Kreu i diplomacisë së Tiranës, Ditmir Bushati, ka aluduar se qarqe politike të caktuara në rajon po joshen nga oferta ruse. Duke folur për Koha Ditore në Kosovë, Bushati tha se kjo nuk duhet të ndodhë.
“Ne mendojmë se Rusia nuk është e nuk mund të jetë kurrsesi alternativë e besueshme për askënd në rajon. Ne nuk besojmë se ndokush në rajon është aq naiv sa të joshet nga e ashtuquajtura ofertë ruse përkundrejt asaj që ofron procesi euroatlantik. Në çdo rrethanë, kjo nuk është e nuk do të jetë ndonjëherë zgjedhja jonë. Prandaj është e shumë e rëndësishmë që projekti evropian të jetë më dinamik, më konkret dhe i shpejtë e më rezultativ”, tha ministri i Jashtëm në qeverinë e Ramës.
Është kjo një përgjigje ndaj zërave të shtuar së fundi se krizat politike në disa vende, ku veçohen Maqedonia dhe Shqipëria, po shkojnë në favor të interesave ruse. /tesheshi.com/