Shefi i diplomacisë ruse ka vizituar Azerbajxhanin, ku ka folur dhe për ngrohjen e marrëdhënieve mes vendit të tij dhe Turqisë në javët e fundit.
Në një konferencë shtypi në Baku me homologun azer, Sergei Lavrov ka theksuar se normalizimi i marrëdhënieve ruso-turke ka për t’i ndihmuar të dy vendet të gjejnë rrugë efektive për zgjidhjen e krizës siriane.
“Procesi [i normalizimit] do të na japë mundësi të gjejmë rrugë më efektive për zgjidhje për krizën në Siri,” është shprehur Lavrov.
“Turqia dhe Rusia kanë qasje të ndryshme mbi çështjen siriane. Por pasi u takova me Çavuşoğlu-në Soçi, mund të them se kemi më pak konflikte me homologët turq,” ka shtuar ai.
Dy vendet mbështesin palët e kundërta në konfliktin sirian; rusët janë në krah të regjimit të Esadit, kurse turqit përkrahin forcat rebele.
Ministri i Jashtëm i Azerbajxhanit, Elmar Mammadyarov, nuk e fshehu kënaqësinë për gjetjen e pajtimit midis Rusisë dhe Turqisë, “Sa më pak konflikte mes Rusisë dhe Turqisë, aq më mirë për Azerbajxhanin.”
Një bisedë telefonike mes Putin-it dhe Erdoğan-it, e një takim i dy ministrave të Jashtëm, kanë sjellë një zbutje të dukshme të marrëdhënieve ruso-turke, të prishura që prej nëntorit të vitit të shkuar. Përmirësim që është shoqëruar me heqje kufizimesh nga të dyja palët, si në fushën e tregtisë, turizmit, e të lëvizjes së njerëzve. /tesheshi.com/