Ministrja e re e Transporteve dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, shpalli vijimin e projektit të Unazës së re, duke bërë të ditur njëherësh se çdo kontratë do të shihet me imtësi për sa më shumë transparencë.
Madje ajo shpalli se tenderi për Lotin 1, anulluar pas konstatimit të formave fallso nga kompania “DH Albania”, do të behët live në television.
Ajo i dha përgjigje gjithashtu dhe asaj që e trajtoi si një spekullim, për “40 milion euro për 2 km”.
“Është folur e stërfolur për kosto e për kilometra, por projekti është tejet kompleks dhe me një numër të konsiderueshëm nyjesh e veprash arti në një distance relativisht të shkurtër, po ama në mes të një zone të populluar ku intensiteti i banimit dhe aktivitetit do shkojë duke u rritur. Pra edhe kompleksiteti i projektit ka një arsye të veten shumë legjitime. Informoj për të përhapur çdo mjegull mediatike, se loti i dytë dhe i tretë do të vazhdojnë sipas procedurave të kryera.
Po ashtu, procesi i shpronësimeve është në vijë sipas ligjit e në respekt të së drejtës të çdo subjekti që gëzon një titull pronësie. Familje në mes të katër rrugëve, qoftë edhe kur nuk e kanë një titull pronësie ne nuk do të lëmë. Prishjet e godinave që pengojnë projektin do të vazhdojnë pa asnjë diferencim, sipas ligjit”, tha ministrja Balluku. /tesheshi.com/