Një ndër detyrat kryesore të ministrit të Diasporës, Valon Murati, është që mësimi plotësues i gjuhës shqipe të futet si i rregullt në kuadër të shkollave shtetërore në vendet ku jetojnë bashkatdhetarët.
Murati, në një intervistë ekskluzive dhënë për fundvit për portalin tesheshi.com ka thënë se ai do të punojë që t’u krijojë kushte kosovarëve që jetojnë në vende të Evropës që të investojnë në vendlindjen e tyre.
Për të kryer këto punë, Murati thotë se i duhet edhe ndihma e bashkëatdhetarëve, andaj ju bën thirrje prindërve dhe mësuesve të japin ndihmën e tyre në sensibilizimin për arsimin shqip në diasporë.
Ministri Murati në këtë intervistë flet edhe për atë se sa janë integruar kosovarët në shtetet e huaja ku jetojnë, për punën që kë bërë gjatë këtij viti ministria që drejton, ka treguar se cilat janë brengat e bashkëatdhetarëve kur vizitojnë vendlindjen dhe çështje të tjera.
Intervistoi: Blendi Gashi
Cilat kanë qenë sukseset por edhe dështimet që kanë ndodhur në këtë ministri gjatë vitit 2015?
Ministria e Diasporës, gjatë viti 2015 i ka realizuar pothuajse të gjitha objektivat sipas planit të punës për këtë vit. Është e rëndësishme të ceket se këtë vit janë nënshkruar dy marrëveshje në mes Kosovës dhe Shqipërisë për organizimin e përbashkët të mësimit plotësues të gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare, si dhe për organizimin e “Ditëve të kulturës shqiptare në diasporë” dhe themelimit të Qendrave Kulturore të përbashkëta.
Ka vazhduar krijimi i rrjetit të bizneseve në vende të ndryshme ku është e koncentruar diaspora jonë, të cilat këtë vit kanë krijuar unionin e rrjeteve të bizneseve të diasporës shqiptare (RRBDSH). Po ashtu, janë krijuar rrjete të shoqatave shqiptare dhe të të rinjve shqiptarë, qëllimi i të cilave ka qenë njohja mes të rinjve, shkëmbimi i përvojave , dhe më e rëndësishmja sjellja e dijes në Kosovë.
Po ashtu, MeD u ka mundësuar studentëve shqiptarë në diasporë mbajtjen e praktikës në institucione të ndryshme të shtetit. Një e arritur e MeD-së, një nga projektet më të rëndësishme, është procesi i regjistrimit në diasporë dhe mërgatë. Gjatë vitit 2015, në kuadër të fushatës “Ti je pjesë e atdheut”, janë regjistruar rreth 200 mijë bashkatdhetarë.
Po këtë vit, MeD është bërë pjesë e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik. Në kuadër të tij, MeD e udhëheq grupin e punës për tërheqjen e investimeve nga diaspora.
Gjatë këtij viti mund të ketë pasur ngecje për realizimin e ndonjë projekti për shkak të buxhetit të vogël që na është ndarë, por asnjë nga këto ngecje nuk mund të konsiderohet dështim i ministrisë.
A mund të na tregoni me pak fjalë, për agjendën tuaj. Në cilat vende të Evropës keni qenë që nga marrja e detyrës?
Gjatë vitit 2015, përveç që kam vizituar bashkatdhetarët tanë në Diasporë, në shtete të Evropës, kam pasur edhe një sërë vizitash protokollare me përfaqësues të lartë të shteteve ku diaspora jonë është e përqëndruar, me qëllim të marrjes së përkrahjes së tyre për integrimin e diasporës në shtetet pritëse, por gjithashtu me qëllim të shkëmbimit të përvojave. Këto takime i kam zhvilluar në: Kroaci, Slloveni, Austri, Gjermani, Irlandë, Zvicër.
Sa keni arritur t’i trajtoni në mënyrë institucionale kërkesat e bashkatdhetarëve tanë?
Sa u përket kërkesave të bashkatdhetarëve, mund të thuhet se MeD-ja ka bërë përpjekje t’i trajtojë ato në mënyrë të duhur, natyrisht aq sa ka qenë në kompetencë të saj. Me nismën e ministrisë sonë dhe në bashkëpunim me institucionet e tjera shtetërore, është arritur të ulet për 50 për qind tarifa për sigurimin kufitar, ndërkohë që ne do të vazhdojmë të bëjmë përpjekje që të gjejmë zgjidhje që ajo të hiqet fare.
Gjatë këtij viti kam themeluar një grup punues të përbërë nga përfaqësues të ministrive dhe institucione të tjera (MPB, MPJ, Policia Kufitare, Shoqeria civile etj.) që bashkëpunim me komunat, është marrë vazhdimisht me problemet e bashkatdhetarëve.
A ka mërgata shqiptare potencial të fuqishëm për zhvillimin ekonomik, kulturor dhe politik?
Diaspora shqiptare ndër vite ka dëshmuar potencialin e vet ekonomik duke dërguar remitanca dhe duke dhëne përkrahje të vazhdueshme qoftë politike apo kulturore përveç asaj ekonomike e financiare. Kjo gadishmëri e diasporës në çdo aspekt, për të dhënë kontributin e saj për vendin, ende nuk ka ndryshuar dhe mund të themi që shqiptarët nëpër botë janë bërë edhe më të fuqishëm ekonomikisht dhe kanë edhe potencialin njerëzor dhe financiar që të vazhdojnë të ndihmojnë Kosovën në zhvillim ekonomik, kulturor dhe politik.
Cilat janë shoqatat që përfaqësojnë diasporën në Kosovë në vende të ndryshme të botës dhe cili është roli i tyre?
Në diasporë funksionojnë shumë shoqata shqiptare, që për shkak të korrektësisë nuk mund t’i përmend me emra të gjitha dhe luajnë rol të rëndësishëm në ruajtjen e gjuhës shqipe, identitetit kulturor e kombëtar, e gjithashtu shërbejnë si ura lidhëse në mes të bashkatdhetarëve me atdheun, përmes organizmit të aktiviteteve të ndryshme kulturore e arsimore.
Gjatë takimit me mërgimtarët, cilat kanë qenë brengat e tyre që u kanë shprehur ata, pra çka i mundon më së shumti kur të vijnë në Kosovë?
Gjatë takimeve që kam zhvilluar me mërgimtarët tanë në diasporë ata kanë shprehur shumë brenga. Bashkatdhetarët kur vijnë në Kosovë më së shumti përballen me vëshitrësinë për të nxjerrë dokumente por brengë e tyre janë edhe kolonat në pikat kuftiare.
Gjatë këtij viti, personalisht i kam vizituar disa nga bizneset e diasporës në Kosovë dhe me ekipin tim i kemi adresuar problemet e tyre në institucionet përkatëse (ATK, Doganat, MTI etj).
Sa janë të barabartë mërgimtarët tanë me qytetarët e vendeve përkatëse në të cilat jetojnë?
Mund të thuhet se të rinjtë tanë në diasporë çdo ditë e më shumë po i tregojnë vlerat e tyre në shumë fusha të jetës. Ata sot mund t’i gjeni si pjesë e politikëbërjes së vendeve ku jetojnë, e kulturës e arsimit, ekonomisë etj. Vendet pritëse kanë politikat dhe ligjet me të cilat rregullohen të gjitha çështjet e personave që jetojnë dhe veprojnë atje, prandaj edhe integrimi dhe të drejtat e qytetarëve dhe komuniteteve janë të përcaktuara me ligje të veçanta.
Në krahasim me të kaluarën, sot Diaspora jonë ka arritur të integrohet mjaft mirë në jetën politike dhe kulturore-arsimore të shteteve ku është e koncentruar. Duke qenë më e arsimuar, e duke qenë se tani kemi të bëjmë me gjeneratën e dytë e të tretë atje, ajo e ngre zërin për t’i mbrojtur interesat dhe të drejtat e veta, por gjithashtu jep edhe ndihmën dhe përvojën saj në vendin ku jeton e vepron.
Cili është raporti i ministrisë dhe ambasadave të Kosovës?
Si institucione të Republikës së Kosovës, të cilat në forma të ndryshme merren me shtetasit dhe bashkatdhetarët tanë jashtë vendit, ne mundohemi t’i koordinojmë punët mes vete. Duhet të përmendim se tani Ambasadat dhe Konsullatat tona do të na ndihmojnë në procesin e regjistrimit të bashkatdhetarëve, një projekt ky shumë i rëndësishëm për Republikën e Kosovës.
Për fund, çfarë mund të presin mërgimtarët më 2016 nga ministria që u dedikohet atyre?
Ministria e Diasporës në vitin 2016 do të vazhdojë të punojë me shumë përkushtim në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive që i takojnë karshi Diasporës shqiptare. Do të punojë, natyrisht në bashkëpunim me shtetet, ku ka përqendrim të Diasporës sonë, që mësimi plotësues i gjuhës shqipe të futet si i rregullt në kuadër të shkollave shtetërore, që t’u krijojë kushte bashkatdhetarëve për të investuar në vendlindje, me një fjalë do të punojmë për interesa dhe në dobi të saj.
Për të kryer këto punë, kemi nevojë edhe për ndihmën e bashkatdhetarëve, prandaj u bëj thirrje të gjithëve, në veçanti prindërve dhe mësuesve të mësimit plotësues, që të na ndihmojnë në sensibilizimin për arsimin shqip në diasporë dhe t’i dërgojnë fëmijët në mësimin e gjuhës shqipe, në mënyrë që mësimi i gjuhës shqipe të organizohet sa më mirë dhe numri i nxënësve të rritet. Gjithashtu, u bëj thirrje të gjithëve që t’i përgjigjen kërkesës për t’u regjistruar në regjistrin e Diasporës, qoftë përmes plotësimit të formularëve fizikë (të cilët mund t’i gjejnë në konsullata e ambasada) qoftë atyre online (në rdks.info). /tesheshi.com/