Ka vendosur një gol i sulmuesit të ri francez, Jean-Kevin Augustin, që parizienët të fitojnë 1-0 duelin miqësor ndaj skuadrës italiane të Inter-it. Takim i luksit u zhvillua në Doha të Katarit, pasi kampionati francez dhe italian, ku garojnë dy skuadrat respektive, janë në pushimin e fundvitit.
Dy trajnerët e shfrytëzuan këtë takim për t’u dhënë hapësirë disa futbollistëve që nuk kanë patur mundësi të luajnë shumë gjatë pjesës së parë të sezonit. Ishte Augustin-i ai që tregoi vlerat e tij, teksa në fundin e pjesës së parë realizoi për PSG-në përballë Handanoviç-it, për t’i zhbllokuar shifrat, që nuk ndryshuan më deri në fundin e ndeshjes.
Në këtë sfidë miqësore pati minuta te Inter-i dhe për shqiptarin Rey Manaj, i cili zëvendësoi kroatin Ivan Perisiç.
Dy skuadrat udhëheqin në kampionatet e tyre, e në pranverë i pret pjesa tjetër e betejave për të arritur objektivin që të shpallen kampionë. /tesheshi.com/