Nga Blendi Gashi
Dorëheqjet e shumta në Vetëvendosje brenda një periudhe të shkurtër, krejt të pazakonta si precedent, përfundimisht po e çojnë këtë parti drejt ndarjes.
Ndërsa nuk dihen ende saktë arsyet e kësaj përçarjeje të madhe, sipas komunikimeve në Facebook në mes zyrtarëve të kësaj partie, po del që pakënaqësia ka shpërthyer pak para zgjedhjeve nacionale të 11 qershorit, kur Albin Kurti është nominuar kandidat për kryeministër, për çka ka pasur mospajtime, pasi një krah kanë qenë për nominimin e Shpend Ahmetit, të bindur se do merrnin pushtetin edhe në nivelin qendror, ashtu siç ndodhi katër vite më parë në Prishtinë.
Kjo është zbuluar nga një komunikim që e ka pasur deputeti i VV-së, Fisnik Ismaili me asambleistin e po kësaj partie në Prishtinë, Egzon Azemi, ku ky i fundit i ka thënë Ismailit se ai ka qenë kundër që Albini të nominohet për kryeministër.
“N’mledhjen e kryesisë së grupit parlamentar në muajin maj 2017 ku e kanë sulmuar Albinin pak para se të nominohej nga Këshilli i Përgjithshëm për kryeministër, ti Fis ke thënë që duhet të nominohet Shpendi e jo Albini. Doli Fis që e kishe gabim. Albini në zgjedhje mori 143 mijë vota e Shpendi bajagi larg 76 mijë. Bile edhe në Prishtinë, Albini 29 mijë e Shpendi 20 mijë. Mendohej prej do njerëzve që në nacionale Shpendi del bile sa Albini, kurse në lokale Shpendi fiton pa balotazh. Nuk doli ashtu fis. Nuk po e kupton peshen e histories në politikë dhe as lidhjen e shpresës e besimit qytetar me qëndrueshmërinë dhe sakrificën e vazhdueshme”, ka shkruar Azemi.
Kundërpërgjigja e Ismailit ka qenë e menjëhershm duke pranuar se ka qenë “pro” kandidimit të Shpend Ahmetit për kryeministër.
“Egzon, asht budallaki e madhe me krahasur bartësin e listës me numrin 5 në listë, i cili publikisht pat thanë që as nuk bahet deputet, por kthehet në Komunë.
Pyetja 1 milion dollarëshe: Nëse po thue që populli e deshti Albinin për Kryeministër, pse jemi me Ramushin (kryeministër) qitash, e s’jemi në pushtet?
Tash, kurrë s’kemi me e dijtë se a kish qenë ma ndryshe nëse Shpendi ish kandidue. Unë them se po, edhe e kam të drejtën me mendue kështu, jo veç pse jam ma i afërt me të, por edhe se i kam do vjet ma shumë përvojë në këtë sport.
Ti, në komentin tand të parë, mendimin tim për Shpendin e paraqite si dashakeqësi timen, diqysh, kundruell Albinit. Thue se unë e kam pasë personale me Albinin, e nuk e kam pasë për Lëvizjen.
Qetu po e kam problemin unë: etiketimin e menjëhershëm nëse s’ka dikush simpati absolute për Albinin. O shoq, ti besoj se më njeh boll që me e dijtë se unë s’e rruj as për Albinin, as Shpendin, e as për babë temin në raste, s’e kam rrue.
Unë në Lëvizje jam prej dëshire me e hjekë të keqen, e me e instalue të mirën.
Unë vazhdoj me mendue se me Shpendin sot Lëvizja VETËVENDOSJE! kish qenë duke e udhëheqë Kosovën.
Po më vjen keq që, prej asaj që pash, ti edhe qenke gëzue, në njifarë mënyre, që Shpendi nuk fitoi në balotazh. Ka vjet që e ndjej qat sen brenda Lëvizjes. Keq boll. Qyre në çfarë gjendje e prutë”, ka shkruar Ismaili.
Azemi ka replikuar sërish duke i thënë Ismailit se Ramushi është në pushtet për shkak të koalicioneve të shumta, ndërsa i kujton që VV doli e para si parti e vetme.
“E kena Ramushin hala në pushtet se u bonën bashke dy koalicione me mbi 20 parti kundër një subjekti të vetëm që Albini i priu. Dolëm subjekti i parë. Kurrë me shumë vota s’kemi marrë as në Prishtine as në krejt Kosovën”, shkruan Azemi.
Më tej ai i thotë Ismailit se nuk është e vërtetë që është gëzuar pse Shpendi ka shkuar në balotazh në garën për të parin e Prishtinës.
“Pa pikë marre po akuzon se unë qenkam gëzu se Shpendi ka shku në balotazh. Cila është arsyeja Fis me u marrë me këto shpifje?
Po më akuzon që se kam ndihmu Shpendin në zgjedhjet të cilat u bona asambleist. Vete edhe Shpendin e të tregon që ja ke fut kot me këto fjalë.
Ta kisha përmen edhe 2013 ama s’mendoj që duhet me i përmend krejt kontributet se tutna mos po bona si PDK-ja, me këtë pjesë merret dikush tjetër, prandaj këto fjalë tua secili që dyve na njeh mirë i kupton sa të pavërteta janë.
Po ty të duket problem bindja ime edhe pse unë e respektoj bindjen tënde rreth kandidimit të Shpendit. Thash edhe me herët ky është dallim i vogël nga të përbashkëtat e mëdha. Por me këto akuza e shpifje të ulta sinqerisht më zhgënjeve shumë”, shkruan Azemi.
Kujtojmë se pas dorëheqjes së Visar Ymerit dhe Dardan Sejdiut nga të gjitha pozitat në VV, ka gjasa të mëdha rrugën e tyre ta ndjekin edhe Dukagjin Gorani, Fisnik Ismaili e deputetë tjerë. /tesheshi.com/