bojkotojnë samitin në nëntor nëse ftohet presidenti rus Vladimir Putin.
Ukraina nuk është anëtare, por presidenti i saj Volodymyr Zelensky u ftua të marrë pjesë në samitin e nëntorit. Zelensky tha se nuk do të vijë nëse deri atëherë nuk ka përfunduar lufta.
Anëtarët e G20 janë SHBA, Rusia, Kina, Britania e Madhe, Gjermania, Franca, Italia, Turqia, Kanadaja, Meksika, Brazili, Argjentina, India, Japonia, Koreja e Jugut, Australia, Indonezia, Arabia Saudite, Afrika e Jugut dhe Bashkimi Europian. Ata kanë një peshë prej 80 për qind në prodhimin ekonomik në botë dhe rreth dy të tretat e popullsisë së botës. /tesheshi.com/