Nga Mensur Krasniqi
Menjëherë pas akuzave të opinionit në drejtim të PDSH-së opozitare se edhe ajo me heshtje është fajtore dhe defakto po mbështet BDI-në për ndotjen e ajrit si pasojë e mosmbylljes së fabrikës “Jugohrom”, kësaj akuze i është kundërpërgjigjur deputetja e PDSH-së, Merale Ferati.
Sipas saj, është evidente se ndotja e ajrit në Tetovë është një çështje që nuk është trajtuar dhe nuk po trajtohet seriozisht nga qeveria. Ajo në emisionin “10 minuta” theksoi se situata me ndotjen në Tetovë është alarmante, pasi që niveli i ndotjes është 20 herë më i lartë sa norma e lejuar.
Deputetja Merale Ferati shpreh shqetësime edhe për hulumtimin e publikuar nga Banka Botërore, ku siç thuhet në Maqedoni 1350 njerëz gjatë një viti ndërrojnë jetë, për shkak të ajrit të ndotur.
“Këto të dhëna të cilat përmenden nga Banka Botërore janë të publikuara në janar të vitit 2015. Unë mendoj se ky numër është në rritje, sepse tashmë bëhet një vit prej Janarit,” tha Merale Ferati, Deputete e PDSH-së.
Ajo thekson se është absurde që si ndotës kryesor të përmenden oxhaqet e shtëpive, apo t’u kërkohet qytetarëve që të mbyllin dritaret kur ajri është i ndotur. Mbi të gjitha, duke folur për përgjegjësinë politike dhe institucionale, deputetja Ferati thotë se dikush duhet të jap dorëheqje.
“Pamundësia që të intervenohet në këtë, mos zgjidhja e këtij problemi, ka vetëm një përgjigje. Si akt moral edhe kryetarja e Komunës së Tetovës Teuta Arifi, por edhe ministri Nurhan Izairi, duhet të japin dorëheqje”, përfundoi Ferati.
Shqetësimet e tija për gjendjen alarmante nga ajri i ndotur në Tetovë, nëpërmjet rrjetit social Facebook i ka shprehur edhe mjeku-neurolog dhe sekretar në LR-PDSH, Arben Taravari. Sipas statistikave që i’u referohet ai në më shumë se 300 ditë të vitit qytetarët e Tetovës jetojnë në një atmosferë të helmimit masiv dhe nëse një nuse mbetet shtatzanë nuk je i sigurt a të gëzohesh apo jo, sepse është pikërisht ky grup njerëzish (gratë shtatzanë) që rrezikohen më së shumti nga ajri i ndotur. Në vazhdim mund të shihni postimin e plotë të dr. Arben Taravarit:
Në Tetovë situata sot është kështu:
- Ndotja e ajrit është 20 here më e lartë se norma e lejuar, respektivisht gati se 2000%.
- Thërrmizat P10 nga 50 mikrogram/m3 në Tetovë janë 700-1000 mikrogram/m3.
- Tetova e tejkalon normën e lejuar në mbi 300 ditë të vitit, kurse maksimumi vjetor është 35 ditë P10 te jetë mbi 50 mikrogram/m3.
- Tetova në vitin 2010 kishte vetëm 1319 te sëmurë prej tipeve të ndryshme të kancerit, kurse 2013 kjo shifër ishte gati se e dyfishuar, respektivisht në 2013 ne Tetovë u regjistruan 2375 të sëmurë nga tipe të ndryshme të kancerit.
Domethënë në një gjuhë më të drejtë për drejtë, nëse ju doni të bëni një frymëmarrje normale në Tetovë keni mundësi ta bëni vetëm në 28 ditë të vitit, domethëne duhet të dale dikush, patjetër Profet, dhe t’ju thotë se cilët janë ditët fatlume, ku në vitin 2015, qytetarët e Tetovës, duke marrë frymë nuk rrezikohen nga kanceri dhe vdekja!!!
Dmth në këtë situate, në më shumë se 300 ditë të vitit ne jetojmë në një atmosferë të helmimit masiv.
Në Tetovë kur një nuse mbetet shtatzane nuk je i sigurtë a të gëzohesh apo jo, sepse është pikërisht ky grup njerëzish (grate shtatzane) që rrezikohet më shumë nga ndotja e ajrit. Në Tetovë edhe sikur të mbyllesh në shtëpi, të bllokosh jetën tënde, do të thotë të mos dalësh për punë, për vizitë, për shëtitje me nipin dhe mbesën, të lesh fëmijet pa shkollë, prapë nuk i shpëton dot situatës alarmante që Tetova ka, sepse ajri depërton në dritaret e dyert e brishta të shqiptarëve të mirë të Tetovës.
/tesheshi.com/