Një mbledhje me dyer të mbyllura e Këshillit të Sigurimit një ditë më parë ka arritur në përfundimin se hedhja e ndihmave nga ajri është “mjeti i fundit” për t’u ardhur në ndihmë mijëra civilëve të mbetur të rrethuar në zonat e luftës në Siri.
Rreth 600.000 është numri i njerëzve të rrethuar në 19 zona në Siri, dy të tretat e të cilëve gjenden të mbërthyer prej forcave qeveritare.
SHBA-të, Britania e Franca kanë kërkuar prej kohësh që të ketë operacione ajrore, duke parë pamundësinë për të hyrë nëpërmjet rrugëve tokësore në këto zona të rrethuara.
OKB-ja ka bërë të ditur se do të kërkojë leje nga qeveria siriane për të hedhur apo për të transportuar ndihma në zonat e rrethuara.
“Kësisoj, të dielën, OKB-ja, në përputhje me kërkesën e ICRC-së, do t’i kërkojë Damaskut të autorizojë hedhjen e ndihmave humanitare nga ajri, për të arritur në lokalitete ku qasja nëpëmjet tokës nuk është pranuar nga regjimi sirian,” ka deklaruar pas mbledhjes së Këshillit të Sigurimit ambasadori i Francës në OKB, Francois Delattre.
“Hedhjet nga ajri janë komplekse, të kushtueshme, të rrezikshme, por ne tani kemi rënë të tërë në një mendje se ato janë mjeti i fundit, e se duhet t’i përdorim për t’i lehtësuar vuajtjet njerëzore në shumë zona të rrethuara në Siri,” do të shtonte ambasadori britanik, Matthew Rycroft. /tesheshi.com/