Liverpuli u ngjit të shtunën në vend të dytë në klasifikimin e Premier League-s pas fitores 4-1 ndaj Uest Hemit.
Sulmuesi 25-vjeçar egjiptian Mohamed Salah shënoi veç një prej katër golave, por vijoi të mbetet një pikë referuese për sulmin e Liverpulit.
Ai realizoi golin e tij të 31-të sezonal, e të 23-tin në kampionatin anglez, duke kryesuar listën e golashënuesve së bashku me Harry Kane.
Ish-sulmuesi i Romës u përcaktua si njeriu i ndeshjes, sërish i shkëlqyer, në një formë të pandalshme në shënimin e golave.
Salah është i përfshirë drejtpërdrejt në 31 gola të Premier League-s në këtë sezon, me 23 realizime dhe 8 asiste; më tepër nga çfarë ka bërë çdo lojtar tjetër.
Një tjetër statistikë interesante e tij është se ai ka shënuar në këtë sezon të kampionatit anglez 20 gola me të majtën e tij; shifra më e lartë nga një lojtar në një sezon të vetëm në historinë e këtij aktiviteti, sipas BBC-së. /tesheshi.com/