Cilët janë debutetët më aktivë dhe cilët janë memecët në komisionet e rëndësishme; Ligjet, Ekonomia dhe Siguria. Kuvendi gjatë periudhës Shtator-Dhjetor 2016: vetëm një ligj në javë. Shumicën e kohës deputetët që paguahen për nxjerrë ligje e kanë kalojnë kohën kot, me procedura dhe axhenda, ose duke debatuar me njëri-tjetrin. Të dhënat janë nga monitorimi i ISP (Instituti i Studimeve Politike)…
Numri i akteve është tregues i punës sasiore të Kuvendit, kurse brendësia e tyre është çështje e cilësisë së akteve dhe cilësisë së aktivitetit të deputetëve/Kuvendit. Referuar të dhënave cilësore të akteve, rezulton se numri më i madh i akteve është i natyrës procedurale (rend dite – axhendë, ndryshim në komisione, ndryshim në afate pune, etj). Konkretisht kjo kategori procedurale zë 32% ose një të tretën e totalit të akteve. Mendimet e ligjeve të ndryshme zënë kategorinë e dytë të akteve, me 26% të totalit. Rreth një e pesta e akteve parlamentare janë ligje (21%). Rezolutat e Kuvendit zënë vetëm 1% të akteve, kurse procedurat zgjedhore (zgjedhjet në KQZ, në Bordin për hapjen e dosjeve, etj), si dhe ratifikimet e marrëveshjeve të ndryshme zënë përkatësisht 9-10% të akteve të parlamentit. Në total kemi 2 rezoluta, 10 procese zgjedhore në parlament dhe 10 ratifikime, 22 ligje, 27 amendime ligjore dhe 33 praktika procedurale vendimmarrëse.
Sesioni i dytë (shtator – nëntor 2016) zë katër muaj, 17 javë dhe rreth 130 ditë. Në shifra krahasimore rezulton se parlamenti çdo 5-6 ditë ka miratuar një ligj, çdo 4-5 ditë ka bërë një amendim ligjor dhe çdo 65 ditë ka miratuar një rezolutë. Referuar praktikës shqiptare shifrat nuk janë shumë alarmante, por referuar praktikës së vendeve të tjera më të suksesshme në jetën institucione e demokratike shifrat janë dukshëm alarmante. Llogaria është e thjeshtë: 140 deputetë dhe 20 ministra kanë arritur të prodhojnë vetëm 1 ligj në 5-6 ditë, (në javë, përfshirë të dielën).
Statistika nuk tregon vetëm varfërinë në praktikat e hartimit të ligjeve dhe në nismat për reforma ligjore serioze, por edhe koston e lartë që taksapaguesit përballojnë për deputetë e ministra, të cilët kanë pasur bilanc kaq minimal të propozimit dhe miratimit të ligjeve të reja. Numri i lartë i amendimeve ligjore është tregues i brishtësisë së ligjeve në vite dhe praktikës së “arnimit” të ligjeve, kryesisht për shkak të kontrastit midis ligjeve dhe zbatimit të tyre praktik, ose për shkak të interesave politike ose klienteliste afatshkurtra për të përfituar përmes amendimeve ligjore. Kjo tezë kritike përforcohet nisur edhe nga fakti se amendimet ligjore janë kryesisht në fushën e taksave, financave, etj, dhe se çështjet më të debatueshme parlamentare ishin e mbeten edhe për janarin 2017, çështja e importit të mbetjeve dhe taksave për kazinotë.
“Memecët” e Komisionit të Ligjeve
Një nga funksionet më të rëndësishme të Kuvendit është shqyrtimi dhe miratimi i ligjeve. Parlamenti ynë funksionon me skemën klasike, – mbledhje në komisione dhe më pas, seancë plenare gjatë ditës së enjte. Komisioni kryesor në parlament është Komisioni i Ligjeve, ose siç zyrtarisht cilësohet “Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut”. Referuar të dhënave krahasuese të periudhës shtator-dhjetor 2016, – periudhë intensive për reformën në drejtësi, reformën zgjedhore, zgjedhjet në KQZ dhe shqyrtimin e miratimin e Buxhetit të Shtetit, – Komisioni ka zhvilluar rreth 23 mbledhje pune nga 53 mbledhje të zhvilluara gjatë sesionit tjetër janar – korrik 2016.
Komisioni i Ligjeve kryeson me numrin e mbledhjeve në raport me komisionet e tjera, dhe gjithashtu, dukshëm është komisioni më me shumë propozime për amendime e korrektime ligjore në Kuvend. Megjithatë, suksesi i tij në raport me komisionet e tjera, mund të vijë edhe për shkak të dobësisë së punës të komisioneve të tjera, apo çështjeve të cilësisë së përfaqësimit. Ndaj një analizë më e detajuar e mbledhjeve të këtij komisioni japin të dhëna interesante.
Në 23 seanca të Komisionit të Ligjeve janë shënuar 82 diskutime, në raport 3.4 diskutime për mbledhje komisioni. Kjo është një përqindje mjaft e vogël referuar rëndësisë së ka komisioni i ligjeve dhe nevojës së madhe për ekspertizë të thelluar ligjore. Në praktikat e parlamenteve perëndimore komisione të tilla kanë nivele deri 5 herë më të larta debati dhe të pjesëmarrjes aktive. Pavarësisht se raporti 3.4 diskutime në mbledhje komisioni, shqetësimi kryesor nuk qëndron këtu, por tek të dhënat e diskutimeve dhe përqendrimi konkret i tyre.
Mbledhjet e Komisionit të Ligjeve janë drejtuar gjithnjë nga kryetari Fatmit Xhafaj, i cili, përvec drejtimit, ka bërë vazhdimisht ndërhyrje në çështje konkrete të ligjeve, debatit dhe ka bërë amendime/propozime, etj. Si kryetar, Xhafaj nuk mund të jetë objekt i klasifikimit të numrit të diskutimeve në komisione. Ndaj me këtë kriter, numrin më të lartë të ndërhyrjeve e ka deputetja Vasilika Hysi, me diskutime në 16 nga 23 mbledhjet e Komisionit. Ajo ka dyfish më shumë diskutime në seancat e komisionit sesa dy deputetët e tjerë më aktivë në Komision, Eduart Halimi (PD) dhe Ulsi Manja (PS). Pas tyre, në vendin e katërt më me shumë diskutime vijnë Dashamir Peza, Petrit Vasili dhe Anila Agalliu. Dy politikanët opozitarë, Bylykbashki e Ristani kanë numër të njëjtë të ndërhyrjeve, po aq sa deputeti i ri i sesionit të pranverës, Edmond Leka. Deputetët e tjerë kanë raste minimale ndërhyrjesh, madje tre deputetë (njëri prej tyre është zëvendësues në mbledhjet e këtij komisioni) nuk kanë diskutuar asnjëherë. Shprehja, – ka deputetë që marrin pjesë në komision vetëm për të regjistruar emrin dhe përfituar pagesën, – vlen dukshëm në këtë rast.
Referuar datave të mbledhjeve të Komisionit dhe diskutimeve të zhvilluara në to, rezulton se mbledhjet më me interes debati nuk janë ato që lidhen me ligje të rëndësishme, por rastet kur palët kanë interesa direkte politike. Të tilla janë debatet për selektimin e kandidatëve për kryetar në KQZ, debati mbi trafikun e drogës, gjendjen e sigurisë, debati mbi komisionin për hapjen e dosjeve, etj. Siç shihet nga tabela vetëm në 6 mbledhje ka pasur më shumë se gjashtë deputetë të përfshirë në debat, kurse në mbledhjet e tjera, numri i deputetëve të përfshirë ka qenë simbolik, – kryesisht deputeti që duhet të jetë relator dhe ndonjë tjetër me ndërhyrje apo pyetje.
Së fundi, një tregues interesant është edhe pjesëmarrja e deputetëve në mbledhjet e Komisionit. Praktika parlamentare përcakton përbërjen fikse dhe disa deputetë zëvendësues, të cilët përdoren sidomos kur pala politike ka interes për vendimmarrje/debat politik. Dy anëtarë të Komisionit nuk kanë qenë asnjëherë të pranishëm, një për arsye shëndetësore (BF) dhe një tjetër për arsye të tjera (TD).
Megjithatë shihet nga tabela se tetë deputetët e parë me numrin më të lartë të pjesëmarrjes në komision janë deputetë të mazhorancës, pra të shumicës qeverisëse. Opozita ka përfaqësim mesatar, madje dy nga kryetarët e partive opozitare pjesëmarrës në Komision kanë shifra minimale prezence dhe akoma më minimale ndërhyrjesh/debati. Mjafton kjo tabelë për të kuptuar se përfaqësimi i deputetëve në Komision është dukshëm nën nivelin e një standardi të lartë parlamentar, dhe se referuar opozitës, është dukshëm nën standardet që ajo promovon.
Gjatë periudhës shtator – dhjetor 2016 rezulton se kanë qenë present në Komision disa prej anëtarëve të kabinetit qeveritar (Manjani, Harito, etj, zv/ministra dhe drejtues të gjyqësorit dhe të organeve kushtetuese. Duke pasur rëndësinë e Komisionit dhe krye-temën e reformës në drejtësi, do të kishte qenë e pritshme një përfaqësim më i lartë i zyrtarëve të niveleve kushtetuese në këtë komision, si dhe një proces shumë më angazhues i komisionit dhe i parlamentit për promovimin e axhendës, aktivitetit, pritshmërive dhe kapaciteteve reale & sfidave të tij.
Ky shënim mbi punën e Komisionit të Ligjeve në Kuvend, është pjesë e raportit monitorues të Institutit të Studimeve Politike (ëëë.isp.com.al). Në ditët në vijim pjesë të raportit me interes publik do të jenë në dispozicion të medias, kurse Raporti i plotë do të publikohet gjatë fundit të kësaj jave.
“Të fortët” e Komisionit të Sigurisë
Për shkak se tema e “dekriminalizimit”, “trafikut”, “kanabis” etj, ka qenë temë dominuese në ligjërimin politik gjatë vitit të fundit, edhe Komisioni i Sigurisë Kombëtare në parlament, ka pasur dhe ka rol e vëmendje specifike. Një pjesë e deputetëve të këtij Komisioni janë figura politike (dy ish ministra të brendshëm), një pjesë kanë karrierë të mëparshme policore e ushtarake, por nga ana tjetër, aty ka deputetë që kanë bërë headline me skandale publike e incidente, siç ka deputetë të përfolur në raporte ndërkombëtare e në media për të shkuar kriminale. Një deputet që ka dhënë dorëheqje, një që është në proces gjykimi dhe një tjetër i larguar së fundmi, ishin anëtar i këtij Komisioni. Ironia është se për një vend të NATO-s, Komisioni i Sigurisë do të duhej të ishte Komisioni më me besueshmëri tek partnerët ndërkombëtarë, – standard që dukshëm nuk është përmbushur.
Analiza monitoruese e Institutit të Studimeve Politike (www.isp.com.al) jep detaje të dy elementëve të aktivitetit të këtij Komisioni gjatë periudhës shtator-dhjetor 2016. Së pari, mbi tematikën e punës, së dyti mbi pjesëmarrjen e deputetëve në komision dhe në debatet e brendshme. Gjatë kësaj periudhe parlamentare në Komision u paraqitën ministrat Tahiri dhe Kodheli, zv/ministrat përkatës të tyre, si dhe drejtues të tjerë të institucioneve të sigurisë. Temë kryesor e debateve në komision ishin çështjet e buxhetit në FA dhe Ministrinë e Brendshme, si dhe çështje të karakterit përmirësues të disa ligjeve dhe akteve të tjera që lidhen me sigurinë. Në Komision nuk ka pasur séance të jashtëzakonshme dhe as organizime të brendshme për misione monitoruese në institucionet e sigurisë.
Sipas praktikës parlamentare, Komisioni i Sigurisë përbëhet nga 18 anëtarë të përhershëm dhe disa deputetë zëvendësues. Në asnjë nga mbledhjet e Komisionit gjatë periudhës shtator – dhjetor 2016 nuk kanë marrë pjesë të gjithë anëtarët e Komisionit. Gjatë kësaj periudhe Komisioni ka zhvilluar vetëm 8 mbledhje të rregullta, në të cilat, përveç kryetarit Braho, ka marrë pjesë rregullisht vetëm deputeti Lutaj. Deputeti Rama figuron mospjesëmarrjes në asnjë mbledhje, ashtu si edhe deputeti Prenga (nën hetim gjyqësor), por numër minimal pjesëmarrjeje kanë edhe disa deputetë përfshirë edhe deputetin Selami, të larguar disa ditë më parë nga KQZ.
Në listën e deputetëve diskutues ka të dhëna interesante: dy deputetët opozitarë Noka e Dogjani, ashtu si Lutaj i PS, kanë nivel të njëjtë pjesëmarrje në debatet në Komision. Në total, ata kanë shumë më tepër diskutime sesa të gjithë deputetët e tjerë, anëtarë të Komisionit. Pjesë në debate janë edhe deputetët me karrierë në polici dhe organe të sigurisë, Ndreu, Çuko, Zeneli, Qefalia, – këta të fundit, me përqindje pjesëmarrje në debat rreth 20-25%. Pjesa më interesante është numri i madh i deputetëve që nuk kanë folur asnjëherë në Komisionin e Sigurisë. Lista është e gjatë, rreth 40% ose tetë deputetë, nga të cilët, dy nuk kanë qenë asnjëherë të pranishëm në mbledhje. Nga deputetët që kanë marrë pjesë në disa mbledhje Komisioni por nuk kanë marrë pjesë asnjëherë në diskutimet e ligjeve dhe akteve të tjera, janë emra si Rakipi PDIU), Troplini (PS), Patozi (PD), Xhindi (PS), Shehu (LSI) e Selami (LSI).
Në krahasimin e numrit të deputetëve që kanë folur dhe atyre që nuk kanë folur (por kanë marrë pjesë në mbledhjen e Komisionit), të dhënat tregojnë se pjesa e “të heshturve” është 3-4 herë më i madh sesa pjesa e atyre që flasin. Vetëm në një seancë, 22 nëntor, ka ndodhur që midis 12 pjesëmarrësve në mbledhje kanë folur 6 deputetë, siç ka raste, si seanca e fundit me 5 dhjetor, kur nga 15 deputetë të pranishëm, përveç kryetarit, kanë folur vetëm 4 deputetë.
Komisioni i Ekonomisë ku bëhet më shumë politikë
Çdo ligj që kalon në parlament shoqërohet me kosto financiare dhe për më tepër, ecuria e procesit të reformave ka të bëjë kryesisht me gjendjen & evoluimin financiar të vendit. Për këtë arsye Komisioni i Ekonomisë dhe Financave në Kuvend mbetet komisioni i dytë më i rëndësishëm pas Komisionit të Ligjeve. Sipas treguesve të monitorimit nga Instituti i Studimeve Politike, numri i madh i mbledhjeve të zhvilluara nga ky Komision përgjatë periudhës shtator-dhjetor 2016 është tregues edhe i intensitetit të punës së tij. Në Komision marrin pjesë edhe disa ministra financave (Bode, Angjeli, Cani, Mima) disa ish ministra në sektorë të tjerë (Spaho, Shehi), si dhe deputetë me karrierë në administratë e shërbimet publike.
Ndryshe nga Komisionet e tjera, në këtë komision ka pasur prani më të shpeshtë të ministrave, sidomos të Ministrit të Financave Ahmetaj. Nga ana tjetër, në komision janë paraqitur shumica e institucioneve kryesore (për shkak të projekt buxhetit të shtetit), si dhe ka pasur raportime edhe nga institucione të rëndësishme në natyrës financiare, si Guvernatori i Bankës apo Kryetari i KLSH.
Tregues interesant i këtij komisioni është numri i madh i deputetëve të përfshirë të debate dhe kontinuiteti i ndërhyrjeve të tyre. Nga mazhoranca më aktivët kanë qenë Brace, Angjeli, Koçi, Cani, Bushati, kurse nga opozita në krye të listës janë Bode, Mima, Cara dhe Spaho. Është interesante fakti se ish ministri Bode ka diskutuar në të gjitha seancat ku ka qenë i pranishëm, siç rekord negativ mban deputeti Luzha (LSI), i cili nuk ka diskutuar në asnjë nga 23 mbledhjet e komisionit. Brace, Bushati e Marto janë të vetmit deputetë që nuk kanë munguar në asnjë mbledhje, kurse, në krahasim me komisionet e tjera, numri i deputetëve me pjesëmarrje minimale në mbledhjet e Komisionit është gjithashtu minimal, vetëm 1 deputet (Luzha).
Në të dhënat përmbajtjesore të aktivitetit të këtij Komisioni bien dukshëm në sy tri tipare: së pari, pesha e akteve ligjore dhe ekonomike është shumë më e madhe sesa vendi që zënë aktet politike, por argumentet politike mbeten dominuese; e dyta, numri i zyrtarëve të lartë të thirrur në komision është më e larmishme dhe në nivel më të lartë se shumica e komisioneve të tjera; e treta, është ndër komisionet më me shumë replika midis kryetarit të komisionit dhe anëtarëve (të opozitës). Ka raste të shumta kur anëtarët e komisionit nuk i drejtohen njëri tjetrit me cilësinë e partnerit përballë të ftuarit në komision, por me cilësinë e kundërshtarit politik, – një tregues që nuk është tipar i komisioneve të njëjta në shumicën absolute të vendeve demokratike në kontinent.
Së fundi, debatet në komision, edhe për shkak të pjesëmarrjes së një numri të lartë anëtarësh të komisionit, kanë prodhuar një arkiv të pasur me të dhëna ekonomike e financiare, të cilat, edhe nëse duhen marrë me rezervë në vërtetësinë e tyre, ofrojnë një pamje të përgjithshme të ekonomisë dhe financave në vend, – një tregues që rrallë e gjen tek pjesa më e madhe e komisioneve të tjera parlamentare. /tesheshi.com/