Nevila Nika rrëfen 16 vite në kërkim të identitetit të ish- të burgosurit politik i cili shkroi poezi në copa letra sa kohë ishte i burgosur në Tiranë…
Ishte viti 1946. Në Shqipëri sapo kishin marrë pushtetin komunistët si fitimtarë të Luftës Anti-fashiste dhe gjëja e parë që bënë ishte; burgosja apo pushkatimi i kundërshtarëve të krahut nacionalist të kësaj lufte. Në burgun e Tiranës në pritje të fatit të tij qëndron një burrë që pret gjykimin. Ditët e gjata të burgut i kalon duke lexuar dy emra të shkruar në muret e qelisë të cilët nisin t’i bëjnë shoqëri krejt çuditërisht imagjinon tiparet e tyre, jetët e tyre,historitë e tyre të ngjashme me të tijës. Ka mall për vendilindjen, një fshtat i bukur buzë Jonit, që dikur i thonin Oloson. Ai ka me vete vetëm disa letra të holla si letër cigareje dhe një stilolaps. Në vend të tregojë historinë e tij, emrin, arsyen e burgosjes, ai vendos t’i përdorë për të shkruar poezi për ‘shokët e panjohur’. Të gjitha poezitë i firmos me Oloson. Fletët e holla me shkrimin e vogël e të rregullt gjenden pas gjysëm shekulli në një sirtar të pluhurosur të Arkivës së Shtetit nga Nevila Nika…por fati i Olosonit (që mund të jetë pseudonim, ose emri i vërtetë i të burgosurit) nuk dihet ende…A do ketë dalë nga burgu dhe të jetë bërë një poet?! Apo historia e tij përfundon tragjikisht si i mijërave të tjerë që u bënë një ‘varr pa emër” në emër të ngritjes së komunizmit; luftës së klasave, forcimit të diktaturës?!
Historiania nuk e ka përgjigjen dhe e kërkon akoma…si një borxh që duhet t’ia kthejë poetit për emocionin që i dhanë vargjet e tij.Që kur ka dalë nga bankat e shkollës Nevila Nika ka punuar në arkivë. Edhe pse ishte një punë e caktuar nga regjimi i asaj kohe, iu kthye në një pasion që e ndjek edhe sot kur nga raftet e zymta të dokumenteve ka kaluar në auditor si pedagoge në Universitetin Europian të Tiranës. Pas 34 vitesh punë si arkiviste dhe më tej 8 vite si drejtoreshë e Arkivit të Shtetit, ka një peng tëçuditshëm që e mbart me vete dhe e diskuton shpesh me miqtë; poezitë e një të burgosuri politik në Burgun e Tiranës, të cilat janë pa autor. Në kërkim të identitetit të këtij të burgosuri, poezitë e të cilit i ranë rastësisht në dorë 16 vite më parë, Nika ka bërë një thirrje publike para disa vitesh në gazetën Tema duke shpresuar se ndonjë i afërm i tij do t’i shihte dhe do ta kontaktonte. Por për fat të keq ajo vazhdon ende sot të jetë ruajtësja e vetme e këtyre poezive, të cilat janë shkruarnga poeti “pa emër”. Në qelinë e Burgut të Tiranës viti 1946 ky njeriu përtej dëshirës për t’u bërë poet duhet të ketë pasur një histori jetësore; një histori se si kishte ardhur nga Çamëria në Shqipëri; një histori si ishte burgosur nga regjimi komunist dhe çfarë ndodhi më tej me të. Nika beson se ai ka qenë shqiptar i lindur në Greqi dhe se ka luftuar në krahun nacionalist të Luftës Antifashiste. Pikërisht dhe për këtë fakt duhet të jetë burgosur. Për fatin e tij nuk dihet asgjë më tej dhe as për identitetin. Ajo shpreson se botimi i poezive të poetit të panjohur në revistën Mapo do të ndihmojë në zgjidhjen e kësaj enigme që historianen e ndjek prej vitesh dhe ajo dhe publiku do të mund t’i bashkangjisin vargjeve të tij edhe historinë dhe emrin e autorit. Ndryshe ai do të mbetet thjesht “Oloson”, pseudonimi që kishte zgjedhur për veten si një firmë malli për vendlindjen e tij, Elasona, një krahinë e Çamërisë.
Znj.Nika, si ratë në kontakt me poezitë e të burgosurit me pseudonimin Oloson?
Krejt rastësisht. Në vitin 2000 punoja me një kolege të punës për hartimin e Udhërrëfyesit arkivor “Fondet personale e familiare në Arkivin Qendror Shtetëror”, kur sapo e përfundonim nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, prej nga edhe varet Arkivi Qendror, kërkohet hartimi i një udhërrëfyesi tjetër. Ky i fundit duhej të kishte për objekt dokumentin në gjuhën frënge, po në fondet e Arkivit Qendror. Personalisht i tërhoqa vëmendjen Drejtorisë se hartimi i një udhërrëfyesi të tillë, i cili do të mbulonte të gjithë fondet pa përjashtim, ishte praktikisht i pamundur. Elementi gjuhë nuk kishte qenë asnjëherë i trajtuar si një domosdoshmëri nga arkivistët gjatë përpunimit tekniko-shkencor të dokumenteve, apo edhe gjatë hartimit të mjeteve të kërkimit arkivor, si inventarë, skedarë apo katologë. Meqënëse hartimi i këtij udhërrëfyesi ishte marrë përsipër nga Drejtoria dhe ishte vendosur botimi i tij falë mbështetjes financiare të A.I.F. (Agjensia Ndërqeveritare e Frankofonisë) unë propozova që udhërrëfyesi për dokumentin në gjuhën frënge të përfshinte vetëm fondet personale e familjare. Propozimi im u miratua dhe nisëm punën, e cila nënkuptonte shfletimin e të gjitha njësive të ruajtjes (dosjeve) të të gjitha fondeve. Gjatë shfletimit mbanim shënime për hartimin e udhërrëfyesit, por natyrisht edhe bënim verifikime, plotësime, saktësime, e korrigjime që i përkisnin punës tonë si arkiviste.
Gjatë këtij procesi të lodhshëm, por tejet të bukur, ndesha krejt e habitur në disa fletë të holla gati si letër cigareje, ku dikush me një shkrim të imët, por të bukur kishte shkruar disa poezi. Ishte me të vërtetë befasi. Këto fletë ishin pjesë e fondit të të paharruarit, dijetarit Sotir Kolea, por në pamje të parë asgjë nuk e lidhte poetin e panjohur me Sotirin. Poeti, mbase nuk ka qenë i tillë, por rastësia e bëri që ai të shkruajë disa poezi ndoshta për shkak të rrethanave ku ai gjendej në atë kohë. Në fund të poezive e gjen me vend të shkruajë vendin ku ndodhet në momentin kur po shkruan, Tiranë, Burg, Shkurt 1946. Ai firmos me pseudonimin Oloson dhe besoj se ka qenë shqiptar i Greqisë.
Çfarë të dhënash të tjera keni arritur të gjeni për këtë person?
Të them të vërtetën ka vite që e kam bërë publikisht një thirrje (në gazetën Tema, prill 2001) dhe kam pritur që dikush të përgjigjej në rastin më fatlum se është i afërmi i tij apo edhe thjesht se e njeh kush është. Nuk di të them se është shqiptar nga krahina shqiptare e Çamërisë, sepse vendlindja e tij ishte Elasona e sotme dhe ai përdor si pseudonim Oloson, emri i vjetër i këtij qyteti. Por gjithsesi ka fare pak rëndësi nga është origjina e tij, për ne mjafton vetëm një fakt, ai është shqiptar dhe është burgosur për fajin e vetëm e të madh se është i tillë. Nga përmbajtja e poezive kuptohet lehtësisht se ai është atdhetar i flaktë dhe me siguri i ka përkitur krahut nacionalist të Luftës Antifashiste.
Keni vite që kërkoni të identifikoni autorin e poezive? Pse një këmbëngulje e tillë? Janë poezitë e tij që ju kanë prekur apo kurioziteti i historianes nuk ju lë të qetë?
Janë që të dyja arsyet. Nuk i përkas fushës së studimeve letrare, por poezitë e Olosonit më kanë bërë përshtypje të thellë. Nisur edhe nga fakti se autori ishte i burgosur, me siguri i torturuar egërsisht fizikisht e psikologjikisht poezitë e tij kanë një vlerë tjetër. Por edhe si historiane, e mbi të gjitha si arkiviste, kërshëria për ta sjellë midis nesh atë, për ta njohur fatin e tij të mëtejshëm më ka ngacmuar gjithë këto vite.
Kanë kaluar më shumë se gjysëm-shekulli nga koha kur janë shkruar këto poezi, keni akoma shpresë se mund të gjeni autorin e tyre?
Shpresa vdes e fundit. Sot kanë kaluar plot 16 vjet nga dita kur i preka e i lexova për herë të parë ato fletë. Ka qenë me të vërtetë një ndjesi krejt e veçantë, edhe pse kisha vite që lexoja pafundësisht dorëshkrime të atyre që kishin bërë historinë e Shqipërisë, leximi i krijimtarisë të dikujt që as edhe emrin nuk ia dija, që ishte në burg kur i kishte hedhur ndjenjat e mendimet e tij në letër është diçka që nuk mund t’a harrosh. Sot shpresoj që falë internetit apo rrjeteve sociale ndoshta dikush mund të bëhet i gjallë e të na japë informacion për këtë poet të panjohur, që të mos e lëmë më të tillë.
Nga Blerina Gjoka/ Revista Mapo
Poezitë e të burgosurit “pa emër”
SHOKËVE TË PANJOHUR
Në vetminë e një biruce që rethojnë katër muret,
Dy emra s’më ndahen syvet duan të më shoqërojnë,
Këmbë ngultas më vërejnë po dashurinë s’ma mohojnë,
Të mjerët shokë të pandarë që fati nuk u dihet.
Fjalët e ambla s’i kursejnë mërzinë të ma heqin,
Më këshillojnë urtësinë, tradhëtinë neveritin,
Kjo e fundit të nxin faqen, të gjithë e urrejnë,
E ka dashur kush Judën që ti durojnë edhe dredhinë?
Tash pesë shekuj shqiptari për shtëpi burgun ka njohur,
Kotësij’e jetës pa qëllim shum mirë s’e ka përfillur,
Gjaku çurkë i ka vajtur, truallin e vet ka vaditur,
Në vojtje farkëtuar, por krenar i pa përkulur.
Kur shpesh herë retë zbërthehen në qetësinë e natës,
Bubullimat shurdhojnë, rrufetë cjerin dërmojnë,
Murit sytë e mi i drejtohen në dritën e vetëtimës,
Shumë veta si ne kaluan kësaj rruge më thonë.
OLOSSON, Varg i lirë, Burg Tiranë, 27.2.1946
Shënim i autorit: Dy nga të burgosurve emrat e të cilëve janë shkruar në mur. (autori ka bërë edhe një si skicë të birucës)
Shkallët
Një zemër e copëtuar
Ndenjë shkallë po rënkon
Se ka kryer me ndërgjegje
Detyrën si gjithmon.
Do të prehet, të qetësohet
Por mjerisht njëmijë këmbë
Kur me vrull e kur ngadalë
Ngjiten zbriten dit’e natë
E dërmojnë, e gjakosin
Porsi gozhdat e Golgothasë.
Tempuj dhe faltore zbukuruat
Gjatë kohëve më të lashta
Krenari ndërtesash madhështore
Madhështi mjeshtërie të stërhollë
Shkallë të bardha porsi dëbora
Xixëlloni nga rrezet e Diellit
Pse më mohoni dritën mua
Shkumb’e ndritur e Praksitelit?
OLOSSON/ Tiranë, Burg, 10.2.1946
KOSOVËS
Kosovë ty të qofsha falë,
Kosovë për ty qëndroj gjallë,
Edhe po të vdes për ty do të thërres,
Rrofsh moj Kosovë Arbnore.
Kosovë që rri aq menduar,
Zemrat djaloshare ke lënduar,
C’ke që vajton dhe rri kërrusur,
E duron zinxhirët e robërisë?
Ngreje zanin e burrnisë,
Se ke djemt’e Arbënisë,
Që për ty shuhen dhe veniten,
Pa të falur ty lirinë.
Prandvera të thur kurora lulesh dhe gjethesh,
Kalliri verdhë të shtron hallin’e artë,
Vjeshta me flladin të than djersën e mundit,
Dimri të fal vellon nusërie.
An’e kand zbardhon qelesh’e bardhë,
Shenjë shqiptarizmi stërgjyshor,
Foli botës në gjuhën tande
Mos u tut dhe mos lëngo.
Duart e tua plot me zdrezga,
Gjaku, djersa dhe mundimet
Do të jenë për ne të gjithë
Në t’ardhmen shembull’i artë.
Bijt e tu por si Selvia,
Trima me fletë, djem viganë
Do ta bëjnë fora si një herë,
Se janë filiza ilirianë.
OLOSSON/ Varg i lirë, Tiranë, Burg 29. 1 .1946