Nga Bashkim Kastrati
Zyra e Auditorit të Përgjithshëm ka gjetur parregullsi të ndryshme në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) gjatë vitit 2015. Këto parregullsi kanë të bëjnë sidomos me pagesat e subvencioneve dhe gabime të ndryshme, si pasojë e të cilave janë dëmtuar fermerët që kanë aplikuar për grante.
Të gjitha këto vërejtje i ka pranuar ministri i bujqësisë Memli Krasniqi, i cili është zotuar se do të punohet në përmirësimin e tyre.
Auditori konstaton se procesimi i pagesave të subvencioneve për vitin 2015 është përcjellë me parregullsi të caktuara që lidheshin me pagesa të dyfishta ndaj përfituesve dhe me kontrolle joefikase në shqyrtimin e aplikacioneve të fermerëve.
Sa i përket MBPZHR-së, fusha e subvencioneve mbetet shqetësim i madh, ku nuk janë duke u zbatuar rregulloret duke rezultuar në vlerë të dobët të arritur për para si dhe në vonesat në pagesën e përfituesve.
“Në kontekst të sistemeve financiare, kontrollet mbi të hyrat në përgjithësi janë të forta dhe janë duke u zbatuar në mënyrë efektive, por kontrollet mbi një sërë fushash të shpenzimeve kërkojnë përmirësim të mëtejshëm për të parandaluar mbishpenzimet për të punësuarit me kontrata për shërbime të veçanta, menaxhimi i procesit për pagesa të dyfishta dhe gabimet sa i përket llogarive të përfitueseve, sjell pasiguri në kthimin e mjeteve. Regjistrimi i investimeve kapitale në regjistrin e pasurive duhet të trajtohet që të jetë në përputhje me rregullat në fuqi”, thuhet ndër të tjera në .
Hiç më pak se 247 mijë euro u paguan gabimisht
Në vitin 2015 gjatë procesimit të pagesave për subvencione (pagesat direkte) nga thesari janë vërejtur disa parregullsi:
Nga procedimi i Pagesave për kultura – Perime në fushë të hapur – 352 përfitues ishin paguar nga dy herë gabimisht. Vlera totale e mbi paguar gabimisht ishte 247,047 euro. Mbi pagesat ishin si pasojë e gabimeve në Thesar. Megjithatë, gjatë vitit 2015, pasi janë vërejtur këto gabime, Ministria ka filluar korrigjimet në departamentin e Thesarit si dhe të kërkoj kthimin e mjeteve nga përfituesit. Mbi pagesat janë kthyer nga Thesari, edhe pse procesi i kthimit të mjeteve është përcjellur me gabime në shumat e tyre. Kjo krijon pasiguri në menaxhimin e pagesave për subvencionimin e fermerëve në përgjithësi;
“Në rastin tjetër gabimet gjatë procesimit të pagesave nga thesari janë vërejtur edhe te lista e proceduar për blegtori që kishte 255 përfitues dhe është dashur të realizohet në shumën totale 165,993 euro. Megjithatë, nga transaksioni i ndodhur e tërë shuma ju kishte transferuar gabimisht vetëm dy përfituesve të parë në listë. Kjo është vërejt nga MBPZHR dhe mjetet janë kthyer dhe korrigjuar nga Thesari”, thuhet në raport.
Përveç çështjeve të mësipërme, ishin edhe 34 kërkesa – lista tjera për procedim të pagesave direkte të realizuara gjatë vitit 2015. Listat e fermerëve me numër të llogarisë së përfitueseve përgatiten nga Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB), e cila funksionin në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë.
“Testimet tona kanë identifikuar se në të gjitha listat e fermerëve ka gabime për disa fermerë sa i përket numrit të llogarisë së përfituesve. Kjo ka ndodhur si pasoj e kontrollit jo adekuat me rastin e përgatitjes së listave për pagesë nga AZHB”, është e gjetura tjetër e auditorit.
Gjatë përpunimit të informatave rreth kthimit të mjeteve, MBPZHR ka hasur në vështirësi dhe pasiguri për të identifikuar vlerën e saktë të mjeteve të mbi paguara dhe që do të duhej të ktheheshin nga përfituesit individual. Nga Ministria e Financave (Departamenti i Thesarit) janë regjistruar kthimet për të njëjtin fermer nga dy, tre e katër herë, pa specifikuar nëse mjetet e tyre janë kthyer vetëm për shumën e pranuar si të dyfishtë apo si total. Po ashtu, ka raste kur prej të njëjtës listë për pagesë, për disa fermerë është bërë ri procedimi e për disa fermerë jo.
“Mangësitë e paraqitura në realizimin jo të rregullt të buxhetit për shkak të gabimeve në pagesa për përfituesit e cekur më lartë duken mjaft shqetësuese. Kjo do të rezultojë në mos arritjen e objektivave të organizatës, në keq menaxhim të parasë publike, pasiguri dhe vonesa të pagesave dhe në dëmtim të reputacionit të ministrisë ndaj përfituesve për subvencione dhe grante”, tërheq vërejtjen auditori.
Parregullsi në poentimin e aplikuesve dhe refuzime të padrejta të projekteve të fermerëve
Nga testimi i vlerësimit të aplikacionit dhe dëshmive për përfitimin e grantit “Ujitja e Tokave Bujqësore” në vlerë 160.000 euro, është vërejtur parregullsi në poentimin e përfituesit. Në fakt, në pikën e parë të vlerësimit, përfituesi është poentuar me 5 pikë edhe pse sipas kritereve përzgjedhëse nuk i ka takuar asnjë pikë. Pastaj te pika tjetër lidhur me dëshmitë për “numrin e fermerëve tjerë që do të përfitojnë nga ky projekt” është bërë llogaritja me pikë maksimale 20 pikë, ndërsa nuk kishte dëshmi se nga ky investim do të përfitojnë edhe të tjerët. Poentimi në këto dy aspekte të vlerësimit ka qenë kritik për përzgjedhjen e fituesit.
Në një rast tjetër është vërejtur vlerësim dhe refuzim i paqartë i një aplikacioni për masën 103.1 (Trashja e viçave). Aplikacioni është vlerësuar negativ (refuzuar) me arsyetimin se fermeri nuk e plotësonte kriterin e përvojës në bujqësi. Po ashtu fermeri për refuzim nuk ishte informuar. Fermeri ishte i regjistruar në sistemin e AZHB-së si përfitues para tre viteve, gjë që dëshmon plotësimin e kriterit të përvojës në bujqësi dhe nuk ishte i obligueshëm të sjell dëshmi tjetër. Megjithatë, jo drejtë ankesa e fermerit është refuzuar nga AZHB.
Gati gjysma e aplikuesve u refuzuan pa iu shqyrtuar projektet!
Fermerët janë refuzuar në mënyra të ndryshme, por më së shpeshti janë refuzuar sepse u ka munguar ndonjë dokument, që do të thotë se aplikacionet e tyre as që janë shqyrtuar.
Këtë e ka vërejtur edhe auditori. Zyrat regjionale përkatëse për bujqësi janë përgjegjëse që të kontrollojnë kompletimin e aplikacioneve të fermerëve.
“Në rast të mungesës së ndonjë dokumenti të detyrueshëm zyrtari i AZHB-së nuk duhet ta pranoj aplikacionin, por e regjistron aplikuesin dhe e njofton për dokumentet që i mungojnë në mënyrë që aplikuesi të ketë mundësi ti kompletojë deri në përfundim të afatit për aplikim. Në zyrat regjionale të AZHB-së janë pranuar aplikacionet me gabime prandaj, nga gjithsej 2130 aplikacione të pranuara për grante, 950 ishin refuzuar nga zyra për miratim në AZHB. Kjo situatë është shkaktuar si pasojë e kontrollit jo adekuat e që është reflektuar nga mungesa e personelit të pamjaftueshëm.
Pra, zyrtarët e AZHB-së për shkak të gabimeve të tyre ua kanë çuar huq gjithë mundin e fermerëve por i kanë dëmtuar edhe financiarisht, pasi që secili fermer për një projekt paguan 500 deri në 1000 euro. Fermerët thonë se ka raste kur refuzohen për shkak të mungesës së kopjes së xhirollogarisë, kopjes së letërnjoftimit apo dokumenteve tjera që mund të dërgohen brenda ditës. /tesheshi.com/